19 Mars 2024

Teleskopi James Webb më i fuqishmi i dërguar ndonjëherë në hapësirë

Florida, 17 janar - Teleskopi James Webb me vlerë 10 miliardë dollarë ka shpalosur tashmë plotësisht pasqyrën e tij.

Ky është hapi i fundit që i duhej teleskopit për të filluar nga përgatitjet për misionin e tij të vëzhgimit.

Pasardhësi i Teleskopit Hapësinor Hubble është tashmë gati për punë.

I nisur më 24 dhjetor, teleskopi hapi më 8 janar pasqyrën, duke ndërmarrë kështu edhe hapin e fundit për të filluar misionin e tij.

"James Webb" është teleskopi më i madh dhe më i fuqishëm astronomik që është dërguar ndonjëherë në hapësirë. Ai ka një projektim të ndërlikuar dhe një mision ambicioz.

Me një kosto prej 10 miliardë dollarësh, ai është gjithashtu edhe më i shtrenjti.

Teleskopi do të jetë në kërkim të dritës së zbehtë të yjeve dhe galaksive fillestare, duke ofruar kështu një pamje të krijimit të kozmosit.

Sytë e tij me rreze infra të kuqe do të vëzhgojnë vrimat e zeza dhe do të jenë në kërkim të botëve aliene, duke vëzhguar atmosferat e planeteve për ujë dhe shenja të tjera jete.

"Mbi të gjitha, do të diktojë galaksitë e para në univers, dhe do të përshkruajë atmosferën e eksoplaneteve përreth yjeve të tjerë", thotë Klaus Pontoppidan, shkencëtar i projektit për Teleskopin Hapësinor James Webb.

Teleskopi Webb ka përmasa shumë të mëdha - pasqyra e tij është sa disa parkinge makinash të marra së bashku, dhe streha e tij për diellin është sa një stadium tenisi.

"Për shkak se është kaq i madh dhe nuk e nxë raketa që e nis në hapësirë, u desh të palosej... Ka një pasqyrë gjigande kryesore të mbuluar me ar me rreth 6.4 metra. Duke qenë se nuk e nxë, ka dy lobe anësore, si veshë, që mbyllen të palosura dhe rihapen kur gjendet në hapësirë", thotë zoti Pontoppidan.

Teleskopi ka marrë emrin e personit që udhëhoqi NASA-n gjatë viteve të suksesshëm 1960. Me një peshë 7-ton, Teleskopi Hapësinor James Webb është 100 herë më i fuqishëm se teleskopi Hubble. Shikimi i tij me rreze infra të kuqe është aq i mprehtë sa mundet të diktojë gjurmën e nxehtësisë së një blete në Hënë.

Por ekspertëve nuk u pëlqen kur krahasohen dy teleskopët. Teleskopi Hubble, tashmë në moshën 31 vjeçare, fokusohet më shumë tek drita e dukshme ultraviolet.

"Teleskopi Hubble është prodhuar për të parë pjesë të universit që mund të shihen nga syri ynë, ndërsa teleskopi James Webb është prodhuar që të shohë në pjesën infra të kuqe të spektrit, që na jep një sërë informacionesh krejt të ndryshme për universin", thotë David J. Helfand, Dekan i Astronomisë në Universitetin e Kolumbias.

Teleskopi Webb do të përpiqet të shohë pas në kohë me pothuajse 13.7 miliardë vjet, pra vetëm 100 milionë vite pasi shpërthimi Big Bang formoi universin dhe yjet fillestarë.

Shkencëtarët mezi presin të shohin nëse galaksitë fillestare i ngjanin galaksisë tonë të Rrugës së Qumështit.

Duke qenë se është një teleskop me rreze infra të kuqe, James Webb ka nevojë për një tendë aq të madhe sa t'i mbrojë nga rrezet e diellit, dhe madje edhe nga reflektimet nga Toka, pasqyrën dhe instrumentat shkencore.

Nga momenti i aktivizimit, teleskopi do të ruajë ritmin e Tokës ndërsa rrotullohet rreth Diellit, dhe do të pozicionohet vazhdimisht në anën e errët të Tokës.

Do të duhen pesë muaj testimesh dhe kontrollesh përpara se instrumentat me rreze infra të kuqe të teleskopit Webb të futen në punë, ndoshta në muajin qershor.

"Kemi plane për vitin e parë, për gjërat që mendojmë se do të shohim; mendojmë se do të shohim galaksitë e para. Do të përshkruajmë atmosferat e ekso-planeteve, por dhe do të zbulojmë gjëra që nuk kishim idenë se ekzistonin deri më tani. Jemi shumë të ekzaltuar për zbulimet që priten", thotë shkencëtari Pontoppidan, nga Instituti Shkencor për Teleskopin Hapësinor, në Baltimore të shtetit amerikan Merilend, që menaxhon teleskopin Hubble dhe do të mbikqyrë edhe teleskopin Webb. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)