18 Janar 2021

Biden: Autorët e sulmit kibernetik do të paguajnë kosto të rëndë

Washington, 18 dhjetor - Presidenti i Zgjedhur i SHBA Joe Biden tha se një sulm kibernetik në shkallë të gjerë kundër qeverisë amerikane i zbuluar kohët e fundit është një çështje që përbën "shqetësim të madh" dhe u zotua se do të ndërmarrë veprime të shpejta si kundërpërgjigje sapo të marrë detyrën muajin tjetër.

Biden, i cili do të inaugurohet si president më 20 janar, tha se ekipi i tij do ta bëjë këtë çështje një përparësi kryesore dhe do t’u imponojë "kosto të mëdha" palëve përgjegjëse për sulme të tilla kibernetike.

"Kundërshtarët tanë duhet ta dinë që, si President, unë nuk do të qëndroj duarkryq përpara sulmeve kibernetike ndaj vendit tonë," tha ai në një deklaratë.

Qeveria amerikane konfirmoi të mërkurën se një fushatë e fundit hakerimi preku rrjetet e saj dhe tha se sulmi ishte "i madh dhe në vazhdim".

Hakerat, të cilët besohet se punojnë për Rusinë kanë monitoruar trafikun e brendshëm të emaileve në departamentet e Thesarit dhe Tregtisë, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters në fillim të kësaj jave, duke cituar disa persona që thanë se druheshin se ajo çka ishte zbuluar deri më tani, mund të ishte vetëm maja e ajsbergut.

"Kjo është një situatë në zhvillim dhe ndërsa vazhdojmë të punojmë për të kuptuar shkallën e plotë të kësaj fushate, ne e dimë që ai ka prekur rrjetet brenda qeverisë federale", thuhej në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga FBI-ja, Agjencia e Sigurisë Kibernetike, Agjencia e Sigurisë së Infrastrukturës (CISA) dhe Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar (ODNI).

Kompania teknologjike SolarWinds, nga nisi sulmi, tha se rreth 18,000 klientë të saj kishin shkarkuar një program të kompromentuar që u mundësoi hakerave të futeshin në sistemet e tyre pa rënë në sy për gati nëntë muaj.

"Gjatë ditëve të kaluara, FBI-ja, CISA dhe ODNI-ja janë në dijeni të një fushate të madhe e të vazhdueshme ndaj sigurisë kibernetike", thuhej në deklaratën e përbashkët.

"FBI-ja po heton e po mbledh informacione në mënyrë që të identifikojë, ndjekë e shkatërrojë aktorët përgjegjës për këtë kërcënim", vazhdonte më tej deklarata. FBI, CISA dhe ODNI kanë formuar një grup të përbashkët mbi sulmet kibernetike, për të koordinuar përgjigjen e qeverisë amerikane.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë mbi Sigurinë Kombëtare Robert O'Brien ndërpreu një udhëtim në Evropë të martën për të trajtuar çështjen e sulmit.

 

/zeriamerikes/

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 Dhjetor 2020 - Ministria e Punëve të Brendshme bën përurimin e aneks-objektit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë. (Objekti i Agjencisë, që gjendet afër ish-fabrikës së amortizatorëve, ora 9:30)

- Mbahet seanca gjyqesore ndaj te pandehures Mimoza Pajaziti. (Gjykata Themelore në Ferizaj, Salla nr.II, ora 9:30)

- Me rastin e fillimit të gjysëmvjetorit të dytë të vitit shkollor kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi, do të vizitojnë shkollën fillore "Lekë Dukagjini" dhe Gjimnazin "Remzi Ademaj", ora 10:00. (Nisja e organizuar nga Shtëpia e Bardhë, ora 9:40)

- Këshilli Prokurorial i Kosovës mban takimin e 193-të në të cilin pritet të votohet për Kryesuesin dhe Zëvendëskryesuesin e ri të Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Online, ora 10:00)

- Mbahet seanca gjyqesore ndaj te pandehurit Emin Stublla për vrasje në tentativë. (Gjykata Themelore në Ferizaj, Salla nr.II, ora 10:00)

- Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi do të mbajë konferencë për media. (Holli i Ministrisë së Drejtësisë, ora 11:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi do të ndajë çmimin vjetor “Anton Çetta”. (Ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ora 11:00)

- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, prezenton Programin Zgjedhor 2021-2025. (Biblioteka Kombëtare, ora 15:00)