29 Shkurt 2020

Facebook mbyll llogari në Rusi dhe Iran

New York, 13 shkurt - Gjigandi i mediave sociale Facebook mbylli dy rrjete llogarish, faqesh dhe grupesh "që merreshin me ndërhyrje të huaj ose qeveritare", njëri me origjinë nga Rusia dhe tjetri në Iran, që të dy të dyshuar për lidhje me shërbimet e inteligjencës.

Duke i quajtur veprimet e tyre "të koordinuara" dhe "joautentike", kreu i politikave të sigurisë në Facebook, Nathaniel Gleicher, tha se të dy operacionet vepronin në emër të "një qeverie ose të një aktori të huaj".

Rrjeti rus kishte në shënjestër kryesisht Ukrainën dhe vendet fqinje, ndërsa operacioni iranian përqendrua kryesisht te Shtetet e Bashkuara.

Njerëzit që qëndronin pas këtyre grupeve dhe llogarive "koordinoheshin me njëri-tjetrin dhe përdornin llogari të rreme për të fshehur identitetin e tyre dhe kjo ishte baza e veprimit tonë," tha kompania e mediave sociale Facebook.

Gjithsej, janë mbyllur 78 llogari, 11 faqe, 29 grupe dhe katër llogari në Instagram me origjinë nga Rusia.

Hetimi i kompanisë Facebook për rrjetin rus "gjeti lidhje me shërbimet e inteligjencës ruse dhe ato ushtarake".

Personat që qëndronin pas rrjeteve hiqeshin si gazetarë qytetarë dhe përpiqeshin të kontaktonin politikanë, gazetarët dhe figura të tjera publike në rajon.

Ata postonin përmbajtje në rusisht, anglisht dhe në gjuhën ukrainase "në lidhje me ngjarjet lokale dhe politike, duke përfshirë figura publike në Ukrainë, angazhimin ushtarak rus në Siri, tensionet etnike në Krime dhe rrëzimin e aeroplanit të Malajzisë në Ukrainë në vitin 2014."

Po ashtu, u mbyllën gjashtë llogari në Facebook dhe pesë në Instagram me origjinë nga Irani që merreshin me "veprimtari të koordinuar të rreme".

Disa prej tyre përpiqeshin të kontaktonin figura publike dhe ndanin postime për tema të tilla si zgjedhjet në SHBA, krishterimi, marrëdhëniet SHBA-Iran, politika amerikane e imigracionit dhe kritika ndaj politikave amerikane në Lindjen e Mesme. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 shkurt 2020 - Drejtoria e Shëndetësisë së bashku me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, do të ofrojnë kontrolle të përgjithshme mjekësore pa pagesë për sëmundje të traktit urinar ku me pas do të ketë prononcim për media nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Visar Shehu. (Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, ora 10:00)

- Federata e pingpongut të Kosovës do të organizojë Kampionatin Individual të Kosovës për Seniorë “Adem Jashari”. (Shkolla fillore Tefik Çanga në Ferizaj, ora 10:00)

- Mbahet Kuvendi i Punës i Federatës i Basketbollit i Kosovës (FBK). (Hotel International Prishtina & SPA, ora 10:00)

- Qendra e Levizjes në Prishtinë mban konferencë për media. (Zyret qendrore të Lëvizjes në Arbëri, ora 11:00)

Anibar International Animation Festival organizon bashkëlexim dhe diskutim në Klubin e Kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë. (Kinema “Jusuf Gërvalla”, në Pejë ora 12:00)

- Mbahet ceremonia përmbyllëse për Garën Kombëtare për Kitarë, ku do të shpallen rezultatet dhe fituesit që do ta përfaqësojnë Kosovën në Garën Ndërkombëtare që do të mbahet në Qershor 2020, në Monheim në Gjermani. (Amfiteatri i Pallatit të Rinisë, ora 18:00)