19 Tetor 2020

Ministrja Dumoshi përkrah Rahovecin me projekte kulturore dhe sportive

Rahovec, 7 tetor - Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi e shoqëruar nga zëvendësministri Halil Matoshi ka vizituar sot Komunën e Rahovecit. Ajo është takuar me kryetarin e kësaj komune, Smajl Latifi, me të cilin kanë biseduar për disa nga projektet kulturore-sportive, projekte këto që pritet të finalizohen në këtë komunë.

Gjatë këtij takimi ministrja Dumoshi tha se në Rahovec po nisin projekte sportive, si stadiumi sportiv në Ratkoc si dhe stadiumi i qytetit, projekte këto që lidhen direkt me nevojat e qytetarëve.

“Ne si Ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në të gjitha komunat e Kosovës bashkëpunojmë, nënshkruajmë marrëveshje, memorandume që lidhen direkt ku qytetarët përfitojnë nga projektet. Jemi në procedurë të tenderimit për dy projekte që janë të rëndësishme për komunën e Rahovecit. Për stadiumin në Ratkoc është paraparë vlera 800 mijë euro. Ndërkaq për stadiumin e futbollit në qytetin e Rahovecit është paraparë vlera 2 milionë euro. Gjithashtu e kemi edhe ndërtimin e palestrës sportive në Krushë të Madhe”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Ministrja Dumoshi, zv.ministri Matoshi dhe kryetari Latifi shfrytëzuan rastin të vizitojnë edhe shtëpinë-muze të atdhetarit Ukshin Hoti në Krushë të Madhe.

"Një vizitë kjo emocionuese, e cila të sjellë ndër mend fatin akoma të pandriçuar, sakrificën në burgje e aktivitetin e pareshtur të Ukshin Hotit për çështjen e Kosovës." - tha ministrja gjatë vizitës në muze.

Ministrja Dumoshi ka shpalosur në Rahovec edhe projektin që ka të bëjë me historinë gojore për tragjeditë që ka kaluar Kosova në luftën e fundit. Në këtë projekt do të përfshihen rrëfimet e dëshmitarëve të masakrës së Krushës së Madhe. Ajo tha se ky projekt është mbështetur edhe nga Ambasada Amerikane. Projekti i historisë gojore "Rrëfime gojore të dëshmitarëve të masakrës së Krushës së Madhe" do të realizohet nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Departamenti i Antropologjisë i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.

Ministrja Dumoshi foli për rëndësinë e projektit të historisë gojore dhe tha që ky projekt do t’i kontribuonte ruajtjes së kujtesës kolektive.

“Është një projekt i cili është i një rëndësie shumë të madhe, projekti i historisë gojore, me rrëfimet gojore të dëshmitarëve të masakrës së Krushës së Madhe. MKRS-ja me një kujdes shumë të veçantë do të përkrahë edhe këtë profil të mbledhjes së historisë gojore se çka ka ndodhur në Kosovë.  Ne do t’i vendosim në pah dhe këto dokumente dhe librat të cilat do të përkthehen edhe në gjuhë të tjera“, tha ajo.

Kurse, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se është i kënaqur që ministrja Dumoshi po i përkrahë projektet e rëndësishme sportive e kulturore për qytetarët e kësaj komune.

“Është mirë që në këto prioritetet tona të cilat i ka komuna e Rahovecit po përfshihen jashtëzakonisht mirë dhe kënaqshëm nga Ministria e Kulturës.”

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka vizituar edhe hapësirën ku po planifikohet ndërtimi i stadiumit të qytetit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Tetor 2020  - Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në shpërndarjen e lopëve për përfituesit nga thirrja e hapur nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. (Tregu i Kafshëve në Prizren, ora 9:30 - nisja nga Shtëpia e Bardhë, ora 9:00)   

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ish-Ministrin e Ekonomisë dhe Financave Ali Sadriu. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme  do të organizojë ceremoni solemne me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore. (Ndërtesën e Qeverisë, salla P-38, ora 10:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi fillon “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Mbrojtja e viktimave të krimit, mision ynë edhe gjatë pandemisë”. (Platforma zoom, ora 10:00)

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaqi dhe Kryeministri Avdullah hoti marrin pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P-38, ora 10:00)

- Aksioni për Nëna dhe Fëmijë organizon ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve mjekësore dhe mjeteve mbrojtëse kundër COVID-19, për Klinikën Infektive në QKUK, pajisje këto të siguruara nga bashkepunimi i AMC dhe LDS Charities. (Barnatorja Qëndrore e QKUK-së, ora 11:00)  

-  Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës voton kërkesën për pezullimin e lëshimit të lejeve të reja dhe rilicencimin e hidrocentraleve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303 Koha: 11:00)

- Partia Demokratike e Kosovës mban konferencë për media. (Oborri i Kuvendit të Kosovës, hyrja nga sheshi, ora 11:30)

-  Kryeministri Avdullah Hoti takon deputetët e komunitetit jo shumicë për të diskutuar planin për zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:00 - vetëm pamje)

- Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të bëjë pranimin e 215 tabletëve nga OSBE-ja. (Ambientet e MASh, ora 12:30)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ishish kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Gjilanit në të cilen do te votohet propozim vendimi për ndarjen e 200 bursave për student të Komunës së Gjilanit për vitin akademik 2019/2020. (Salla e mbledhjeve të KK-Gjilan, ora 13:00)

- Mbahet takimi i radhës i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. (Ndërtesa e Qeverisë, Salla P38, ora 14:00)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 16:00)