20 Gusht 2019

MF shpërblehet me portalin e transparencës

Prishtinë, 2 maj - Ministria e Financave, e përfaqësuar nga zyrtarët e Zyrës për Komunikim Publik, ka marrë pjesë në ceremoninë gala të ndarjes së çmimeve Albanian ICT Awards, ku është shpërblyer si finalist për çmimin "Shërbimi Publik më i mirë i vitit" me portalin e transparencës https://ptmf.rks-gov.net.

Me këtë çmim ky eveniment shpërblen praktikat më të mira, risitë, avancimin e platformave, projekteve, aplikacioneve ose zgjidhjeve të implementuara në administratën publike dhe Qeveri.

Ky shpërblim përbën një njohje prestigjioze të përsosmërisë (ose ekselencës) në shërbime publike.

Drejtori i Zyrës së Komunikimit Publik Muharrem Shahini theksoi se përzgjedhja e Ministrisë së Financave nga Albanian ICT Awards për çmimin  “Shërbimi Publik më i mirë i vitit” edhe një herë konfirmon punën e madhe të ekipit të Ministrisë së Financave, GIZ-it gjerman dhe kompanisë implementuese AXA në realizimin e portalit të transparencës së Ministrisë së Financave.

“Ky portal ju mundëson të gjithë të interesuarve që ti qasen me lehtësi të dhënave buxhetore  të shtetit të Kosovës, qoftë për institucionet qendrore dhe lokale, duke ju mundësuar që të kenë këto të dhëna qoftë në formë analitike ashtu edhe krahasimore”, shtoi Shahini.

Ai gjithashtu me këtë rast falënderoi Ministrin e Financave Bedri Hamza, si dhe Qeverinë Gjermane ku përmes GIZ-it kanë dhënë mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e këtij projekti, i cili njëherit avancon edhe transparencën dhe informimin e Ministrisë së Financave në raport tatimpaguesit, e që është një ndër parakushtet kryesore për menaxhim efikas të financave publike .

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 gusht 2019 - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala do ta takojë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën për gjendjen e prodhimit në Kosovë ku do të diskutohen rekomandimet ndaj Qeverisë së re rreth zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit, me panelistë përfaqësues të bizneseve prodhuese në vend. (Hotel Sirius, ora 9:55)

- Në Gjilan fillon implementimi i programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili mbështetet nga Qeveria e Britanisë, i dizajnuar nga British Council. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Instituti Demokratik I Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit pilot mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku mes 27 kryeqyteteve evropiane është vlerësuar edhe Prishtina. (Salla e konferencave të KDI, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes se festivalit të edicionit të 9-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etnofest. (Etnokompleksi i fshatit Kukaj, ora 18:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e rajonit të Zhurit, Vërrinit dhe Vërmicës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shkolla fillore në Zhur, ora 19:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Kino Armata te Sheshi, ora 20:00)