16 Shtator 2019

BE shpreh shqetësimin për monopolin në homologim që shkakton kosto për popullin e Kosovës

Prishtinë, 19 qershor - Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, iu drejtua sot Komisionit për Ekonomi të Kuvendit për të ngritur shqetësimin për monopolin në homologimin e automjeteve dhe imponimin e barrierave jo-tarifore për automjetet e reja, duke i shkaktuar shpenzime të panevojshme popullit të Kosovës.

BE-ja është e shqetësuar se Udhëzimi Administrativ i Qeverisë 02/2018 për homologimin e automjeteve do të çojë në zgjatjen e monopolit, pasi rregullimi aktual nënkupton zgjatjen automatike të operatorit ekonomik i cili ka pasur marrëveshje ekskluzive që nga viti 2008. Kjo praktikë shkon kundër frymës së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (SAA) dhe krijon pengesa për tregti.

“Konkurrenca ndërmjet ofruesve të shërbimeve të homologimit do të ulë çmimin dhe do të mundësojë shërbime më të mira për popullin e Kosovës",  u tha ambasadorja Apostolova anëtarëve të Komisionit të Kuvendit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal. "Aktualisht, qytetarët paguajnë për një shërbim i cili është i disponueshëm vetëm në Prishtinë me një çmim shumë më të lartë se të tjerët në rajon.”

Ambasadorja Apostolova gjithashtu shprehu shqetësime lidhur me homologimin e detyrueshëm dhe verifikimin e certifikatave të konformitetit të automjeteve të reja me origjinë nga BE-ja. Pavarësisht se janë të pajisur me Certifikata të Konformitetit nga prodhuesit e BE-së, të gjitha automjetet e reja janë të detyruara të kalojnë nëpër procesin e homologimit dhe kontrollin e parë teknik në Kosovë.

"Kjo është kundër rregullave të konkurrencës së BE-së. Sipas legjislacionit të BE-së, automjetet e reja me homologim të vlefshëm në BE duhet të pranohen për shitje dhe regjistrim pa asnjë kontroll apo kosto shtesë. Kjo është pengesë serioze tregtare.”

Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës ka dhënë një rekomandim ku thuhet se sistemi i homologimit është në kundërshtim me konkurrencën e drejtë dhe BE-ja inkurajon fuqishëm Ministrinë e Infrastrukturës t'i kushtojë vëmendje të plotë opinionit profesional mbi homologimin e veturave të lëshuar nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

BE-ja është duke investuar përpjekje të mëdha dhe para për të mbështetur Kosovën në adresimin e praktikave monopoliste. Për këtë qëllim, BE-ja është duke financuar një projekt të asistencës teknike prej 3 milion euro për Konkurrencën dhe Ndihmën Shtetërore, i cili ka nisur në janar të këtij viti.

"Megjithatë, pa vullnet politik, pa udhëheqje të fortë nga autoritetet, ndryshimet nuk do të ndodhin", ua kujtoi ambasadorja Apostolova. "U bëj thirrje anëtarëve të Kuvendit që kanë funksion mbikëqyrës mbi Qeverinë dhe përfaqësojnë popullin e Kosovës, të sigurojnë që konsumatorët – qytetarët – të blejnë mallra dhe shërbime cilësore me çmimin më të mirë të mundshëm."

Qeveria e Kosovës është zotuar të zbatojë reformat e  lidhura me BE-në, duke u harmonizuar me standardet evropiane. Praktika e homologimit të automjeteve është e dëmshme për konsumatorët dhe është kundër frymës së MSA-së. Ndryshimi i praktikave të tilla është thelbësor për zbatim të suksesshëm të MSA-së, dhe më e rëndësishmja, është në interes të popullit të Kosovës, të cilët nuk duhet të detyrohen të paguajnë taksa të panevojshme.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 shtator 2019 - Fillon edicioni i dytë i konferencës më të madhe për zhvillimin e qëndrueshëm në rajon më temë 'Mbrojtja e mjedisit: kërkim për qeverisje të mirë dhe thirrje për bashkëpunim rajonal'. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, do të marr pjesë në përurimin ei analizave të reja laboratorike në QMF-në në Reçane, ku i pranishëm do të jetë edhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Visar Shehu.(Reçane, ora 9:30)

- Nën moton “Pjesëmarrja“, për të 11-in vit me radhë, Kuvendi i Republikës së Kosovës shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë ku qytetarë, studentë dhe nxënës do të vizitojnë ndërtesën e legjislativit të vendit dhe do të njihen me punën e përfaqësuesve të tyre të zgjedhur. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 9:30)

- Komuna e Prizrenit bën hapja e Javës 'Shtigjeve të Lirisë' ku do të ketë fjalë rasti edhe nga kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka. (Prizren, ora 10:30)

- Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë bëhet hapja e panairit të organizatave të shoqërisë civile. (Oborri i Kuvendit, ora 10:50)

- Partia Demokratike dega në Prizren, do të mbajë një koferencë për media. (Zyrët e PDK-së në Prizren, ora 11:00)

- Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë mbahet kuizi i demokracisë. (Holli i Kuvendit, ora 11:30)

- Lëvizja FOL organizon diskutimin e parë në kuadër të Forumit FOL Hapur me kandidatët për Kryeministër/e të Kosovës. E ftuara e parë do të jetë znj. Vjosa Osmani, Kandidate për Kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës. (Zyrat e Lëvizjes FOL, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, do të marr pjesë në aktivitetin në Nashec tek lapidari i komandantit Remzi Ademaj. (Nashec, ora 12:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, do të pres në takim Ministrin e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Naser Nuredini, me të cilin do të bisedojnë rreth bashkëpunimit mes dy shteteve në fushat përkatëse. (Kabineti i Ministrit Matoshi, ora 12:30)

- Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë mbahet debat publik “Transparenca dhe pjesëmarrja qytetare në Kuvend”.  (Ndërtesa e Kuvendit, salla 405, ora 13:30)

- Kandidatja e LDK-së për Kryeministre, Dr. Vjosa Osmani, takohet me strukturat dhe qytetarët e Istogut. (Qendra e qytetit te Istogut, ora 16:00)

- Mbahet ceremonia e varrimit të veprimtarit të shquar romë, Nexhip Menekshe. (Varrezat e Prizrenit, ora 16:00)

- Mbahet ceremonia solemne e hapjes zyrtare të zyrës së re qëndore të Bankës Raiffeisen. (Zyra e re ndodhet në rrugën Robert Doll, ora 17:30)

- Kandidatja e LDK-së për Kryeministre, Dr. Vjosa Osmani viziton vendlindjen e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, në Cerrcë dhe takohet me strukturat dhe banorët e fshatit.. (Fshati Cerrcë, ora 18:00)