26 Shtator 2017

Mbështetja e MKRS-së për xhudon kosovare do të rritet edhe më tej

Prishtinë, 12 shtator - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim njohës drejtuesit e Federatës së Xhudos së Kosovës, të prirë nga kryetari Agron Kuka, nënkryetarin Memli Krasniqi, përzgjedhësin e Përfaqësueses së Kosovës në xhudo, Driton Kuka dhe kampionen olimpike Majlinda Kelmendi.

Kryetari i FXHK-së, Agron Kuka, e uroi ministrin Gashi për marrjen e detyrës së re duke i dëshiruar që të përmbushin objektivat dhe programin e paraparë.

Ai e informoi ministrin për punën që po bën Federata e Xhudos, të arriturat dhe përgatitjet që janë duke bërë për garat në të ardhmen, me theks për pjesëmarrje në lojërat olimpike që do të mbahen në Tokio 2020.

Kuka tha se kemi 25 xhudistë elitarë të nivelit botëror. Ai përmendi edhe vështirësitë me të cilat përballen, ndër to është edhe çështja e realizimit të obligimeve nga ana e MKRS-së.

Kryetari Kuka u shpreh se vlerëson punën dhe bashkëpunimin e deritashëm me MKRS-në, duke shtuar se pa mbështetjen e MKRS-së nuk do t’i arrinim rezultatet e deritashme në sportin e xhudos.

Ndërkaq, kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, e uroi ministrin për marrjen e detyrës duke i dëshiruar mbarëvajtje në mandatin dhe punën që e pret përpara, duke shpresuar që mbështetja e MKRS-së për të dhe për FXHK-në nuk do të mungojë.

Nga ana e tij, ministri Gashi theksoi se është dita e parë e punës dhe se është i privilegjuar që ndër takimet e para po e zhvillon me krenarinë e Kosovës, Majlinda Kelmendi dhe drejtuesit e federatës së suksesshme të FXHK-së, duke u zotuar se mbështetja e MKRS-së për xhudon kosovare nuk do të ndërpritet, veçse do të rritet edhe më tej.

Ai u shpreh se është i informuar për disa obligime të mbetura nga ana e MKRS-së në drejtim të FXHK-së por edhe të Majlindës dhe se ato shumë shpejtë do të përmbushen.

Ministri shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me drejtuesit e xhudos me qëllim që rruga dhe tradita e rezultateve në këtë sport të vazhdojë edhe më tej.

Ai ka theksuar se është i hapur për kërkesat dhe idetë që do të vijnë prej Federatës së Xhudos.

“Tashmë janë bërë disa përmirësime në infrastrukturën ligjore sikurse që është rregullorja për kategorizim, e cila do të na e lehtësojë punën edhe ne si ministri, por edhe federatat e sportistët do të përkrahen në bazë të meritave”, tha ministri Gashi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Shtator 2017

- Shoqata e pemëve “Pema” nga Kovraga me përkrahjen e programit AGRO të USAID-it organizon tryezën e rrumbullakët me temë “Prodhimtaria e mollës në Kosovë - gjendja aktuale, perspektiva dhe sfidat”. (Fshati Kovragë i Istogut, vendi ku është organizuar zakonisht “Dita e Mollës”, ora 10:30)

- Ministria e Drejtësisë organizon konferencë për media, në të cilën do të marrin pjesë, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi. (Ndërtesa e Ministrisë e Drejtësisë, ora 11:30)

- Ambasadori I ShBA-ve Greg Delawie do të flas në ceremonin e lansimit të Trekandit, kompania e parë e financuar dhe mbështetur  nga Gjirafa Lab. (Sheshi 21, ora 17:15)

- Muzeu i Kosovës, në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane me moton Ditët e Hapura hap ekspozitën me fotografi nga autori nga Turqia, Erhan Bayladi. (Muzeu i Kosovës, ora 19:00)

- Shfaqjet performanca teatrale “Copë Copë”. (Teatri i Qytetit “Adriana Abdullahu” në komunën e Ferizajit, ora 20:00)

 

Ngjarjet e fushatës zgjedhore


- Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, takohet me përfaqësueset e shoqatave te grave, i pranishëm do të jetë kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli, mban konferencën për medie për të diskutuar problemet dhe brengat e qytetarëve të Prishtinës. (Sheshi Skënderbeu, pranë ndërtesës së Qeverisë, ora 11:00)

- Dega e NISMA për Kosovën në Klinë do të bëj hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. (Shtëpia e kulturës “Jehona e Dukagjinit” në Klinë, ora 13:00)
 
- Dega e NISMA për Kosovën në Istog do të bëj hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. (Restaurant Freskia në Istog, ora 15:00)

- Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë tubimin zgjedhor në qytetin e Vitisë, marrin pjesë kryetari Visar Ymeri, deputeti Albin Kurti, deputetja Shqipe Pantina dhe kandidati për kryetar të Vitisë, Salih Salihu. (Restaurant Lindi në Viti, ora 17:00)

- Dega e NISMA për Kosovën në Pejë do të bëj hapjen e fushatës zgjedhore. (Restaurant Universi në Pejë, ora 17:30)

- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban tubim zgjedhor në Pejë, merr pjesë edhe Kryeministri dhe Kryetar i AAK-së Ramush Haradinaj. (Hotel Dukagjini, ora 18:00)

- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban takim me fermerë të Pejës, merr pjesë Kryeministri dhe Kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj. (Restoran Koha 3, ora 19:00)

- Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës të Prizrenit Dr. Hatim Baxhaku shpalos programin qeverisës dhe prezanton kandidatët për Asamble Komunale. (Kompleksi Lidhja e Prizrenit, ora 19:30)