07 Korrik 2020

Çrregullimet ndërkombëtare të furnizimeve krijojnë mundësi për bashkëpunimin ekonomik Kosovë-Iowa

Prishtinë, 19 qershor - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një konferencë virtuale me organizatën e biznesit Greater Des Moines Partnership në shtetin amerikan të Iowas, përmes së cilës anëtarët e Odës Amerikane patën mundësinë të diskutojnë mbi mundësitë potenciale për bashkëpunim në mes të të dyja vendeve, si dhe mbi mënyrat se si ky shtet është ballafaquar me pandeminë COVID-19 në aspektin ekonomik.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane shprehi kënaqësinë për vazhdimin e bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Iowas si shtete simotra edhe në këtë kohë pandemie.

“Pandemia COVID-19 ka pasur një ndikim shumë negativ në ekonominë dhe sektorin privat të vendit në përgjithësi, megjithatë kjo kohë mund edhe të krijojë mundësi të reja për investime amerikane ose të tjera të huaja nga ata investitorë që mund ta lënë Kinën dhe Azinë dhe të kërkojnë tregje që ofrojnë avantazhe të ngjashme”, tha Zeka.

Xhavit Gashi, këshilltari i jashtëm i Odës Amerikane theksoi se lidhjet në mes Kosovës dhe Iowas janë shumë të vlefshme, duke përmendur se Kosova mund të marrë një shembull të mirë nga shteti i Iowas i cili ka menaxhuar në mënyrë të shkëlqyeshme situatën me COVID-19.

Jay Byers, kryeshef ekzekutiv në organizatën e biznesit Greater Des Moines Partnership, përderisa theksoi ashpërsinë e ndikimeve që COVID-19 ka pasur në ekonominë e SHBA-së dhe zinxhirët e furnizimit, shtoi se kjo pandemi ka krijuar mundësi për reformim të ekonomisë.

“Pandemia ka vënë theks në trende të reja duke u mbështetur në avancime teknologjike, siç janë ato për punësim të decentralizuar dhe punë nga distanca”, tha Byers, duke shtuar më tej se së bashku me Konsullatën e Kosovës në Iowa kishin planifikuar një mision tregtar në Kosovë gjatë këtij viti, për të parë mundësitë për investime dhe bashkëpunim në mes të dy shteteve, derisa theksoi se janë në pritje të rikthimit në normalitet për ta zhvilluar të njëjtën.

Ryan Caroll, menaxher për tregti ndërkombëtare në Greater Des Moines Partnership deklaroi se pandemia COVID-19 ka bërë që shkalla e papunësisë në SHBA të arrijë nivelet e saj më të larta, në një kohë kur pothuajse po arrihej punësim i plotë.

Caroll theksoi se bizneset prodhuese në Iowa janë ballafaquar me probleme dhe ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit që nga fillimi i shpërthimit të pandemisë në Kinë, duke shtuar se organizata Greater Des Moines Partnership ka implementuar plane të ndryshme strategjike në ndihmë të bizneseve gjatë kësaj kohe.

Për më tepër, Caroll potencoi se theks i veçantë i është dhënë edhe sistemit arsimor, ku janë krijuar programe të ndryshme për mësim nga shtëpia.

Sipas tij, kjo pandemi ka krijuar nevojë të theksuar për të investuar në procese virtuale, dhe për të riorganizuar në përgjithësi proceset e punës.

Artan Duraku, udhëheqës i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Iowa theksoi se idealisht ky muaj do të duhej të shënonte vizitën më të madhe të bizneseve të Iowas në Kosovë nga industri të llojllojshme, specifikisht nga bizneset që merren me energji të ripërtërishme, teknologji informative dhe kompanitë që mund të jenë të interesuara në industrinë kosovare të procesimit të drurit.

“Pandemia ka kufizuar mundësitë për investime duke konsideruar se të gjitha bizneset anembanë botës po ballafaqohen me probleme, e megjithatë Kosova duhet të kërkojë mundësi nga ky ndryshim global”, tha Duraku.

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 Korrik 2020

- Dr. Basri Sejdiu do të mbajë konferencë për media lidhur me vendimin e Bordit Drejtues për shkarkimin nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK. (QKUK, ora 11:00)

- Ministri i Drejtësisë Selim Selimi do të vizitoje Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Komunës së Prishtinës, ora 11:00)

- Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi do të mbaj takim me Ministren e financave, znj. Hikmete Bajrami me të cilën do të bisedoj lidhur me pagesën e pagave të  punëtorëve nga pakoja emergjente, tërheqjen e mjeteve për punëtorë nga fondi i kursimeve si dhe eliminimin e gabimeve teknikeve gjatë  aplikimit për pakon fiskale emergjente. (Kabineti i ministres Bajrami, ora 11:00)

- Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi pas takimit me Ministren e financave, znj. Hikmete Bajrami do të mbaj konferencë për shtyp, ku do të ju njoftojë lidhur me këtë takim. (Zyret e Sindikatës në objektin e ish Gërmisë, ora 11:45)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media në të cilën flet nënkryetari Besnik Bislimi. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 12:00)

- Me hapjen e ekspozitës multimediale në hapësirat e SENSE Qendrës në Pulë, Qendra për Drejtësi Tranzicionale në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë nisin kampanjën me titull: Srebrenica 25: Së bashku kundër virusit të mohimit në ditën kur në vitin 1995 ka rënë Srebrenica. (Transmetim direkt livestream http://srebrenica.sensecentar.org, ora 17:00)

- Komuna e Rahovecit mban dëgjim publik me banorët të fshatrave Malësi e Vogël dhe Gexhë. (Objekti i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Skender Kastrati” në fshatin Malësi e Vogël, ora 19:00)

- Komuna e Rahovecit mban dëgjim publik me banorët të fshatrave Ratkoc, Dejnë, Vrajak dhe Bratotin. (Objekti i Shkollës  Fillore të Mesme të Ulët “4 Dëshmorët” në fshatin Ratkoc, ora 20:00)