14 Tetor 2019

Konfindustria e shqetësuar për zhvleftësimin e Euro-s kundrejt Lek-ut

Tiranë, 12 gusht - Konfindustria shpreh shqetësimin për rolin e dështuar institucional në vazhdimësi të Bankës së Shqipërisë në zhvleftësimin e tejskashëm të Euro-s kundrejt Lek-ut, me pasoja të rënda në afatgjatë për zhvillimin e ekonominë kombëtare dhe para së gjithash prodhimit dhe industrive vendore.

Administratori Përgjithshëm i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku ka thënë se mungesa e plotë e analizës institucionale së shkaqeve, pasojave në ekonomi, mosveprimet dhe politikat e gabuara të Bankës së Shqipërisë në problematikat e zhvleftësimit të thellë të Euro-s, në mjaft raste cënojnë pavarësinë e siguruar me ligj të institucionit, duke ndihmuar ekzekutivin ose grupe të caktuara importuesish dhe operatorësh të tregut, në kundërshtim me interesin publik në afatgjatë.

Rasti i fillimit të politikës së “de-euroizimit” të ekonomisë, që përkoi pikërisht në kulmin e zhvleftësimit të monedhës europiane ndaj Lek-ut sipas tij është shembull i qartë i paaftësisë dhe deri subjektivizmit të Bankës së Shqipërisë.

"Pasojat e mbivlerësimit të Lek-ut kundrejt monedhës europiane godasin drejtpërdrejt fuqinë konkuruese të vendit për investime prodhuese, ndihmojnë hapur lobet importuese në dëm të prodhimeve të markes “ Made in Albania”, prekin ndjeshëm deri në falimentim kompanitë shqiptare, që prodhojnë për eksport dhe tregun vendor, zhveftësojnë ashpër kursimet dhe mbijetesën e një mase dërrmuese të qytetarëve me burim të ardhurat nga emigracioni."

"Rënia e rendimentit fiskal të ekonomisë shqiptare, me pasojë edhe në rënien e vazhdueshme të të ardhurave në buxhetin e shtetit, shprehur dhe në fushatën e fundit të ekzekutivit kundër informalitetit, në një masë të madhe vjen dhe nga politikat monetare të gabuara ose të munguara të ndjekura nga Banka e Shqipërisë në vite", ka theksuar Buxhuku.

Në një afat kohor 3 vjecar Euro është zhvleftësuar me mbi 13% të vlerës së saj kundrejt Lek-ut. Gjatë muajit gusht 2019 Euro ka arritur nivelin më të ulët historik të vlerës së saj kundrejt Lek-ut në 12 vitet e fundit.

Gjatë gjithë kësaj kohe, megjithë kërkesat në vazhdimësi të bizneseve vendore të prekura rëndë, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor sipas tij kanë qenë krejtësisht të paqarta dhe me ndikim tepër afatshkurtër, duke marrë më shumë pamjen e spekullimeve për përfitime të aktorëve të ndryshëm, sesa të një politike të mirëmenduar dhe afatgjatë në interes të ekonomisë kombëtare. 

Konfindustria vlerëson, se dështimi i plotë i institucionit më të lartë ligjor përgjegjës për politikat monetare, vë në pikpyetje të plotë vetë një nga arsyet kryesore të krijimit dhe ekzistencës së Bankës së Shqipërisë, që mbahet në thelb me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

"Nëse, Banka e Shqipërisë është e paaftë të plotësojë detyrat e saj të përcaktuara në ligj, sic janë politikat monetare për të shmangur spekullimet dhe ndihmuar ekonominë kombëtare, atëhere është koha për të riparë në themel gjithë legjislacionin në fuqi, përfshi edhe vlerësimin e mundësisë së zëvendësimit të Lek-ut nga Euro si mjet pagese në ekonomi", konsideron Buxhuku.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 14 tetor 2019

- Shefja e BE-së në Kosovë, Ambasadorja Apostolova, do ta hapë vitin e ri akademik në Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë. (Kampusi i IBCM-së, Mitrovicë e Jugut, ora 10:00)

- Drejtoria për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm në komunën e Rahovecit mban sesionin informues në thirrjen për aplikim të publikuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë me bizneset e komunës. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)
 
- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me agjencitë, fondet, programet dhe entitetet e OKB-së në Kosovë - Ekipin e OKB-së së Kosovës nën koordinimin e Zyrës e Koordinatores për Zhvillim do të shënojë Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë. (Menza Ramiz Sadiku, ora 15:00)