24 Maj 2018

Hapet edicioni i 6-të i Albanian ICT Awards

Tiranë, 2 shkurt - Shtëpia Botuese ICTSmedia hapi për vitin e gjashtë me radhë konkursin mbarëkombëtar në fushën e teknologjisë së informacionit në kërkim të shqiptarëve të suksesshëm në ICT.

Në këtë aktivitet hapës nderuan me pjesëmarrjen e tyre Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z Erion Veliaj, Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Luka, profesionistë të IT-së, novatorë dhe të rinj të komunitetit të teknologjisë nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova.

ICT Awards është një konkurs kombëtar, unik për nga karakteri dhe përkushtimi, i cili ka për qëllim identifikimin, shpërblimin dhe promovimin e profesionistëve të shquar, udhëheqësve të suksesshëm të biznesit, novatorëve e të rinjve entuziastë të ICT-së.

“Sot fillojmë rrugëtimin jo vetëm të një eventi por një seri takimesh maratonë përgjatë tre muajsh që stafi do të organizojë në qendrat inovative, inkubatorë, universitete etj,” tha bashkëorganizatori i Albanian ICT Awards në fjalën e tij përshëndetëse Kushtrim Shala.

Ai shpalli të hapur konkursin në gjashtë kategori: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje, Femra në ICT dhe ICT Shërbimi Publik i Vitit.

“Një antivitetet më të bukura në Tiranë që tregon sesa serioz jemi. Shumë pak veta kanë durim që të bëjnë këtë punë çdo vit dhe do një kurajo dhe energji të brendshme,” tha kryetari i bashkisë Veliaj gjatë fjalës së tij të rastit për ICT Awards.

Gjatë mbrëmjes ai zbuloi një suprizë për komunitetit e ICT Awards kur tha se bashkia kishte marrë vendimin për të kthyer Piramidën e Tiranës në qendrën më të madhe të IT-së në rajon.

Valdrin Luka, Ministër për Zhvillimin Ekonomik, përgëzoi ICT Awards për punën e bërë. Ai tha se transformimi dixhital është objektiv kryesor për ne.

“Krahas politikave lehtësuese, në Kosovë jemi duke investuar 50 milion euro në infrastruktura dhe pas 2 vitesh rreth 90% e territorit do të mbulohet me fibër optike,” vijoi Ai.

I pranishëm në aktivitet, përfaqësuesi i një prej sponsorëve tradicionalë që nga edicioni i parë i ICT Awards, Ardian Alaj bëri me dije se së shpejti Tirana do të kishte ATM-në e saj të parë të monedhës kriptografike Bitcoin, një lajm surprizë për komunitetin teknologjik shqiptarë.

Histori modeste që falë këmbënguljes kthehen në ikona

Fundin e aktivitetit e zuri një panel diskutimi me disa prej historive të suksesit në ICT Awards ndër vite.

Të pranishëm në këtë panel ishin Mërgim Cahani, themelues i motorit më të madh të kërkimit shqiptar Gjirafa.com, Albi Zhulali, themelues i platformës së menaxhimit të hoteleve Softmogul, Genti Selenica, themelues i aplikacionit “Food Delivery” Baboon dhe themeluesja e Girls Coding Kosova Blerta Thaçi.

Mobilitetit i Vitit në edicionin e 5-të Softmogul premtoi integrimin e bitcoin krahas pagesave në Cash, Apple Pay, Android Pay dhe teknologjive më të fundit të cilat i ofron prej kohësh. Investimi prej 2 milion dollarësh më i madhi dhënë një startupi shqiptar. Bisedimet me disa hotele të mëdha në Itali, Francë dhe Amerikë, që pritet të finalizohen brenda gjysmës së  parë të 2018-ës kishin filluar. Kjo platformë ka përpunuar mbi 1 milion dollarë transaksione deri më sot.

Baboon, mobiliteti i vitit në edicionin e 4-t jo vetëm që ka shërbyer si platformë “Food Delivery” por edhe ka ndikuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe ushqimit falë sistemit të vlerësimeve. Mbi 100 mijë shkarkime në të dy platformat dhe 25 mijë klientë besnikë. përmes Baboon janë kryer porosi me vlerë mbi 1 milion dollarë.

Inovacioni i vitit në edicionin e 3-të tha se vizioni ka qenë të ndërtonin dhe zhvillonin ekonominë e internetit në Shqipëri. Gjirafa50, Gjirafa Hall janë disa prej produkteve të reja. Një produkt i ri në punim është një program i inteligjencës artificiale për gjuhën shqipe. Përgjatë 2018-ës priten zgjerime të burimeve njerëzore në Tiranë dhe Shkup.

Nisma e femrës së vitit në edicionin e 5-të është një organizatë jo qeveritare me synimin e ndërtimit të trekëndëshit magjik mes teknologjisë, qeverisë dhe rinisë. Bashkëpunimet vijojnë me një sërë institucionet shtetërore si Policia, Ministria e Punëve të Brendshme, Oda Ekonomike etj. E gjitha kjo bëhet për rritjen e llogaridhënies dhe transparencës mes institucioneve dhe qytetarëve.

Ngjarja ICT Awards e cila konsiderohet tashmë si një ndër më të rëndësishmet në Shqipëri e Kosovë në fushën e ICT-së, ka arritur që të gjejë mbështetje të gjerë të mediave më të mëdha në vend, aktorëve më seriozë të fushës së biznesit, komunitetit e deri në qeveri, ku vetëm një vit më parë nderohet nga Kryeministri i Shqipërisë me Çmimin Bleta e Artë.

Edicioni i gjashtë fillon rrugëtimin me mbështetjen e sponsorëve tradicionalë Fondacioni Dritan Hoxha, Banka Raiffeisen, Vodafone dhe Albvision. Një rrjet i gjërë partnerësh dhe mbështetësish do të gjenden pranë ICT Awards përgjatë rrugëtimit.

Në javët në vijim dhjetëra takime e presin komunitetit shqiptarë të teknologjisë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni me me të ftuar studentët, inovatorë, të rinj, adhurues dhe entuziastë të botës së teknologjisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Maj 2018  - Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë lanson doracakun “Ekstremizmi i Dhunshëm dhe Mediat- Doracak për gazetarët”, i  cili  ka për qëllim të ofrojë rekomandime rreth mënyrës së raportimit të rasteve të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit nga mediat. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) lanson punimin “Demokracia e Kosovës në rrrezik?”. (Hoteli Swiss Diamond, salla Marec, ora 10:00)

- BIRN do të organizojë seancën informuese, me qëllim të informimit më të detajuar rreth thirrjes lidhur me Propozime për Projektin e Financuar nga BE - “Kontribut në forcimin e gazetarisë së pavarur, hulumtuese dhe të dobishme për publikun, si dhe në lirinë e shprehjes në Kosovë”. (Qendra Informative dhe Kulturore të BE-së, ora 10:00)

- Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova do ta vizitojë Leposaviqin ku do ta ketë një takim me Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq. (Ndërtesa e komunës në Leposaviq, ora 10:30)

- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim organizon diskutimin e parë publik për mbarëvajtjen e avancimeve akademike në Universitetin e Prishtinës ku edhe do ta lansojë strategjinë e saj për ofrimin e mbështetjes juridike për palët e mundshme që do të ankohen në procesin e avancimeve akademike në UP. (Qendra për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës, ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media në të cilën flet deputetja Arbërie Nagavci. (Holli i Kuvendit, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa ne te cilen do te behet shqyrtimi i Raportit Vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, shqyrtimi i Raportit Vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, etj.  (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 11:00)

- Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore me seli në Selanikv organizon promovimin e dy doracakëve të rinj për lëndën e historisë në gjuhën shqipe, periudha 1944-2008. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ku do te shqyrtohet Projektligjit për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj bënë homazhe në Gllogjan, me rastin e shënimit të 24 Majit, Ditës së Batalionit Gardist dhe rënies së Dëshmorëve të Kombit, të Batalionit Gardist “Shkelzen Haradinaj” të Zonës Operative të Dukagjinit. (Gllogjan, ora 11:00 dhe Kodrali, ora 11:30)

- Muzeu i Kosovës - Sektori i Historisë, hapë ekspozitën historike me titull "Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës", me bashkautor Dr. Sadik Krasniqi dhe Ma. Besnik Rraci. (Muzeu i Kosovës, ora 13:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në hapjen e ekspozitës për kontributin e presidentit Ibrahim Rugova në shtetformimin e Kosovës. (Muzeu i Kosovës, ora 13:00)

- Me moton “Shijo djathin e vërtetë, 100% nga qumështi” do të lansohet fushata promovuese e djathit 100% nga qumështi me qëllim informimin e qytetarëve të Kosovës për rëndësinë dhe dobitë e konsumimit të djathit të natyral nga qumështi. (Objekti i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, ora 13:00)

- Në kuadër te fushatës kundër hidrocentraleve të paqëndrueshme në Kosovë ERA group shfaq premierën e Kosovës të filmit "Blue Heart" në Deçan. (Pallati i Kulturës në Deçan, ora 18:00)