10 Dhjetor 2018

Niveli i lartë i ekonomisë joformale, është sfidë për financat publike

Prishtinë, 9 nëntor -  “Ministria e Financave dhe Agjencitë e saja tatim-mbledhëse kanë ndërmarrë dhe vazhdojnë të ndërmarrin veprime konkrete që ndikojnë mjaft në formalizmin e aktiviteteve të biznesit “, tha  ministri i Financave Bedri Hamza në takimin e sotëm të organizuar nga  Ministria e Financave dhe Zyra e BE-së në Kosovë, përmes projektit të financuar nga BE-ja “Mbështetja e mëtejme për institucionet e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm”,  ku u prezantua Vlerësimi i vëllimit të ekonomisë joformale në Kosovë.

Me këtë rast, ministri i Financave Bedri Hamza  e vlerësoi jashtëzakonisht shumë punën që është bërë, për të vazhduar me vlerësimin e kohëpaskohshëm të prezencës së fenomenit të ekonomisë jo-formale në vendin tonë.

"Për ne formalizmi i bizneseve dhe aktiviteteve të tyre ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e agjendës sonë, dhe publikimi i këtij raporti do të na shërbej mjaft në identifikimin dhe disenjimin e veprimeve konkrete që ndikojnë direkt në zvogëlimin  e informalitetit."

"Niveli relativisht i lartë i ekonomisë joformale, është sfidë për financat publike në njërën anë dhe dëmton konkurrencën e drejtë në treg, në anën tjetër. Për më shumë, punësimi jo-formal dhe shmangia sistematike nga pagesa e kontributeve për të punësuarit, janë duke dëmtuar në masë të madhe interesat e punëtorëve, kur e dimë që niveli i papunësisë është ende sfidë për ekonominë tonë ”, shtoi Ministri Hamza.

Ai gjithashtu theksoi se “Ne do të punojmë në azhurnimin dhe modifikimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Ekonomisë Jo-formale, me qëllim të vendosjes së një mekanizmi më të mirë monitorues dhe implementues të masave për ngushtimin e hendekut tatimor”.

Ministri Bedri Hamza falënderoi Zyrën e BE-së në Kosovë për financimin e projektit  “Mbështetje e Mëtejshme Institucioneve të Kosovës, në aktivitete për zvogëlimin e ekonomisë jo formale”, për punën e bërë në ofrimin e këtij raporti vlerësues dhe rekomandimeve që do të na shërbejnë për hapat e mëtutjeshëm.

Ndërsa shefja  e Zyrës së BE-së/Përfaqësuese Speciale e BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova, theksoi se nuk mjafton luftimi i informalitetit vetëm në reforma në administratë. Sipas saj, reformat duhet të shtrihen edhe në gjyqësor në mënyrë që të bëhet më shumë në konfiskimin e pasurive të fituara përmes rrugëve të paligjshme.

“Luftimi i ekonomisë joformale është çështje me rëndësi për BE-në dhe është vështirë ta luftosh një armik pa e gjetur shkakun andaj jemi përkushtuar përmes raportit të gjejmë shkaktarët për luftimin e kësaj dukurie, mund të flasim për një zvogëlim të ekonomisë joformale në Kosovë dhe kjo është për shkak të reformave të marra nga MF-ja, gjegjësisht nga Dogana dhe ATK-ja që kanë bërë punë të mirë."

"Për luftimin e ekonomisë së zezë dhe joformale nuk mjaftojnë vetëm reformat e administratës, ne presim nga Qeveria e Kosovës zbatimin e ligjit dhe forcimin e gjyqësorit përmes konfiskimit t’u shkaktojmë dhimbje atyre që i paraprijnë kësaj dukurie”, tha Apostolova.

Në këtë prezantim morën pjesë ministri i Financave Bedri Hamza, shefja e Zyrës së BE-së/Përfaqësuese Speciale e BE-së Nataliya Apostolova, ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë Ruud Vermeulen, zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Lulzim Ismajli, si dhe zyrtarë të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Vlerësimi ndjek po të njëjtën metodologji si vlerësimet e mëhershme të bëra në 2007 dhe 2014, për të mundësuar krahasimin e të dhënave dhe për të nxjerr përfundime për trendët që lidhen me ekonominë joformale në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 10 dhjetor 2018 - Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S. Kosnett së bashku me ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Francës,  të ngarkuarin me punë të ambasadës gjermane, Kryesuesen e Zyrës së BE-së në Kosovë, si dhe një përfaqësues të organizatës Iniciativa për Progres do të flasin gjatë hapjes së Javës kundër korrupsionit në Kosovë. (Sirius Hotel, ora 9:30)

- Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve organizon konferencën për avancimin e shërbimeve shëndetësore dhe rehabilituese për fëmijë. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Mbahet konferenca e Forumit të Rinisë së LDK-së me temën “Pa-siguria Sociale dhe Ekonomike e të Rinjve në Kosovë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministria e Drejtësisë, Zyra e Koordinatorit Nacional kundër Dhunës në Familje, organizon konferencën “Qasja në drejtësi e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore”. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Konferencën Rajonale "Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore". (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Mbahen punimet e Forumit Kosovaro-Maqedonas të Sigurisë 2018, që organizohet nga Fondacioni “Konrad Adenauer Stiftung”, Kolegji AAB dhe Universiteti Kliement Ohridski, Fakulteti i Sigurisë, Shkup. (Kolegji AAB, ora 10:00)

- Klubi Dëshira organizon promovimin e programit të Ndërmarrjes Sociale Dëshira. (Hotel Prishtina, ora 10:00)

- Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me organizatat joqeveritare dhe shoqërinë civile të Kosovës organizojnë aktivitetin “Çohu për të Drejtat e Njeriut” për shënimin e 10  dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.​  (Teatri Kombëtar të Kosovës, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Protokollin Shtesë 5 të Marrëveshjes për Amendimin dhe Aderimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore si dhe shqyrtimi i vendimit të Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, Demokraci Plus organizon debatin publik në lidhje me gjetjet e monitorimit të prokurimit publik në Komunën e Vushtrrisë. (Restaurant Holiday, ora 11:00)

- Muzeu i Kosovës për nder të ditës ndërkombëtare të drejtave të njeriut do të bëjë promovimin e katalogut me imazhe taktile dhe të përkthyer në Brail në bashkëpunim me shoqatat e të verbërve në Kosovë. (Muzeu i Kosovës, ora 11:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” organizon tryezën e diskutimit me temë “Parandalimi dhe luftimi i konfliktit të interesit në pushtetin gjyqësor”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Komunës së Klinës Zenun Elezaj. (Objekti i Komunës së Klinës, ora 11:30)

- Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me organizatat joqeveritare dhe shoqërinë civile të Kosovës organizojnë marshin “Çohu për të Drejtat e Njeriut”, i cili fillon nga sheshi “Skënderbeu” deri te sheshi “Zahir Pajaziti”. (Sheshi “Skënderbeu”, ora 12:00)

 - Mbahet mbledhje e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të behët shqyrtimi në parim i Projektligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës(Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 13:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti do të nënshkruajë marrëveshje me kryetarin e Komunës së Junikut Agron Kuçi. (Objekti i Komunës së Junikut, ora 13:30)

- Me rastin e 10 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Kolegji AAB në bashkëpunim me KMDLNJ organizojn tryezë që i kushtohet Adem Demaçit, fitues i Çmimit Saharov dhe çmimeve të tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. (Qendra Mediale e Kolegjit AAB, ora 14:00)

- Me rastin e 10 dhjetorit, Ditës ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Misioni i OSBE-së në Kosovë do të organizojë sot një ekspozitë me fotografi dhe poezi, vepra te artistëve të rinj që morën pjesë në konkursin e Misionit të titulluar “Të drejtat e njeriut përmes artit”.  (Lapidariumi i Muzeut të Kosovës, ora 15:00)

- Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc organizojn Javën e Filmit të Kosovës në Bujanoc. (Shtëpia e Kulturës në Bujanoc, ora 17:00)

- Mbahet ceremonia e dorëzimit të çmimit që shënon Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit për të falenderuar publikisht kontributet e gazetarëve të guximshëm të cilët zbulojnë rastet e korrupsionit dhe për të rritur ndërgjegjësimin përmes tregimeve të tyre. (Grand Hotel, ora 17:30)