04 Dhjetor 2020

RTK tenton te zgjedh në krye të financave dhe administratës një menaxher restauranti

Prishtinë, 20 nëntor - Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit te Kosovës (SPRTK) ka njoftuar se identifikuar parregullsinë e radhës nga Menaxhmenti i RTK-së.

Kjo ka të bëjë me konkursin për pozitën Udhëheqës i Shërbimeve të Përbashkëta, ku hyjnë njësitë më vitale të RTK-së, siç janë Financat, Administrata, Burimet Njerëzore, Zyra ligjore etj.Në konkursin për këtë pozitë kanë aplikuar tre kandidatë, dhe sipas informatave që posedon Sindikata asnjëri nga ta nuk i ka plotësuar kriteret e konkursit.

Dy prej kandidatëtve që kanë aplikuar për këtë pozitë sipas SPRTK-së janë të kualifikuar për histori dhe gazetari, ndërsa kandidati i tretë ka përvojë në menaxhim të restaoranteve.

"Sipas ligjeve të aplikuara në vendin tonë, konkursi shpallet i pavlefshëm nëse nuk aplikojnë së paku tre kandidatë që i plotësojnë kushtet e kërkuara me konkurs'', thekson SPRTK.

 Në publikimin e konkursit për këtë pozitë, më poshtë i gjeni disa prej kushteve që janë kërkuar, e që nuk i ka plotësuar asnjëri prej aplikuesve:

- Kualifikim superior profesional në drejtimin juridik apo në menaxhim biznesi;                             

- Të paktën pesë vjetë përvojë pune në menaxhimin e mediave apo fushave tjera relevante (përparësi kanë kandidatët me përvojë më të gjatë).

SPRTK konsideron se bazuar në kriteret e përcaktuara, ky konkurs do të duhej të anulohej, dhe jo të procedohej tutje siç ka vepruar Menaxhmenti i RTK-së, duke i ftuar kandidatët që t'i nënshtrohen testit me shkrim i cili u realizua dje.

''Paligjshmërisë së këtij procesi i dha vulë mosgatishmëria e Menaxhmentit për t'i lejuar qasje përfaqësuesit të Sindiktës në dosjen e aplikantëve'', vlerëson SPRTK.

Prej funksionalizimit të ligjit të Punës dhe Kontratës Kolektive të RTK-së, kjo është hera e parë që një Menaxhment i RTK-së, pasi e fton Sindikatën që ta vëzhgojë procesin e konkursit, nuk i ofron asaj qasje në dokumentacionin e aplikantëve.

Nëse pengohet qasja në dosjen e aplikantëve atëherë cili është efekti i vëzhgimit të procesit nga Sindikata?!

SPRTK kërkon nga drejtuesit e RTK-së anulimin e menjëhershëm të këtij konkursi.

SPRTK kërkon po ashtu qe prokuroria e shtetit ta hetojë me urgjencë këtë proces të paligjshëm dhe shumë të dëmshëm për Transmetuesin Publik.

SPRTK në ditët në vijim, përmes një konference për medie do t'i publikojë dëshmitë që flasin për lidhjet e këtij personi me njerëz të fuqishëm të politikës, si dhe të gjitha parregullsitë dhe veprimet e kundërligjshme në RTK.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Dhjetor 2020 - Mbahet seanca fillestare për rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, departamenti Special - krimet e rënda me c'rast avokati mbrojtës do te jep deklaratë për mediet pas seancës. (Gjykata Themelore në Prishtinë, ora 9:30)

- Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti do të mbaj një takim virtual me presidentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Alexis Mourre dhe Drejtoreshën e Komisionit të Arbitrazhit për Evropë, Laetitia de Montalivet. (Takim virtual, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Emilja Redzepi, do të bëjnë nënshkrimin e kontratave me përfituesit e thirrjes për përkrahjen e OJQ-ve dhe individëve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:00)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime organizon aktivitetin “Tuneli i Fundit” në përkujtim të grave të vrara si pasojë e dhunës në familje në pesë vitet e fundit në Kosovë, dita e dytë. (Përballë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton shkresën e Artan Qerkinit përfaqësues i Malcolm Simmons, ish kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, “Përgjigje në ftesën për të dëshmuar para Komisionit për Legjislacion” si dhe njoftohet me shkresën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Tomas Szunyong, për emërimin e Karin Hernmark Ahliny, Ambasador i Suedisë, anëtar i Bordit  Mbikëqyrës  të Agjencisë Kosovare për Verifikim dhe Krahasim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:15)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston Ministrin e Ministrisë së Infrastrukturës Arban Abrashin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit te Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Organizata Etea dhe Aleanca Franceze në Prishtinë me mbështetjen e Ambasadës Franceze do të mbajnë takimin e parë të huazimit të librave. (Tek objekti i Aleancës Franceze, ora 11:00)

- Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) mban konferencë për medie lidhur me një hetim ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e energjisë elektrike. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, ora 11:15)

- Kryetari i Delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli dhe ai i delegacionit të Serbisë Veljko Odalovic do të mbajnë konferencë për media lidhur me varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. (Lokacioni i varrezës masive në Kizhevak  të Serbisë, ora 12:00)

- Shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarit N. M., i cili akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, për veprën penale “vrasje e rëndë” pasi qe në  fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, i pandehuri dyshohet që pas mosmarrëveshjeve familjare, me një mjet të fortë - shufër metalike, godet bashkëshorten e tij në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtoren e Insitutit Hidrometeorologjik të Kosovës Letafete Latifi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë plotëson listën e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike mban konferencë për media me rastin e dorëzimit të padisë për konflikt administrativ kundër vendimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji”. (Para Pallatit të Drejtësisë, ndërtesa A, ora 14:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla pret në takim ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj ku pjesë e takimit do të jenë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. (Objekti i MPJD-së, ora 14:00)