28 Shtator 2020

Prokuroritë dhe Policia bëjnë ndërlidhjen e sistemeve elektronike

Prishtinë, 10 dhjetor - Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë lansuar ndërlidhjen e sistemeve për shkëmbimin e të dhënave në mënyrë elektronike, sistem ky, i cili është ndër më të avancuarit në rajon.  

Hapja e ceremonisë së lëshimit të këtij sistemi është bërë nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Fillimisht, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Hyseni, ka thënë gjatë kësaj ceremonie se digjitalizimi i procesit të punës në të gjitha prokuroritë e vendit është një ndër synimet e sistemit prokurorial, ngaqë do të rezultojë me një sistem prokurorial më transparent, llogaridhënës dhe të besueshëm, me ç’rast prokuroritë do të jenë shumë më efikase në procedurat dhe zbatimin e afateve kohore për zgjidhjen e lëndëve.

Me tej, Kryesuesi Hyseni, tha së ndërlidhjet e sistemit elektronik janë bërë me Regjistrin Civil dhe Regjistrin e Bizneseve, ndërsa, sot, bazuar në marrëveshjen dypalëshe të bashkëpunimit lëshohet ndërlidhja e sistemeve elektronike të prokurorive dhe Policisë së Kosovës.

“Nga kjo do të ketë përfitime të shumta për të dyja institucionet, duke filluar nga kursimi i kohës për dorëzimin e lëndëve në kopje fizike, kursimi që bëhet gjatë kopjimit të lëndëve, në pajisjet për skanimin e lëndëve dhe resurse të tjera dhe, ç'është më kryesorja nuk mund të humbin apo të fshihen të dhënat e dërguara dhe të pranuara”, ka theksuar Hyseni.

Ndërkaq, Drejtori i  Policisë, Qalaj, ka thënë se ndërlidhja e sistemeve elektronike me prokuroritë do të ketë ndikim shumë pozitiv në shumë drejtime për Policinë e Kosovës. Sipas tij, ngritja e transparencës, shpejtësia në komunikim, menaxhimi më i mirë i kohës dhe qasja më e lehtë e qytetarëve në informata janë vetëm disa nga elementet që këtë sistem e bëjnë shumë të rëndësishëm.

Rrjedhimisht për lidhjet e sistemeve elektronike në mes të prokurorive dhe Policisë së Kosovës, ka folur edhe Zëvendësambasadorja e Norvegjisë në Kosovë, Jenny Stenberg Sørvold, vendi i të cilës ka mbështetur financiarisht projektin për sistemin e menaxhimit elektronik të lëndëve (SMIL), e cila ka vlerësuar lart punën e bërë dhe mënyrën e realizimit të këtij projekti.

Sistemi prokurorial i Kosovës synon që të bëjë ndërlidhjen elektronike edhe me gjykatat dhe portalin e tij elektronik, me ç’rast qytetarët do të kenë mundësi të mëdha për të marrë informata me kohë për numrin e lëndëve të pranuara, të zgjidhura dhe të pazgjidhura, sipas periudhës së caktuar kohore dhe prokurorisë përkatëse.     
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 Shtator 2020 - Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:30)

-  Mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në të cilën do të bëhët shqyrtimi dhe plotësimi i Planit të Punës së Komisionit për sesionin vjeshtor. (Ndërtesa e Kuvendit, ora N10, ora 9:30)

-  Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim organizon aksionin protestues "Kundër plagjiaturës të përbashkuar", për denoncimin e plagjiaturave të udhëheqësve të ministrive të Arsimit në Kosovë dhe në Shqipëri, ministrit Ramë Likaj dhe ministres Evis Kushi. (Rruga Radovan Zogoviq në lagjen Pejton, para Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, ora 10:00)

-  Mbahet mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në të cilën do të bëhët shqyrtimi i Përfundimit të Kryesisë së Kuvendit dhe shqyrtimi i draft - Planit të Punës së Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë bën përzgjedhjen e ekspertëve të jashtëm si dhe cakton intervistat për dëshmitar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit në të cilën do të bëhet zgjedhja e Avokatit të Popullit. (Salla e Kuvendit, ora 12:00)

-  Komisioni Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dëgjon dëshmin e dëshmitarit Beqë Cufaj  – Ambasador i Republikës së Kosovës në Gjermani. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)

- Mbahet paraqitja e parë e Salih Mustafës. (Salla e  gjyqit të Dhomave  të  Specializuara të Kosovës  (DHSK) në Hagë ora 15:00 - mund  të  përcillet edhe përmes transmetimit në Internet, me një vonesë të shkurtër në https://www.scp-ks.org/sq/transmetim)

- Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtori EMCDDA do të nënshkruajnë marrëveshje pune. (Objekti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, salla P-01, ora 16:00)