18 Nëntor 2019

Radio Gjakova shënon 40-vjetorin e nisjes së punës

Gjakovë, 9 nëntor - Radiostacioni lokal i Gjakovës, Radio Gjakova, shënon 40-vjetorin e nisjes së punës me një akademi solemne “Radio Gjakova 40 vjet me ju!” që mbahet sot në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë.

Qyteti i Gjakovës i njohur për traditën që ka në fushën e arsimit dhe të kulturës ndër shekuj, në mbarim të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar u pasurua edhe me mediumin e parë radiofonik, “Radio Gjakovën”, që u themelua nga Kuvendi i komunës.

Nga kjo periudhë e konstituimit të radiostacionit të parë në Gjakovë e deri më sot, kanë rrjedhur shumë ngjarje me të cilat është e lidhur ngushtë Radio Gjakova, duke qenë pjesë e përditshmërisë gjakovare, ashtu siç është e lidhur edhe historia e qytetit për tri dekada, nga se frymëmarrja e qytetit është pasqyruar përmes emisioneve dhe programeve të përgatitura në këtë medium informativ dhe argëtues.

Radio Gjakova filloi të dëgjohet në eter më 9 nëntor të vitit 1979 si medium i parë i informimit lokal në Gjakovë.

Që nga ajo ditë, zëri i Radio Gjakovës u bë pjesë e pandashme e përditshmërisë gjakovare, duke pasqyruar në mënyrë të denjë dhe të besueshme realitetin dhe rrjedhën e ngjarjeve në komunë, deri më 1991 kur nga forcat serbe u dëbuan me dhunë nga puna, duke u imponuar qytetarëve të Gjakovës, me afro 97 % shqiptarë, radio program në gjuhën serbe.

Me hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë dhe të UÇK-së, më 14 Qershor 1999, Radio Gjakova ishte e para radio në Kosovë, që rifilloi punën duke i dhënë kështu popullatës një ndihmesë të madhe, në të gjitha drejtimet, në fazën e emergjencës.

Radio Gjakova, sot, funksionon në kuadër të OJQ “GJAKOVA” me seli në Gjakovë, e themeluar më 3 shtator 2001. Themelues të kësaj organizate janë punëtorët e radiostacionit lokal Radio Gjakova, i cili me plot sukses, po arrin të kryej misionin për informim të drejtë dhe me kohë të dëgjuesve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 nëntor 2019

- Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencë për media në të cilën do të prezentojë hulumtimin rreth opinionit të bizneseve për marrëveshjen Kosovë-Serbi. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 9:00)

- Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU! me përkrahjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës përmes Programit Matra organizon tryezë në të cilën do të publikohet raporti me titull Qasja në Drejtësi. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Qendra e Inovacionit të Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizojnë ceremoninë e hapjes së Javës Globale të Ndërmarrësisë 2019 në Kosovë. (Menza "Ramiz Sadiku" në Prishtinë, ora 10:00)

- Grupi Tematik për të Drejtat e Fëmijëve në Shëndetësi në kuadër të Koalicionit te OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve organizon konferencën për media në te cilën do të prezantojë një dokumet me të dhëna dhe rekomandime për mbrojtjen e ambientit në Kosovë. (Qendra e Resurseve për OSHC, Forumi për Iniciativa Qytetare në Lagjen Pejton, ora 10:00) 

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it do të organizojë tryezë me titull “Pandëshkueshmëria e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit organizon prezantimin e studimit per Çështjen e Kompleksit të Trepçës dhe Çështjen e Reparacioneve për Krimet e Luftës të kryera në Kosovë në Kontekstin e ‘Finales së Madhe’ eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me PPSE Swisscontact dhe SHB Sharri përuron shtegun turistik të ri Via Ferrata "Panorama". (Gryka e Lumbardhit, 4.5 km nga qendra e qytetit, ora 11:00 - transporti i organizuar nga Komuna e Prizrenit, nisja nga Shtëpia e Bardhë, ora 10:30)

- Në kuadër të aktivitet kulturor kushtuar "Ditet e Alfabetit", promovohet botimi 'Levizja Protestante te shqiptaret 1818-1908" te autorit prof. dr. David Hosaflook. (Biblioteka Kombetare "Pjeter Bogdani", ora 10:30)

- Muzeu Kombëtar i Kosovës hap ekspozitën “Bienalen e Akuarelit Edicioni i 2-të” e cila sjellë vepra arti të artisëve nga 70 vende të botës me rreth 380 piktura. (Muzeu Kombëtar, ora 19:00)

 

- Në kuadër të projektit ' Tell Me More' të perkrahur nga MKRS dhe DKRS dhe të implementuar nga Kuvendi i të Rinjve të Prizrenit do të realizohet shfaqja teatrale në Shtepinë e Kulturës " Xhemajli Berisha ". (Shtëpia e Kulturës në Prizren, ora 20:00)