20 Tetor 2021

Kosova vendos masa mbrojtëse ndaj disa produkteve serbe

Prishtinë, 8 tetor - Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se ka marrë vendim për masa mbrojtëse 'anti-damping' ndaj dy llojeve të produkteve të prodhuara në shtetin e Serbisë.

Damping nënkupton importin e mallrave në Kosovë me një çmim më të ulët të eksportit, sesa çmimi i krahasueshëm për produktin e ngjashëm në tregun e vendit eksportues. Anti-damping është masë mbrojtëse për importin e produkteve nën hetime, pas ankesave të kompanive prodhuese brenda shtetit.

Me vendimin e qeverisë, bëhet fjalë për masën mbrojtëse nga 0.03 centë për kilogram në importin e koncentratit të kafshëve dhe shpezëve dhe për 0.03 centë për blloqet standarde me origjinë nga Serbia. Kompanitë eksportuese të koncentratit janë “Jabuka”, “Gebi”, “Sto Posto” dhe “Beçejka”, ndërsa kompania prodhuese e blloqeve është “Mladost”.

Këto vendime janë marrë pas hetimeve të bëra në treg, të cilat kanë vërtetuar se këto mallra në tregun e Kosovës shiten me çmim më të ulët sesa në tregun e Serbisë.

“Të dyja vendimet janë marrë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Masat Anti-damping, si dhe detyrimet tona ndërkombëtare”, tha Hajdari.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 Tetor 2021  - Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, vizitojnë ndërmarrjen “Trepça”. (Zyra e menaxhmentit të “Trepçës”, Parku Industrial, ora 8:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Raportin Vjetor Financiar te Bankës Qendrore, Fondit të Kursimeve Pensionale, raportin e Qeverisë për Buxhetin e së Kosovës dhe Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e dhjetë e Komiteti për Politik dhe Financa e Komunës së Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli. (Hotel Opera në Prishtinë, ora 11:00)

- Rektori i Universitetit të Prishtinës Naser Sahiti dhe Dimitrija Sekovski, përfaqësues i SKAT Consulting nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për implementimin e programit studimor Master në Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë. (Rektorati i UP-së, ora 11:00)

- Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve mjedisor ju ftojnë në konferencën për media, ku do të njoftoheni me zhvillimet e fundit që ndërlidhen me paditë për shpifje të ushtruara kundër aktivistëve Shpresa Loshajt dhe Adriatik Gacaferi, nga kompania Kelkos si dhe operimet e kësaj kompanie në Deçan. (Para objektit të Qeverisë ish-Rilinjda, ora 13:00)

- Baleti Kombëtar i Kosovës mban konferencë për medie me rastin e Premierës së shfaqjes “Tanzminiaturen” & “Tangata” me koreografi nga Ricardo Fernando.  (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 13:00)