19 Mars 2024

Portalet fiktive që zhvaten Telekomin në emër të mediave

Prishtinë, 21 shkurt - Më shumë se 30 milionë euro të Telekomit të Kosovës janë shpenzuar gjatë 14 vjetëve në reklama dhe sponsorizime  për media, një pjesë e të cilave janë të lidhura me politikën.

Edhe pse në Këshillin e Mediave të Shkruara janë të regjistruara vetëm 33 mediume, Telekomi u ka dhënë kontrata hiç më pak se 116 portaleve dhe mediumeve online.

Në mesin e atyre që përfituan, janë edhe bizneset e politikanëve përfshirë biznesin e vëllait të ish-Kryeministrit, Ramush Haradinaj, ndërsa përfitime patën edhe biznese  të deputetëve dhe figurave të tjera politike, sidomos të PDK-së.

Të dhënat financiare të Telekomit të Kosovës tregojnë se kompania dha 30 milionë e 386 mijë e 740 euro në emër të  këtyre shërbimeve. Telekomi i Kosovës deri në vitin 2012 ka qenë së bashku me Postën e Kosovës dhe njihej me emrin Posta dhe Telekomi i Kosovës- PTK.

Vetëm për mediat online nga fundviti i 2015-tës e deri më tash, kjo kompani ka harxhuar hiç më pak se dy milionë e dyqindepesëdhjetë mijë euro për reklama dhe sponsorizime.

Financimi për portalin e Haradinajt

Agjencia për Informim Rajonal është themeluar në vitin 2017, 40 për qind e aksioneve të kompanisë janë në emër të vëllait të Ramush Haradinajt, Frashër Haradinaj, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve i përket Flamur Kelmendit.


I pretenduar si medium – portali nuk është i regjistruar në Këshillin e Mediave të Shkruara, por ky kriter nuk e ka penguar Telekomin e Kosovës që t’i ofrojë para.

Në kohën kur Telekomi udhëhiqej nga Gent Begolli, i emëruar i ish-kryeminsitrit Ramush Haradinajt në Telekom, mori vendim që ta mbështesë dhe t’i paguajë agjencisë nga 1,500 euro për muaj.

Sipas të dhënave të ofruara nga Telekomi i Kosovës më 2018-n, portali kontraktoj 7, 550 euro, derisa për vitin 2019-s kontratktoj 6,650 euro.

Dokumente financiare të siguruara gjatë hulumtimit tregojnë që pagesat për këtë portal kanë nisur të bëhen nga nëntori i 2018, dhe fatura e fundit i është paguar me 17 janar 2020. Në total i janë paguar 15,700 euro.

Frashër Haradinaj, është vëllai i gjashtë i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe deputetit Daut Haradinaj, dhe bashkëshort i Vesmira Haradinajt, e cila në fillim të 2019-s u emërua zëvendësdrejtoreshë e Financave në këtë kompani publike, punësimi i së cilës u bë pa u shpallur fare konkurs dhe në mënyrë të parregullt. Vesmira, aktualisht, është avancuar në pozitën e drejtoreshës së marketingut në Telekom.

Flamur Kelmendi ka pranuar se është ortak me vëllain e ish-kryeministrit Haradinaj,  Frashërin, dhe po ashtu ka konfirmuar marrëveshjen që e kanë pasur me Telekomin.

“Kemi marrë afërsisht 1,500 euro në muaj, sikurse të gjitha portalet e tjera që kanë marrë para për reklama. Marrëveshja ka përfunduar dhe ka qenë njëvjeçare”, ka thënë Kelmendi.

Në qeverisjen Haradinaj, edhe fonde të tjera të ndërmarrjes publike shkuan në kontot e kompanive të njerëzve të lidhur me AAK-në.

Hulumtimi zbardh se drejtori i Bordit të AKP-së, Valon Tolaj, pronar i një ueb-i dhe ish-zyrtarë i lartë i AAK-së së Haradinajt, përfitoi mijëra euro nga Telekomi.

Tolaj ka në posedim 25 për qind të aksioneve në një biznes të regjistruar si URBAN MAG.Net SHPK. Ky portal, bazuar në dëshmitë e ofruara nga Telekomi, gjatë viteve 2018-të dhe 2019 ka kontraktuar 20 mijë e 532 euro. Paratë janë ndarë 9 mijë e 466 në  vitin e 2018 e 11 mijë e 60 në vitin 2019.

Ish-sekretari AAK-së, tani drejtor i Bordit të AKP-së, Valon Tolaj, nuk e ka mohuar pronësinë e as faktet se ka përfituar nga ndërmarrja që udhëhiqej nga bashkëpartiaku i tij, Gent Begolli.

“Pronësia prej 25 për qind dhe kufizimet tjera ligjore, nuk më lejojnë të merrem me menaxhimin e biznesit. Kjo nënkupton se nuk e kam idenë sa është shuma e marrë jo vetëm nga Telekomi, por as nga marrëveshjet e tjera”, ka thënë Valon Tolaj.

Vetë Tolaj ka thënë se përgjegjës për ueb-in, i cili, sipas tij, i dedikohet arkitekturës dhe dizajnit, është Arlind Dërmaku, që posedon shumicën e aksioneve.

Pronari tjetër i portalit, Dërmaku, nuk u është përgjigjur kërkesave telefonike dhe me email, për të dhënë sqarime për paratë e marra nga Telekomi.

Një medium tjetër i paregjistruar në KMShK, e i cili ka përfituar nga kontratat me Telekomin është edhe “Istogu Portal’.

Biznesi ka nisur të shpërndajë lajme që nga janari i 2019-s, dhe që në javët e para kontratë në vlerë prej 9 mijë  e 500 euro nga Telekomi i Kosovës.

Biznesi figuron në pronësi të Agron Gashit dhe Arianit Qorrajt.  Që të dy bazuar në aktivitetin e tyre në rrjetet sociale, janë të afërt dhe mbështetës me AAK-në dhe Bekë Berishën, i cili është bashkëshorti i kryetares së Bordit të Telekomit, Besa Shatri -Berisha.

Të kontaktuar gjatë hulumtimit Gashi e Qorraj nuk kanë pranuar të flasin.

Paratë për portalet e njerëzve të PDK-së dhe punonjësve të Telekom

Hulumtimi zbardh se Telekomi ka derdhur në konton e biznesit të zyrtarit të PDK-së Driton Avdiu, rreth 34 mijë euro.

SHPK Media Group Republika, është në pronësi të plotë të Avdiut, pasi ai e bleu atë nga gazetari Besnik Batusha.

Nga korriku i vitit 2018 deri në korrikun e 2019-s, ky biznes ka përfituar nga 2,900 euro në muaj apo në total  rreth 34 mijë 800 euro për dy vite.

Avdiu nuk ka dashur të përgjigjet në pyetjet rreth kontratës me Telekomin dhe për atë se ku janë shfaqur reklamat që silleshin rreth 3 mijë euro në muaj.

LajmiExpress është një portal tjetër që, nga viti 2015 ka marrë 29 mijë euro nga  Telekomi. Pronarja e portalit, Kaltrina Kajtazi, që është vajza e ish-deputetit të PDK-së dhe ish-zëvendësministrit Kurtan Kajtazi, është punësuar në këtë ndërmarrje në mars të 2019-s.

“Kohavisioni” ka kontaktuar me Kajtazin, e cila kishte pranuar se para pak kohësh është punësuar në Telekom, derisa nuk është përgjigjur për kontratën tjetër që ka me ndërmarrjen, vlera e së cilës aktualisht është 28 mijë e 950 euro. 

“Qysh me” është një tjetër portal tjetër i lidhur me familjarë të njerëzve të PDK-së e që ka përfituar rreth 20 mijë euro nga fondet e Telekomit. 33% të aksioneve në këtë portal janë në pronësi të Uranik Begut, djalit të deputetes së PDK-së Flora Brovina.

Begu ka pranuar se ka qenë njëri ndër aksionarët e “Qysh me” dhe sipas tij ata kanë marrë kontratën nga Telekomi, për kryerjen e disa shërbimeve dhe për reklama.

“Ne kemi bërë disa artikujve manual se si të përdorën shërbimet e Telekomit por kemi pas dhe reklama. Përafërsisht kemi kryer shërbime për rreth 3 vjet. Por, portali sivjet është shitur si storje e suksesit. Unë kam qenë vetëm njëri nga aksionaret dhe nuk kam marrë pjesë në nënshkrimin e kontratës me Telekomin.”

Gazeta Infopress, e cila qe hapur më 2006-n nga ish-deputeti i PDK-së, dhe ish-koordinator për Arsim në Qeverinë Haradinaj, Rexhep Hoti, për tre vjet, nga viti 2016 deri më 2018, mori 68,330 euro. Në të dhënat e ARBK-së, ky medium figuron në pronësi të Arjeta Hysenit. Ndërkaq, Hoti ka deklaruara se që nga viti 2012 Infopress më nuk është në pronësi të tij.

Biznesi tjetër i afërt me Hotin është Televizoni Tribuna që ka marrë rreth gjysmë milioni euro dhe portali Tribuna, portal ky që është në pronësi të Besiana Hotit, e bija e Rexhep Hoti, portali për këto vite ka përfituar 35 mijë e 400 euro nga kontratat me Telekomin.

Sejdi Demiri është zotuar se do të na i konfirmojë të dhënat përmes emailit, por që ka thënë se i duhet kohë për ta bërë një gjë të tillë.

“Unë jam pronari dhe nuk merrem me reklama, nuk e di saktë, jep pak kohë dhe do të njoftojë. Nuk e besoj që qëndron që i kemi marrë aq para për televizion.”

Të hyra nga Telekomi kishte edhe biznesin i familjes Pacolli, Arbëresh.Info.

Biznesi i drejtuar nga Rrahim Pacolli familjar i Behxhet Pacollit nga viti 2015 deri në 2018 ka marrë një shumë prej 39 mijë eurosh.

Ish-deputeti i Nismës, Milaim Zeka, më 2016 mori reklama nga Telekomi në vlerë prej 6,300 eurosh, ndërsa në vitin pasues, 2017 ato ranë në 5,100 euro. Këto u dhanë për Qendrën Mediale “Mozaik Kosova”, e cila statusin aktual e ka të shuar.

Ndërkohë, që bashkëshortja e Zekës, Edlira Qefaliaj, një tjetër media online e hapi në gushtin e vitit 2017 “Mozaiku”, që nga Telekomi po atë vit mori 1,700 euro, për të pësuar rritje gjatë 2018-s me 6,937 euro. Ndërsa, gjatë këtij viti, Telekomi u pagoi atyre 2,400 euro deri më sot. Në total mediat e regjistruara në emër të gruas së Zekës morën 21,800 euro.

Paratë për portalet e tjera

Një tjetër biznes me shuma të mëdha të parave të fituara është edhe KosovaLajmi aktualisht pronë e Valon Bahtirit.

Portali ishte hapur në qershor të 2018-s dhe në 6 muajt e parë mori nga 4 mijë euro në muaj apo 22,758 euro për 6 muaj. Për vitin 2019, sipas të dhënave të Telekomit, KosovaLajmi mori 19,250 euro, në total 42 mijë euro.

Fillimisht, portali, sipas të dhënave të ARBK-së, ishte në emër të Jeton Isufit dhe personi i autorizuar ishte Haris Ademi, tani gazetar në Klan Kosova, derisa tash ka kaluar në pronësi të Valon Bahtirit. Gazetari Ademi ka sqaruar se nuk ka më lidhje me këtë biznes. “Angazhimi im në këtë portal ka qenë në kohën kur unë kam qenë student ndërsa prej korrikut 2018  nuk kam asnjë lidhje me këtë portal ku unë vetëm kanë punuar me pagë mujore” ka thënë Azemi në në bisedë telefonike.

Ish-pronari i KosovaLajmit, Jeton Isufi, ka theksuar se ka hequr dorë nga ky biznes menjëherë pas hapjes së portalit dhe se atë ia ka falur Valon Bahtirit.

“Unë vetëm e kam hapur atë portal, kur e pashë që nuk po ec, ia kam dhënë një djali, Valon Bahtiri më duket e ka emrin. Ia kam falur atë, nuk ia kam shitur, unë nuk e di nëse ka ndonjë kontratë me dikë, moti është kjo punë”, ka thënë Jeton Isufi.

Ndërkaq, vetë Valon Bahtiri ka kërkuar kohë për t’u përgjigjur rreth pyetjeve për kontratën nga Telekomi. Por, më pas nuk është bërë i gjallë.

Të dhënat tregojnë se së paku 116 media online apo portale, morën reklama nga Telekomi, e shumat më të mëdha ishin në vitet 2016-2017, kur Telekomi u dha mediave reklama në vlerë 555 mijë euro, respektivisht 556 mijë euro, ndërsa në atë kohë ndërmarrja menaxhohej nga Agron Mustafa.

Sidoqoftë, më i paguari del të jetë portali Lajmi.net i Pleurat Hailit, i cili mori rreth 120 mijë euro, për të vazhduar me Agjencinë e Lajmeve Kosovapress me 90 mijë euro. Sidoqoftë, Kosovapress, paratë i ka arsyetuar me faktin që si Agjenci e Pavarur e Lajmeve, ofron një mori produktesh në treg, duke nisur që nga abonim i lajmeve dhe fotove, realizimi i video-spoteve dhe emisioneve për media e deri tek ofrimi i hapësirave reklamuese.

Portali IndeksOnline, i Faton Shoshit, i cili përgjatë viteve 2014-2019, mori 75 mijë euro, gjatë menaxhimit të Telekomit nga Gent Begolli, edhe babai i tij, edhe pse në pension, u punësua si këshilltar i tij. Begolli dhe Shoshi kanë një biznes të përbashkët për shërbim të pijeve Piccuku O.P.

Ish-punëtori i PTK-së, Astrit Gashi, që udhëheq me portalin Blicmedia nga viti 2015 e deri më sot, ka marrë 82 mijë 830 euro.

Portali Insajderi, që është në pronësi të Parim Ollurit dhe Vehbi Kajtazit, sipas të dhënave zyrtare nga Telekomi, nga viti 2016 e deri më sot mori 81 mijë euro.

Ndërkaq, portalet e mediave nacionale, RTV21 dhe Koha.net, morën për gjithë këto vjet, 23 mijë e 800 euro, respektivisht 24 mijë e 194 euro.

Afrim Vitia, shef i marketingut në Koha.net, ka bërë të ditur se bazuar në reklamat që Telekom-PTK-Vala ka bërë në këtë portal, janë faturuar 24 mijë e 800 euro, por se pagesat janë bërë vetëm për 17,600 euro. Telekomi i ka borxh portalit Koha.net edhe 7 mijë e 200 euro. Të dhënat tregojnë se përgjatë këtyre viteve nga pagesat financiare për BIRN-in janë paguar 7,800 euro.

Gazeta Express në vitin 2018 mori 16 mijë euro, ndërsa në vitin 2019, mori 4,450 euro. Po Buzhala dhe ortakët e tij morën edhe 54,515 euro të tjera me Media Works. Përafërsisht 17 mijë euro në vit.

Infokus është një portal tjetër që ka marrë reklama nga Telekomi në vlerë prej rreth 70,000 eurosh, pronar i së cilës figuron Xhevë Dakaj.

Para në vlerë prej 26 mijë euro të tjera shkuan për portali EcoMedia në pronësi të Zekrija Shabanit dhe Avdyl Pajazitit, tash ortakë me vëllain e Xhevës, Shkelzen Dakajn që menaxhon me Infokus.

Tridhjetegjashtëmijë (36.000) euro mori edhe Agjencia e lajmeve EkonomiaOnline, ndërsa portalit tjetër ekonomik, EkonomiaNews, gjatë këtyre viteve në emër të reklamave iu paguan 38 mijë e 400 euro, portali është në emër të Genita Ukajt.

Metro Group, pronar i së cilës është Valon Syla, mori reklama nga Telekomi në dy vitet e fundit në vlerë prej 16,300 eurosh. Sylës nuk i ka pëlqyer fakti se po realizohet ky hulumtim duke e cilësuar jo etike që mediat të merren me media.

Rreth tre mijë euro më pak mori Periskopi i Ilir Mirenës ky mendium morri 13 mijë e 480 euro. Ilir Mirena para se të angazhohen në këtë medium  ka qenë zëvendësministër i Mjedisit në qeverisjen e PDK-së.

Nga Telekomi para morën edhe media online që nuk janë të regjistruara në Agjencinë e Bizneseve.

Njëra nga to është edhe  365 Ditë, një portal që shkruan rreth shëndetit, që përfitoi nga Telekomi gjatë periudhës 2015-2018 jo më pak se 23,760 euro.  Ndërsa, 29,180 të tjera shkuan për AMMA Media D.Sh, gjurmët e së cilës nuk mund t’i gjesh në ARBK.

Sovrani.Net në fillim mori vetëm 900 euro në vitin 2016, por paratë shkuan duke u rritur. Më 2017-n, mori 4,500, vlera në vitin pasues u rrit në 5,700 euro, ndërsa gjatë 2019-s,  sovrani.net nga ndërmarrja publike mori hiç më pak se 11,210 euro. Portali është i regjistrua në emër të Dionisa Haxhiavdylit.

Gazeta Investigimi SHPK, u regjistrua në nëntorin e 2018 në ARBK, dhe që në start mori reklamat e para me vlerë 1,350 euro. Por gjatë 2019-tës pagesa për ta u rrit në 8,300 euro. Ky medium është në pronësi të Xhemajl Ademit.

Pak ditë para se Ademi të regjistronte median e tij, Kosovës iu shtua edhe një tjetër media online. Florent Zeqaj, gazetar në Klan Kosova, hapi portalin e tij TelegramiSot, e me të cilin përfitoi 4,900 për vitin 2019. Portali tjeter Telegrafi.com në vitet 2015-2019 ka pranuar 79,100 euro.

Zeqaj e ka konfirmuar shifrën, duke theksuar se kontrata ka qenë për tre muaj dhe nuk e kanë vazhduar tutje.

Telekomi nuk ka prezantuar të dhënat për portalin Gazeta Rinia, në pronësi të Izet

Shalës nga Peja. Gjatë këtij hulumtimi janë siguruar  prova mbi pagesat që kjo ndërmarrje i ka bërë këtij portali. Portali, i cili ka përmbajtje edukative dhe flet kryesisht rreth drogës, reklamën mujore e ka nga 750 euro. Faturat i janë paguar nga muaji shkurt i 2019-s e deri në korrik, në një total prej 16,041 eurosh.

Shala ka pranuar se i kanë marrë këto para për reklama dhe për një dokumentar që për tematikë kishte drogën.

Telekomi nuk ka sqaruar për sh përputhjet e të dhënave, por se bazuar në hulumtimin dhe burimet interne lista e prezantuar nga Telekomi në Komisionin Parlamentar për hetimin e PTK-s dhe të dhënat e ofruara nga ta, janë vetëm paratë që deri me tani ua janë paguar mediave. Pra, aty nuk hyjnë edhe faturat e papaguara, apo ato që Telekomi u ka mbetur borxh atyre.

Menaxhmenti aktual i Telekomi nuk ka dashur te marrë përgjegjësi për këto kontrata por ka theksuar se, “menaxhmenti i ri ka ndërruar në tërësi qasjen sa i përket marrjes në shfrytëzim të hapësirave reklamuese ku për nënshkrimin e kontratave të reja, do të përdoren kritere vlerësuese për secilin veç e veç”.

Ndërkohë që ish- Kryeshefi i Telekomit Agron Mustaf i ka arsyetuar kontratat me faktin se Telekomi  ka pasur nevojë t’i reklamojë produktet e saja.

“Telekomi për të marketuar produktet e veta dhe të depërtimit deri tek klienti fundor, ka pasë nevojë të marrjes me qira të hapësirave reklamuese në mediume të ndryshme, qofshin ato televizive, online-portale, rrjete sociale apo edhe billboarda, me qëllim të informimit dhe promovimit të produkteve tek klientët fundorë. Kjo ka qenë baza kryesore, që konsideroj se është bazë fundamentale e secilit biznes në treg me rastin e tentim shitjes së produkteve të veta.”

Mustafa nuk ka komentuar financimet të cilat kanë shkuar për portalet e lidhura me partitë politike por është arsyetuar se të gjitha kontratat janë nënshkruar duke kaluar në departamentin e Marketingut, Prokurimit, Financës, Ligjor

Drejtori tjetër Gent Begolli nuk ka pranuar të flasë për këtë temë duke e quajtur proces të mbyllur.

Ky botim është mundësuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Ardiana Thaçi Mehmeti dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së.

/marrë nga koha.net/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)