23 Nëntor 2017

Pacolli fton bizneset turke të rrisin investimet në Kosovë

Prishtinë, 27 tetor - Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Turqi, Zëvendës - Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, e hapi Forumin e biznesit, Kosovë-Turqi, së bashku me Ministrin e Zhvillimit të Turqisë, Lütfi Elvan, dhe në prezencën e shumë kompanive, si nga pala turke, por edhe nga ajo e Kosovës.

Me këtë rast, Ministri i Jashtëm, z. Pacolli i ka vlerësuar investimet e deritanishme turke në Kosovë, duke i bërë thirrje atyre, që investimet turke në Kosovë të rriten edhe më shumë dhe për këtë ai ka theksuar përparësitë që ofron tregu i Kosovës, afërsia në mes dy vendeve dhe dy popujve, pozicioni gjeografik i Kosovës më afër Evropës, lehtësimi i procedurave për të bërë biznes në vendin tonë dhe Ligjin për Investime Strategjike.

Duke vlerësuar Kosovën si një parter të rëndësishëm tregtar, që ka bërë reformat e rëndësishme për zhvillim ekonomik gjatë viteve të fundit, Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Turqisë, z. Lütfi Elvan, ka theksuar se investimet e deritanishme turke në Kosovë merren si shembull edhe për vendet e tjera.

Në këtë drejtim, ai gjithashtu, i bëri ftesë kompanive turke që të rrisin edhe më shumë investimet e tyre në Kosovë, duke vlerësuar se hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në mes Kosovës dhe Turqisë, i jep përparësi kompanive turke në raport me kompanitë konkurrente nga rajoni dhe të cilat pastaj nga Kosova mund të kenë qasje edhe në tregun e Bashkimit Evropian, por, edhe tregje të tjera, në të cilat Kosova mund të eksportojë produktet e tyre.

Turqia benë pjesë në grupin e vendeve me prezencën më të madhe të investimeve në Kosovë.

Deri më tani, në Kosovë janë regjistruar gjithsej afër 700 biznese turke. Afër 200 prej tyre janë kompani të qëndrueshme me një stabilitet të operimit.

Kompanitë turke deri më tani kanë investuar 367,80 milion Euro në Kosovë. Investimet janë të orientuara në sektorin bankar, edukim, shëndetësi, prodhim, ndërtimtari, tregti, hoteleri, transport dhe fusha tjera.

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 Nëntor 2017 - Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Konferencën për Energjinë e Ripërtëritshme në Sektorin e Prodhimit. (Swiss Diamond Hotel, ora 9:00)

- Mbahet seanca e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Save the Children në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Technologjisë, organizojnë konferencën rajonale "Investimi në Kujdesin dhe Zhvillimin gjatë Fëmijërisë së Hershme: Faktet, Mundësitë dhe Sfidat". (Hotel International, rrugës për Lipjan, ora 10:00)

- Misioni i OSBE-së në Kosovë do të mbajë ligjëratë në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan për qeverisjen e mirë. (Objekti i Univesitetit të Gjilanit, ora 10:00)

- Mbahet takimi i 143 -të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Objekti i Prokurorisë së Shtetit, ora 10:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-se, ora 11:30)

- Joni Sefedini, nxënëse në klasën e tretë në Shkollën fillore “Nazim Gafurri” në Prishtinë, promovon librin e dytë të tij me titull “Dy arinj të humbur” dhe hapet ekspozita me piktura të tij. (Shkolla fillore “Nazim Gafurri”, ora 12:00)

- Me rastin e 17-vjetorit të vrasjes së veprimtarit, Xhemail Mustafa, Kryetari i LDK-se, Akademik Isa Mustafa me anëtarët e Kryesisë së LDK-së, do të bëjnë homazhe tek varri i tij. (Fshati Gllamnik në Podujevë, ora 13:00)

- Forumi për Iniciativa Qytetare organizon Konferencën “Volunteers in Action” përmes së cilës synohet vetëdijesimi i të rinjve mbi rëndësinë e filantropisë dhe punës vullnetare. (Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, ora 14:00)

- Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatëse Ekaterina Trendafilova së bashku me Administratoren e Dhomave të Specializuara, dr. Fidelma Donlon, do të takohen me përfaqësues të shoqërisë civile zyrtarë të qeverisë si dhe me organizata vendore e ndërkombëtare për të diskutuar veprimtarinë e Dhomave të Specializuar.  (Hotel Garden n lagjen Kalabria, ora 14:30)

- Kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa me Nenkryetarin e LDK-së, z. Lutfi Haziri, do të mbajnë konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së, kompleksi "Qafa", ora 15:00)

- Hapet ekspozita e artistes znj. Emiranda Beka. (Galeria e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, ora 19:00)