20 Gusht 2019

Përkrahet me 30 mijë euro Federata e Sporteve për të Verbër

Prishtinë, 8 maj - Përkrahet me 30 mijë euro Federata e Sporteve për të Verbër dhe licencohet Federata Muaythai e Kosovës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Federatën e Sporteve për të Verbër të Kosovës dhe po ashtu ka nënshkruar licencimin e Federatës së Muaythai të Kosovës.

Qëllimi i memorandumit të nënshkruar është mbështetja financiare me 30 mijë euro për periudhën janar-dhjetor 2019.

Ministri Gashi tha se përkrahja financiare për Federatën e Sporteve për të Verbër është në vazhdën e nënshkrimit të memorandumeve për përkrahjen e federatave sportive të Kosovës.

Ndërkaq për licencimin e Federatës së Muaythai të Kosovës, ministri Gashi u shpreh:

“Licencimi i kësaj federate tregon përkushtimin tonë për krijimin e kushteve për sportin në vend e në këtë rast edhe për sportin muaythai. Me qëllim të përmbushjes së kërkesave të të rinjve, ne do të vazhdojmë të përkrahim krijimin e federatave të reja sportive për sportet të cilat në vendin tonë nuk janë shumë të zhvilluara.  Ne besojmë se ky licencim është një motiv shtesë për të punuar në zhvillimin e këtij sporti për talentet e reja të Kosovës”

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 gusht 2019 - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala do ta takojë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën për gjendjen e prodhimit në Kosovë ku do të diskutohen rekomandimet ndaj Qeverisë së re rreth zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit, me panelistë përfaqësues të bizneseve prodhuese në vend. (Hotel Sirius, ora 9:55)

- Në Gjilan fillon implementimi i programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili mbështetet nga Qeveria e Britanisë, i dizajnuar nga British Council. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Instituti Demokratik I Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit pilot mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku mes 27 kryeqyteteve evropiane është vlerësuar edhe Prishtina. (Salla e konferencave të KDI, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes se festivalit të edicionit të 9-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etnofest. (Etnokompleksi i fshatit Kukaj, ora 18:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e rajonit të Zhurit, Vërrinit dhe Vërmicës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shkolla fillore në Zhur, ora 19:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Kino Armata te Sheshi, ora 20:00)