14 Korrik 2020

Autostrada e Dukagjinit do të mund të prodhonte efekte te dëmshme

Prishtinë, 19 shkurt - Analiza e KDI-së e publikuar në tryezën e sotme kishte për qëllim të vlerësonte nëse vendimi i qeverisë së kaluar lidhur me investimin kapital “Autostrada e Dukagjinit” reflekton prioritetet dhe nevojat e qytetarëve të saj dhe nëse është i përballueshëm për kuletën e shtetit.

KDI tenton të hedhë dritë mbi këtë proces planifikimi dhe të analizojë se si ky projekt arriti të devijojë nga projeksioni fillestar për zgjerimin e rrugës ekzistuese në projekt për Autostradë.

Gjatë elaborimit të gjetjeve kryesore, Fjolla Uka nga KDI theksoi që ”vendimit të Qeverisë për projektin e Autostradës së Dukagjinit, nuk i kishte paraprirë një studim i fizibilitetit dhe një anlizë e kostove dhe përfitimeve, të cilat do të mbështesnin vendimin për ridestinimin e projektit, nga zgjerimi i rrugës ekzistuese në autostradë.

Për më tepër, ky investim nuk ishte paraparë në dokumentet strategjike si Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Plani i Qeverisë 2017-2019.

Këto dokumente mbështesin vetëm rikonstruimin e rrugës ekzistuese Istog – Pejë – Deçan – Gjakovë – Prizren (R-107).

Sipas KDI, jetësimi i këtij investimi do të mund të ndikonte negativisht në fusha tjera me prioritet të parapara me SKZH, si arsimi, shëndetësia, sundimi i ligjit e punësimi.

Sa për ilustrim, kostoja reale në raport me përfitimet e planifikuara në autostradën Arben Xhaferi ka treguar se ky investim ka pasur kosto më të lartë sesa përfitimet.

Edhe ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit e parashikuar të kushtojë mbi 1 miliardë euro do të mund të prodhonte efektet e njejta.
 
Ali Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës nga subjekti politik AAK, ka aryestuar këtë vendim të qeverisë me nevojën e investimeve në zonën e Dukagjinit që ka rreth 600,000 banorë dhe me konsultimet publike që janë mbajtur në këto komuna.

Ai vlerësoi se studimi është i vonuar, dhe kthimi në projeksionin për zgjerim nuk është i qëndrueshëm. Sipas tij,cenimi i këtij projekti është i dëmshëm për zhvillimin ekonomik të kësaj zone.
 
Betim Reçica, sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës, duke mbështetur ndërtimin e Autostradës në rëndësinë e lidhjes së rajonit me korridoret evropiane, tha që “nëse ky investim ndahet në segmente, nuk do të ndihej mungesa e investimeve në fusha tjera prioritare, dhe nëse do të menaxhohej mirë, nuk do të kishte efekt negativ në borxhin publik”.
 
Hajrullah Çeku, deputet i Kuvendit të Kosovës nga LVV tha që ka përpjekje që lidhur me këtë projekt të krijohet sentimenti anti-Dukagjin, ndërsa theksoi se megainvestimet si ky, ndonëse të nevojshme duhet të jenë rentabile. Ai vuri theks edhe në ndikimet mjedisore, sociale e kulturore që ndërtimin i autostradave mund te sjellë.
 
Ferat Shala, deputet i Kuvendit të Kosovës nga PDK theksoi se shkalla e kthimit  të investimeve nga autostrada, nuk është vetëm financiare, por edhe kulturore e sociale. Ai lidhi ndërtimin e saj me zhvillimin e turizmit në zonën e Dukagjinit dhe shtimin e sigurisë rrugore.
 
Përfaqësuesi i Këshillit të banorëve të Rahovecit, Suad Çmega përsëriti se MI kishte ndërruar variantin e trasesë fillestare së autostradës në diskutimin e tretë publik, me të cilin nuk ishin pajtuar banorët e Rahovecit, pasi që kyçja në autostradë ishte shumë larg.

Ai poashtu përmendi mbledhjen e 10,000 nënshkrimeve për të kundërshtuar këtë variant që nuk ishte marrë parasysh.
 
Shumica e të pranishmëve theksuan nevojën për depolitizim të debatit, ndërsa konfirmuan që për ketë projekt nuk kishte një plan të mirëfilltë fizibiliteti, e i cili është i domosdoshëm për vendim-marrje strategjike lidhur me investimet kapitale.

Tryeza është mbajtur në kudër të projektit “Përkrahja e shoqërisë civile në rritjen e mbikëqyrjes publike dhe llogaridhënies në institucionet publike”, që mbështetet nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 14 Korrik 2020 - Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit në të cilën raporton Kryeministri lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19. (Salla e Kuvendit, ora 10:00)

- Ministria e Infrastrukturës mban konferencë për media, në të cilën do të prezantohet raporti "Dekada e sigurisë 2010-2019" si dhe do të bëhet edhe prezantimi i përgatitur nga Policia e Kosovës, të ashtuquajtur:" Gjendja e sigurisë në trafikun rrugor". (Ndërtesa e Ministrisë sē Infrastrukturës, ora 10:00)

- Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë organizon konferencën online me temën “Sfidat në procedimin e krimeve të luftës në Kosovë-cila është rrugëdalja?” (zoom.us/j/93560389814, ora 10:30)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00)

 - Mbahet dëgjimi publik për përgatitjen e buxhetit për vitin 2021 dhe kornizës afatmesme 2021-2023 me grupin e Grave-Buxhetimi gjinor dhe të gjithë OJQ-të (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 15:00)

- Në prani të Ambasadorit Gjerman, Christian Heldt dhe drejtori të GIZ, David Oberhuber do të nënshkruhet një partneritet publik-privat midis GIZ dhe Kolegjit Heimerer me qëllimi zbatimin e masave të menaxhimit të higjienës sipas hulumtimit më të fundit të Covid-19 që do të rrisë në mënyrë të konsiderueshme sigurinë e pacientëve dhe stafit në spitalet publike në Kosovë dhe do të parandalojë përhapjen e koronavirusit brenda këtyre institucioneve. (Tek Kolegji Heimerer, ora 15:00)

- Mbahet dëgjimi publik me Biznese të komunës së Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 16:00)

-  Demokraci për Zhvillim organizon  sallonin e radhës me temën “Ndikimi i pandemisë në punësimin e grave”. (Përmes platformës Google Meet, ora 17:00)

-  Ambasada e Francës permes rrjeteve sociale kremton Festën kombëtare franceze. (https://www.facebook.com/FranceauKosovo/,  ora 18:00)