30 Shtator 2020

MTI-ja po angazhohet t’i ndihmojë bizneset

 Prishtinë, 14 gusht - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka zhvilluar një takim virtual me përfaqësues të UNDP-së në Kosovë, me të cilët ka diskutuar për mundësinë e bashkëpunimit.

Ministri Krasniqi i ka informuar përfaqësuesit e UNDP-së për vështirësitë me të cilat po ballafaqohet Kosova, e në veçanti bizneset në këto rrethana të krijuara nga pandemia.

Ministri ka potencuar angazhimin e Qeverisë së Kosovës se me miratimin e paketës për rimëkëmbje ekonomike, që sipas tij, pritet të marrë dritën jeshile edhe në Kuvendin e Kosovës, do të krijohen mundësi për t’i ndihmuar bizneset.

“Pos këtij programi të Qeverisë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke u angazhuar që t’i ndihmojmë bizneset edhe në forma të tjera”, është shprehur ministri Krasniqi.

Ministri ka kërkuar nga UNDP-ja që ta mbështesë atë në projektet për ndihmë bizneseve duke ua prezantuar një projekt konkret, që përfshin angazhimin e 600 të të diplomuarve, të cilët do të angazhoheshin nëpër biznese.

 “Studentët e sapo diplomuar do të kenë mundësi që studimin teorik të tyre ta jetësojnë në praktikë. Në këtë mënyrë pos që do t’i ndihmojë në aftësimin profesional të tyre njëkohësisht do t’i ndihmojë edhe bizneseve nga angazhimi i tyre”, është shprehur ministri.

Për realizimin e këtij projekti, ministri Krasniqi ka thënë se do të kërkojë mbështetje edhe nga organizatat tjera ndërkombëtare që bashkërisht ta realizojnë këtë projekt.

Përfaqësuesit e UNDP-së kanë vlerësuar angazhimin e ministrit Krasniqi duke thënë se mbështetja për aftësi dhe shkathtësi profesionale nuk ka munguar asnjëherë nga UNDP-ja duke premtuar se do t’i shikojnë të gjitha mundësitë që edhe ky projekt të nisë së zbatuari. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 30 Shtator 2020 - Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohet me Komision me përfaqësuesit e Komisionit  qeveritar për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Administrata Tatimore e Kosovës së bashku me Oden Ekonomike të Kosovës do të vizitojnë biznesin “Prishtina Mall”. (Zona industriale Prishtinë - Lipjan, tek rrethi i QMI-së, ora 10:00)

- Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë organizon publikimin e raportit “Indeksi Kosovar i Reziliencës-Ekstremizmi i Dhunshëm në Kosovë: Çfarë mund të mësojmë nga rezilienca në komunitet?” (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e katërt e rregullt për vitin 2020 të Kuvendit Komunal të Prizrenit. (Salla për mbledhjet e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, tek “Shtëpia e Bardhë”, ora 10:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim organizon ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit për Procesin Zgjedhor. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

 - Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike shqyrton raportin vjetor të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut dhe të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10,, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyrët e LV-së në Arbëri, ora 11:00)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi nesër zhvillon vizitë në Komunën e Drinasit. (Ambientet e Komunës së Drinasit, ora 11:00)
 
- Administrata Tatimore e Kosovës së bashku me Oden Ekonomike të Kosovës do të vizitojnë biznesin “Ciao Berto”. (Magjistralja Prishtinë - Mitrovicë, km2, ora 11:30)

- Grupi i aktorëve të Prishtinës do mbajnë protestë pasi që kërkesat e tyre të deritanishme nuk janë realizuar. (Para objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës, ora 12:00)

-  Komisioni për Buxhet dhe Transfere shqyrton në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike si dhe Ligjin për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës si dhe shqyrton raportin Vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:00)
 
- Administrata Tatimore e Kosovës së bashku me Oden Ekonomike të Kosovës do të vizitojnë biznesin “Lesna”. (Rruga Lidhja e Pejës nr. 133 10000, ora 13:00)

-  Komisioni për Integrim Evropian shqyrton programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit, i ftuar Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:30)

- Fondacioni Shtatëmbëdhjetë organizon edicionin e tretë të Metamorphosis. (Objekti i Kryqit të Kuq, në rrugën "Xhemajl Prishtina", nr.36 te RTK-ja te pazari, ora 16:30)

- Në kuadër të javës së tretë të programit publik në Festivalin e Arkitektures në Kosovë. (Drejtperdrejt në faqen facebook-ut të Festivalin e Arkitektures, ora 18:30)