21 Mars 2019

Ushtria Turke e gatshme për bashkëpunim me FSK-në

Prishtinë, 22 shkurt - Me ftesë të komandantit të Forcave Tokësore të ushtrisë turke, nga data 19-22 shkurt 2019, për vizitë në Turqi, ishte komandanti i Forcave Tokësore të FSK-së, gjeneral brigade Enver Cikaqi. Qëllimi i vizitës ishte pjesëmarrja në DV-day të dy ushtrive fushore që u realizuan në Turqi, gjatë muajit shkurt. Me datë 20 shkurt, gjeneral Cikaqi mori pjesë në DV- day të ushtrimit vendkomandë „Cooperative Resolve 2019“, ushtrim që u realizua në Qendrën e Trajnimit dhe Edukimit në Ankara. Gjatë vizitës në këtë qendër, gjenerali u prit nga komandanti i Forcave Tokësore të ushtrisë turke gjenerali Umit Dundar,  i  cili shprehu gatishmërinë e ushtrisë turke për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Forcave Tokësore të dy ushtrive.

Me gjithë se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ishte e angazhuar në këtë ushtrim, me anë të kësaj vizite, gjeneral Cikaqi pati rastin që nga afër t’i shihte angazhimet e shteteve tjera pjesëmarrëse dhe qëllimin e trajnimit.  Andaj, angazhimi i pjesëtarëve të FSK-së, në kuadër të këtij ushtrimi në vitet e ardhshme do t’i kontribuonte përmirësimit të trajnimit, bashkëpunimit dhe ndërveprimit të FSK-së, në raport me shtetet e rajonit. Në po të njëjtën datë, gjeneral Cikaqi u prit në darkë zyrtare nga gjenerali Dundar, ku ishin të pranishëm edhe gjeneralë të tjerë dhe shefa të ushtrive të rajonit dhe më gjerë.

Më datë 21 shkurt 2019 gjeneral Cikaqi mori pjesë në realizimin e demonstrimeve të ushtrimit “Dimri”, ku ishin pjesëmarrës shtatë pjesëtarë të FSK-së. Realizimi i suksesshëm i ushtrimit “Dimri” demonstroi përgatitjet shumë të mëdha dhe koordinimet në detaje, të bëra nga shtetet pjesëmarrëse në realizimin e skenarëve të operacioneve ofensivë.

Qëllimi i këtij ushtrimi ishte testimi i kapaciteteve luftuese të njësive dhe përmirësimi i sinkronizimit të zjarrit dhe manovrimit në kushte dimri. Në këtë ushtrim morën pjesë rreth 1750 pjesëtarë nga 15 shtete të rajonit, duke përfshirë Kosovën, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Gjeorgjinë, Azerbajxhanin, Bangladeshin, Bosnjën dhe Hercegovinën, Bullgarinë e të tjera. Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës përfituan nga përvoja e madhe e ushtrisë turke në organizimin e ushtrimeve të tilla me karakter ndërkombëtar, dhe këto njohuri do të ndihmojnë në përmirësimin e qasjes tonë në organizimin e ushtrimeve fushore në FSK.

Po ashtu më 21 shkurt 2019, me ftesë të Ambasadës së Kosovës në Turqi, gjeneral Cikaqi mori pjesë në pritjen e organizuar  me rastin e shënimit të 11- vjetorit të Pavarësisë, ku pjesëmarrës ishin diplomatë nga shumë vende të rajonit. Gjatë pritjes gjeneral Cikaqi takoi të gjithë kadetët dhe ushtarakët e FSK-së, që po realizojnë studimet në Turqi, të cilët i uroi për rezultatet e arritura dhe iu kërkoi që të vazhdojnë të jenë të disiplinuar, të angazhuar dhe të përfaqësojnë Kosovën me dinjitet në akademitë ku po studiojnë. Gjeneral Cikaqi, gjatë vizitave u shoqërua nga atasheu ushtarak i FSK-së në Turqi, koloneli Bekim Osmani.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2019 - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me mbështetje të GIZ - CDBE organizon konferencën e rishikimit vjetor të planit strategjik të arsimit të Kosovës 2018. (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkë organizim me MASHT,  komunën e Prishtinës, OJQ “Lets Do it Kosova”, “Green Art Center”, SHUKOS, CDI dhe shoqërinë civile do të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Ujit dhe Ditës ndërkombëtare e Meteorologjisë. (Liqeni i Batllavës, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën me rastin e publikimit të “Raportit të Monitorimit të Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës 2018”, në një diskutim me shefat e grupeve parlamentare, përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile. (Orion Conference Center përballë Kino ABC, ora 10:00)

- Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit organizon tryezën e rrumbullakët - Zëri i Popullit rreth 'Finales së Madhe' ndërmjet Kosovës dhe Serbisë - (Tek ABC Group, Gjilan, rr. Xhemajl Mustafa, nr. 99, ora 10:00)

- Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e 49 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C-301 10:30)

- Lëvizja Vetëvendosje mban aktivitet simbolik. (Takimi me media bëhet te shtatorja e Zahir Pajazitit, ora 10:45)

- Ambasada e Francës në Kosovë, Klubi afarist, France Albanie Bussiness në bashkëpunim me Klubin afarist frankofon në Kosovë do të organizojë një simpozium lidhur me investimet në Kosovë. (Hotel Sirius, ora 10:45)

- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj raporton para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës për raportin vjetor të punës për vitin 2018. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës mban konferencë për shtyp lidhur me diskriminimi i punëtorëve ne sektorin privat. (Selia e BSPK-së, ora 11:00)

- Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, për të diskutuar lidhur me kërkesën e deputetëve nënshkrues. ​(Ndërtesa e Kuvendit,  ora 11:00)

- Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj merr pjesë në fillimin e punimeve në segmentin e ri, Lum Madh-Gojbule, të rrugës Nacionale M2, Prishtinë - Mitrovicë, “Rruga e Tre Heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha”. (Fshati Lum Madh i Vushtrrisë në drejtim të Mitrovicës, ora 12:00)

- Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë Kosovë mban aktivitet. (Para objektit të Komunës së Fushë Kosovës, ora 13:00)

- Komuna e Prishtinës mban konferencë për media. (Ndërtesa e vjetër e Komunës në katin e parë, ora 13:30)

- Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherit Kryeministër i Republikës së Kosovës, do të jetë prezent në ngjarjen e organizuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës- Dega në Rahovec, ku me këtë rast do bëhen edhe aderime të reja të disa figurave të rëndësishme, njerëz të profileve dhe moshave të ndryshme. (Shtëpia e Kulturës ″Mensur Zyberaj″ në Rahovec, ora 18:00)