26 Prill 2024

ZPS-ja përqendrohet vetëm tek individët, jo tek UÇK-ja

Hagë, 17 shtator - Në  deklaratën  e  tij  hyrëse  në  fillim  të  gjykimit  të  parë  që  po  zhvillohet  në  Dhomat  e Specializuara, në çështjen gjyqësore kundër Salih Mustafës, Prokurori Xhek Smith i përshkroi Dhomat e Specializuara të Kosovës si një gjykatë që “u frymëzua nga zërat kosovarë dhe u krijua  nga  akte  të  popullit  të Kosovës” dhe që është provë e përkushtimit të Kosovës ndaj sundimit të ligjit.

Prokurori Smith theksoi se puna e një prokurori lidhet me përgjegjësinë individuale për krime që  mund  të  provohen  jashtë  dyshimit  të  arsyeshëm  dhe  se  në  Dhomat  e  Specializuara përgjegjësia penale për krime është personale.

“ZPS-ja  nuk  ngre  akuza  kundër  UÇK-së  apo kundër luftës që bëri ajo për pavarësinë e Kosovës. Nuk është as detyra, e as dëshira e ZPS-së apo e imja për ta bërë këtë,” tha Prokurori Smith.

“Si prokuror, është jashtë kompetencave të mija që të argumentoj apo vendos se cilat luftëra ishin të drejta dhe cilat jo, por mund të them se krimet e luftës nga një palë nuk përligjin krimet e luftës të palës tjetër,” shtoi Prokurori Smith. “Por, çka mund të jetë më e rëndësishme, unë  gjithashtu e di se e vërteta kurrë nuk e dëmton një kauzë që është e drejtë.”

Prokurori Smith e bëri të qartë pikëpamjen e tij se kjo duhet të jetë një gjykatë për viktimat dhe rreth viktimave. Duke nënvizuar se shumë viktima “janë detyruar të presin dy dekada për të kërkuar drejtësi për krimet e kryera ndaj tyre dhe pjesëtarëve të familjeve të tyre që nuk janë më në mesin tonë,” ai shpjegoi se: “Nëse duam t’ju shërbejmë këtyre viktimave siç duhet, nuk duhet të ketë kurrë një datë skadimi në lidhje me përgjegjësinë.”

Në lidhje me viktimat në çështjen kundër z. Mustafa, Prokurori Smith vuri në dukje se, ndërsa në  çështje  të  tjera  që  ka  paraqitur  ZPS-ja  viktimat  ishin  një  grup  i  përzier,  shqiptarë,  serbë, romë  dhe  persona  me  kombësi  të  tjera  të  Kosovës,  të  gjitha  viktimat  e  të  akuzuarit  ishin bashkëpatriotë shqiptarë të Kosovës.

Prokurori Smith tha se: “Këta persona nuk ishin armiq të shtetit të Kosovës, ata nuk ishin spiunë.  Ata  ishin  bashkëpjesëtarë  të  komunitetit,  shqiptarë  të  pafajshëm  të  Kosovës  krimi  i vetëm i të cilëve ishte se konsideroheshin, për një arsye a një tjetër, si pengesë për UÇK-në dhe disa udhëheqës të caktuar të saj, dhe si rrjedhim etiketoheshin si bashkëpunëtorë.

“E vërteta, siç do të parashtrohet para kësaj Gjykate javët e ardhshme, është se udhëheqës të caktuar  të  UÇK-së,  përfshirë  Mustafa,  përdorën  pushtetin  e  tyre  për  të  viktimizuar  dhe brutalizuar bashkëpatriotë kosovarë, përfshirë individë krimi i vetëm i të cilëve ishte se kishin pikëpamje politike të ndryshme nga ato të UÇK-së dhe udhëheqësve të saj.”

Prokurori  Smith  theksoi  se  procedurat  kundër  z. Mustafa  duhen  kryer  në  përputhje  me standardet më të larta ndërkombëtare dhe u kërkoi kritikuesve të Gjykatës që të ndjekin se si funksionon ajo, si gjatë gjykimit të tanishëm ashtu edhe gjatë atyre që do të vijojnë, para se të japin një gjykim për të.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)