13 Gusht 2020

Auditori kërkon përmirësim të sistemeve të informacionit të detyrimet tatimore

Prishtinë, 8 korrik - Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Menaxhimi i Obligimeve Tatimore në Sistemet e Informacionit të Administratës Tatimore të Kosovës”.

Auditimi është kryer në Administratën Tatimore të Kosovës dhe kishte për qëllim vlerësimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit të cilat mbështesin menaxhimin dhe administrimin e detyrimeve tatimore, për të siguruar që sistemet ofrojnë informacione të besueshme, të plota dhe të sakta.

Administrimi dhe menaxhimi i detyrimeve tatimore bëhet nëpërmjet sistemeve të informacionit të ndërlidhura siç janë Sistemi Elektronik për Deklarim të Tatimit, Sistemi i Integruar Qeveritar për Administratën Tatimore dhe Sistemi për Menaxhimin e Rasteve të Mbledhjes.

Sistemet e ndërlidhura tatimore kanë mundësuar ofrimin e shërbimeve online, ruajtjen dhe trajtimin e deklaratave tatimore dhe kanë zvogëluar shpenzimet operative për ATK-në duke mundësuar menaxhim më të lehtë të borxheve tatimore.

Mirëpo, auditimi ka nxjerr përfundimin se pavarësisht avancimit të sistemeve dhe lehtësirave të ofruara, sistemet e teknologjisë së informacionit kanë mangësi që ndërlidhen me kontrollet e aplikacionit, konfigurimin e sistemit, kontrollet e qasjes logjike në sisteme, si dhe me sigurinë e informacionit dhe vazhdimësinë e sistemeve. Sistemet janë të ekspozuara ndaj rreziqeve të humbjes së integritetit dhe konfidencialitetit të të dhënave dhe disponueshmërisë së sistemeve.

Këto mangësi kanë ndikuar në paraqitjen e një pasqyre jo të saktë dhe jo të plotë të llogarive të deklaratave tatimore, në rreziqe të funksionimit të sistemeve të informacionit, humbje të integritetit dhe konfidencialitetit të të dhënave dhe rreziqe në sigurinë e informacionit dhe vazhdimësinë e punës së sistemeve.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka theksuar që rezultatet e auditimit tregojnë nevojën për përmirësime të menjëhershme në menaxhimin e sistemeve të informacionit, nëpërmjet të cilave administrohen detyrimet tatimore.

Osmani, tha se duke marrë parasysh rëndësinë e detyrimeve tatimore që kanë për buxhetin e shtetit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar Ministrinë e Financave që me prioritet të adresoj çështjet rreth sigurisë së informacionit dhe kapaciteteve të Administratës Tatimore të Kosovës.

Me qëllim të adresimit të shpejtë të çështjeve të menaxhimit dhe kontrollit të teknologjisë së informacionit brenda organizatës, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 18 rekomandime për Administratën Tatimore të Kosovës.
 
Procesi dhe Metodologjia e zbatuar në këtë auditim, është mbështetur nga Projekti i Binjakëzimit i financuar nga BE-ja KS 17 IPA FI 01 19 “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 14 Gusht 2020  - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton raportin me amendamente në Projektligjin nr.07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 9:00)

- Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, raporton në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me menaxhimin e situatës me Covid-19. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:00)  
    
- Kuvendi i Kosovës mban seancën e radhës ku në rend dite është shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës: shqyrtimi i parë i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike etj. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)   

- Organizata ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani” bëjnë publikimin e raportit hulumtues “Efekti i të lexuarit në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale të fëmijëve të Kosovës”. (Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, ora 10:00)    

- Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, viziton komunën e Pejës ku do të pritet nga kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri. (Ndërtesa e Komunës, Pejë, ora 10:00)    

- Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me zhongluesin e mirënjohur nga Vitia, Agim Agushin, do të mbajnë konferencë për media. (Objekti i Komunës, Mitrovicë, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ‘ka diçka me thanë’. (Zyra e kryetarit te Gjilanit, ora 12:00)