21 Shkurt 2018

SHBA akuzon 36 veta për krim kibernetik - dy prej tyre nga Kosova

Washington, 8 shkurt - Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se ka ngritur akuza kundër 36 personave, në mesin e tyre dy shqiptarë nga Kosova, të përfshirë në një skemë të mashtrimeve kibernetike dhe vjedhjeje identiteti që ka shkaktuar më shumë se 530 milionë dollarë humbje për konsumatorët, bizneset dhe institucionet financiare.

Rrjeti i krimit kibernetik që drejtonte një skemë të sofistikuar që lehtësonte blerjen dhe shitjen e numrave të Sigurimeve Shoqërore, ditëlindjet dhe fjalëkalimet që ishin vjedhur nga e gjithë bota.

Në akuzë thuhet se grupi punonte nën moton " In Fraud We Trust” (Në mashtrim besojmë - një lojë fjalësh me mbishkrimin në bankënotat e dollarit amerikan In God we trust) dhe ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34 vjeçar nga Ukraina.

Autoritetet thanë se pjesa më e madhe e anëtarëve të grupit nuk ishin takuar kurrë mes vete ndërsa e njihnin njëri tjetrin me nofkat në internet.

Nga 36 të akuzuarit, zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thanë se 13 janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara, Australi, Britaninë e Madhe, Francë, Itali, Kosovë dhe Serbi.

Të akuzuarit tjerë janë në arrati dhe hetimet janë duke vazhduar. Zëvendës ndihmës prokurori i përgjithshëm, David Rybicki, u tha gazetarëve se "dita e sotme shënon një hap të rëndësishëm në betejën kundër krimit kibernetik ndërkombëtarë".

Departamenti publikoi edhe listën e emrave të të akuzuarve ku janë edhe emrat e Besart Hoxhës 25 vjeçar që vepronte me nofkën “Pizza” dhe ai i Liridon Musliut 26 vjeçar, që vepronte me nofkat “Ccstore”, “Bowl” dhe “Hulk”./VoA

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Shkurt 2018 - Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri do të pres në takim anëtarët e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, për të shënuar Ditën Evropiane të Viktimave të Krimit. (Ndërtesa e Ministrisë së Drejtësisë, ora 9:00 - vetëm pamje)

- Instituti Demokratik i Kosovës - Transparency International Kosova organizon konferencën për media në të cilën do të publikohet “Indeksi i perceptimit të korrupsionit 2017” i përgatitur nga Transparency International. (Zyrat e KDI-së, Rr. ”Bajram Kelmendi” Nr.45, ora 10:00)

- Mbahet seanca e Kuvendit të Komunës së Gjilanit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ish objekti i gjykatës, ora 10:00)

- Zëvendësshefja e ambasadës së SHBA-ve, Colleen Hyland, do të flasë në ceremoninë e përfundimit të renovimit gjithëpërfshirës të shkollës së mesme “Bahri Haxha” që është financuar përmes një donacioni nga Programi i Ndihmës Humanitare të Komandës së SHBA-ve për Evropë dhe koordinuar nga Zyra për Koordinim të Mbrojtjes e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë. (Shkolla e mesme “Bahri Haxha” në Vushtrri, ora 10:30)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancën e jashtëzakonshme, për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Gjeneral Sir James Everard, zëvendës komandant suprem i forcave aleate për Evropë dhe nga admirali James Foggo III, komandant i komandës së forcave të përbashkëta aleate në Napoli mbajn konferencë të përbashkët për shtyp. (Porta Kryesore te selia e KFOR-it, kampi “Film City”, ora 11:00)

- Mbahet ceremonia e inagurimit të zyreve të reja të kompanisë KiKxxl & evroTarget LLC me seli në Prishtinë. (Adresa, rruga B “Alpet Shqipëtare”, p.n. ora 15:00)

- Me mbështetjen e kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, hapet e ekspozita  personale e Uta Ibrahimit, femra e parë shqiptare që u ngjit në majen më të lartë në tokë - Majen e  Everestit, në Himalaje, Nepal. (Galeria e Qytetit në Gjilan, ora 18:00)

- Galeria Qahili është nikoqire e Ekspozitës Ndërkombëtare të Fotografisë “Fokus 2017” ku do te paraqiten 55 artistë të fotografisë nga 20 shtete. (Galeria Qahili, ora 19:00)