15 Nëntor 2019

MKRS e vendosur që të investojë në infrastrukturë dhe talente të futbollit

Prishtinë, 22 maj - Zëvendësministrja Leonora Morina-Bunjaku ka pritur sot në takim Thierry Favre, shef i Divizionit te Federatave Kombëtare të UEFA-së dhe drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, presidentin e FFK-së, Agim Ademi dhe sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu.

Temë e takimit ishte diskutimi për projektet e realizuara deri më tani si dhe për projektet që e presin në të ardhmen FFK-në.

Zëvendësministrja Morina-Bunjaku u shpreh se Qeveria e Republikës së Kosovës, MKRS-ja, do të jenë të gatshme për të bashkëpunuar me UEFA-në për ndërtimin e Stadiumit Nacional si dhe 6 fushave ndihmëse të futbollit.

Zëvendësministrja e informoi përfaqësuesin e UEFA-së që në koordinim me FFK-në investon në projekte kapitale dhe e përkrah drejtpërdrejtë futbollin në baza të rregullta vjetore.

“Në emër të MKRS-së premtova bashkëpunim dhe krijim të infrastrukturës me standarde evropiane, përderisa talenti dhe të arriturat në futbollin e Republikës së Kosovës nuk mungojnë”, tha mes tjerash Morina-Bunjaku.

Ndërsa, Thierry Favre, tha se tashmë pasi Kosova është pranuar në UEFA dhe FFK-ja po angazhohet në avancimin e sportit të futbollit, mbetet që Kosova të fokusohet në investimin në infrastrukturë dhe në nxjerrjen e talenteve të reja.

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 nëntor 2019  - Klinika e Neonatologjisë dhe Shoqata e Neonatologëve të Kosovës, organizojnë Konferencën e I-rë nderkombëtare. (Hotel Garden, ora 9:00)

- Policia e Kosovës në shënim të ditës botërore të përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor, në bashkëpunim me Këshillin e Sigurisë në Trafikun Rrugor dhe me Shoqatën e Sigurimeve , do të mbaj tryezë për shënimin e kësaj dite. (Salla Orion në Prishtinë në afërsi të Kino ABC, ora 9:30)

- Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë organizon tryezën dhe punëtorinë me temën “Status quo e Zhvillimit të Kërkimit dhe Inovacionit në Kosovë: Ide rreth së ardhmes së K&I në Kosovë”, mbështetur nga Projekti HERAS i cili përkrahet nga Qeveria e Austrisë. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale mban punëtorinë lidhur me “Udhëzuesin për miradministrimin e aktiviteteve minerare dhe mjedisore. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, përmes projektit Interdev 2, organizon një panair me shoqatat e grave prodhuese për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Sipërmarrësisë së Grave. (Qendra Kulturore në Viti, ora 11:00)

- Ministria e Mbrojtjes organizon ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të FSK-së, gjenerata e dytë 2019. (Kazerma 'Adem Jashari' në Komandën e Forcave Tokësore në Prishtinë, ora 11:00)

- Komuniteti artistik organizon takim përkujtimor për regjisoren Arzana Kraja. (Teatri Kombëtar, ora 12:00)

- Organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës organizon ceremoninë e hapjes të minibibliotekës së lagjes Ulpiana. (Te fontana në lagjen Ulpiana, ora 12:00)

- Kryetarja e KQZ-së dhe anëtarët, presin në takim deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, anëtarë të Komisionit të Reformës Zgjedhore: znj. Rudina Hajdari, Myslim Murrizi dhe Ralf Gjoni. (Selia e KQZ-se, ora 12:00)

- Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, do të nënshkruajë gjashtë Udhëzime Administrative që avancojne fushën e kadastrës dhe regjistrimit të pronës. (Zyret e Agjencisë Kadastrale të Kosoves, ndërtesa e Arkivit të Kosovës, ora 14:00)

- Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi, do të mbajë një konferencë për media në të cilën do të prezantohet raporti nga muaji korrik deri në muajin tetor për Gjykatën Themelore të Gjilanit, së bashku me Degët e saja. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 14:30)

- Mbahet marsh përkujtimor në këmbë nga Lagja Arbëria, rrugës Fehmi Agani deri te Teatri Kombëtar ku do të bëhet ndezja e qirinjve në përkujtim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor. (Kolegji i Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, ora 18:00)

- Mbahet stërvitja e Kombëtares së Kosovës. (Stadiumi ‘Fadil Vokrri’, ora 18:00)

- Galeria e Ministrisë së Kulturës organizn hapjen e ekspozitës individuale të autores Lumjetë Havolli, e titulluar "Is This Me...Or i Do it For You Only!?". (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00)

- Qendra për Informim dhe Përmirësim Social feston hapjen e Linjës telefonike për parandalim të vetëvrasjes "Linja e Jetës" në Kosovë! (Menza Ramiz Sadiku, ora 21:00)