03 Shkurt 2023

ZKA gjen mangësi të shumta në ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale

Prishtinë, 30 gusht - Procesi i ndërtimit dhe përmirësimit të rrugëve rajonale dhe lokale gjatë periudhës 2017-2019 për të cilin janë shpenzuar mbi 343 milionë euro, është përcjellë me mangësi të shumta dhe vonesa nga tri deri në pesë vjet.

Ky është konkluzioni i përgjithshëm i auditimit të Raportit të Performancës “Vlera për para në ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale” i Zyrës Kombëtare të Auditimit që është publikuar të hënën.

Ky auditim kishte për qëllim vlerësimin nëse rrugët e ndërtuara përfundohen me kohë, me cilësi sipas standardeve dhe nëse është arritur vlera për para. Subjekte të auditimit kanë qenë Ministria e Infrastrukturës, Komuna e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt dhe e Malishevës.

Rezultatet e auditimit tregojnë se ndërtimi rrugëve lokale dhe rajonale është karakterizuar me dobësi të shumta duke filluar nga mungesa e analizës kosto-përfitime, planifikimi jo adekuat i aktiviteteve, buxhetimi i pamjaftueshëm i fondeve, probleme me shpronësime si dhe problemet me hartimin e projekteve kryesore dhe paqartësi sa i përket referimit në standarde të ndërtimit të rrugëve.

Për pasojë, ndërtimi i rrugëve ishte përcjellë me vonesa nga tri deri në pesë vite prandaj në shumicën e projekteve të audituara nuk është siguruar vlera më e mirë për para.  

Auditimi ka identifikuar se Ministria e Infrastrukturës dhe komunat e audituara kishin shpallur tenderë pa u siguruar se janë plotësuar parakushtet për fillimin e tyre përfshirë edhe mospërfundimin e shpronësimeve.

Edhe inicimi i aktivitetit të prokurimit dhe lidhja e kontratave është bërë në kohë të papërshtatshme gjë që kishte pamundësuar zbatimin e tyre me kohë.

Mandej nuk kishin buxhetuar fonde të mjaftueshme për të siguruar zbatimin e pandërprerë të kontratave, mirëpo këto fonde ishin vënë në dispozicion vetëm pas dy apo tri vitesh.

Po ashtu procesi i auditimit ka nxjerr në pah mangësi edhe në hartimin  e projekteve kryesore, me ç’rast disa rrugë ishin ndërtuar duke u bazuar vetëm në paramasë. Për pasojë, në disa raste, ishin bërë punë shtesë, duke krijuar kështu edhe shpenzime shtesë.

Përveç këtyre çështjeve auditimi ka identifikuar edhe disa mangësi të përbashkëta rreth pajtueshmërisë me kërkesat ligjore në procesin e ndërtimit të rrugëve.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka deklaruar se cilësia e mirë e punimeve në rrugë është e rëndësishme si për sigurinë ashtu edhe për arsyet e zhvillimit ekonomik.

Prandaj bazuar në mangësitë e identifikuara, përmirësimet në procesin e ndërtimit të rrugëve janë të domosdoshme dhe për të eliminuar mangësitë në këtë proces duhet të ndërmerren veprime konkrete.  

Me qëllim të adresimit të gjetjeve dhe përmirësimit të procesit, Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë nëntë rekomandime për Ministrinë e Infrastrukturës,  Komunën e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt dhe Malishevës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 shkurt 2023  - Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 9:00)

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite do të jetë falja e tatimit në pronë në vlerën deri 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e kësaj komune, për vitin 2023. (Salla e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ora 10:00)

- Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës mban konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve teknik të Sektorit Privat te Kosovës dhe dialogu me qeverinë dhe institucionet tjera të Kosovës. (Zyrët e Sindikatës, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së në Prizren, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore, si dhe shqyrton listën e kandidatëve për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekuiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 13:30)

- Prezantohet puna e kryer rreth vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara të cilat kanë folur hapur për historitë e tyre të, abuzimeve seksuale, dhunës fizike, dhunës psikike, keqtrajtimeve, ofendimeve dhe diskriminimeve. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:30)