23 Janar 2020

Ministri Mustafa i shqetësuar me shtimin e aksidenteve në trafik

Prishtinë, 4 dhjetor - Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka mbajtur takim me kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, ministri Mustafa theksoi se ky takim është i një rëndësie të veçantë sepse krijon mundësi për dëgjimin e të arriturave dhe sfidave nëpër komunat e Republikës së Kosovës.

Fillimisht, temë diskutimi ishte procesi i riatdhesimit dhe ri-integrimit të qytetarëve të kthyer nga Siria.

Ministri Mustafa para të pranishmëve bëri të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme, në përkrahje të institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, të përfshira në këtë proces, kanë dhënë asistencën e duhur në ri-integrimin dhe rehabilitimin e këtyre personave.

Gjithashtu, ministri Mustafa tha se në këtë proces po japin një kontribut të çmuar mekanizmat ndërkombëtar.

Më pas, u diskutua lidhur me çështjen e sigurisë, me theks të veçantë të sigurisë në trafik.

Lidhur me këtë temë, ministri Mustafa tha se është shumë shqetësues shtimi i aksidenteve në trafik, të cilat shpeshherë përfundojnë me fatalitet.

“Kjo çështje është shumë shqetësuese dhe është koha e fundit që institucionet të veprojnë konkretisht në minimizimin e këtij problemi”, tha ai duke shtuar se përgjegjësia kryesore bie mbi institucionet e vendit, por edhe shoqërisë në përgjithësi.

Në anën tjetër, zëvendës ambasadori i misionit të OSBE-së  në Kosovë, z. Kilian Wahl, tha se si mision kanë  mbështetur themelimin dhe punën e forumeve lokale dhe komunale të sigurisë, në mënyrë që të ndërtohet një mekanizëm solid i besimit, respektimit dhe lidershipit të mirë në kuadër të policimit në komunitet dhe bashkësi.

Ai tha se puna e Policisë së Kosovës viteve të fundit ka kontribuar drejtpërsëdrejti në rritjen e sigurisë te të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe niveli i besimit të PK qëndron në 61 për qind që është një numër shumë i mirë krahasuar me vendet fqinje. 

“Shpresojmë që kjo përqindje të rritet edhe më tej. Ne duhet të rrisim përpjekjet tona që të përmirësojmë sigurinë dhe këtë ta bëjmë si përmes Këshillave Lokale të Sigurisë në Bashkësi dhe përmes Këshillave Komunale të Sigurisë në Bashkësi. 

Në fund, drejtori për Siguri Publike i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Mensur Hoti bëri një përmbledhje të përgjithshme të konferencës dhe vuri në dukje për format se si do të duhet të organizohet konferencat e ardhme me kryetarët e komunave.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 janar 2020 - Mbahet mbledhja e parë e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në komunën e Rahovecit për vitin 2020. (Salla e Kuvendit Komunal në Rahovec, ora 10:00)

- Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha dhe asambleisiti i komunës së Prishtinës, Leutrim Retkoceri, do të mbajnë konferencë për media lidhur me situaten rreth liqenit të Badovcit. (Zyret e Degës së PDK-së, afër stadiumit dhe ambasadës kroate, ora 11:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Prizrenit. (Shtëpia e Kulturës, ora 11:00)

- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pret në takim të dërguarin e posaçëm të ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Ambasadorin Richard Grenell. (Mediet mund të marrin pamje në fillim të takimit, ora 11:30)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane organizon sesionin e diskutimit me Ndihmës Asistentin e Sekretarit të Departamentit të Shtetit, Jorgan K. Andrews, Byroja Ndërkombëtare e Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:30)

- Promovohet partneriteti në mes të Kolegjit Iliria dhe Swiss UMEF University. (Kolegji Iliria, ora 12:00) 

-  Zëvendës-ndihmës sekretari i ShBA-ve Jorgen Andrews do të marrë pjesë në ceremoninë e dhurimit te donacionit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ku Byroja për Çështje ndërkombëtare të narkotikëve dhe zbatimit të ligjit pajisje me vlerë rreth 100,000.00 dollarë. (Shërbimi Korrektues in Kosovës, Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ora 14:00)

- Universiteti i Gjakovës "Fehmi Agani" organizon ceremoninë e diplomimit të studentëve. (Pallati i Kulturës "Asim Vokshi" në Gjakovë, ora 14:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Suharekës. (Shkolla e Mesme Profesionale "Abdyl Rama" në Shirokë, ora 14:30)

- Bëhet lansimi i platformës digjitale për pjesëmarrje të publikut, projekt ky i cili është realizuar në Komunën e Prizrenit, me financim të OSBE-së dhe e implementuar nga ana e kompanisë Appdec. (Shtëpia e Bardhë, ora 15:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën për media në të cilën do të publikohet “Indeksi i perceptimit të korrupsionit 2019” për Kosovën i përgatitur nga Transparency International. (Zyrat e KDI-së, ora 18:00) 

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të zhvillojë darkë pune me të Dërguarin e Posaçëm të Presidentit Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ambasadorin Richard Grenell. (Restoranti “Renaissance” në Prishtinë, ora 19:30)