04 Qershor 2020

Sveçla falënderon policët, punonjësve e rendit dhe administratës publike

Prishtinë, 28 mars - Ushtruesi i Detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP), Xhelal Sveçla i është drejtuar sot përmes një komunikate punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe agjencive të saj përfshirë Policinë e Kosovës.
 
"Në këtë kohë të vështirë krize, është momenti të jemi shembullorë. Të gjithë ju, individualisht dhe në kolektiv, jeni mbrojtësit dhe shërbyesit civilë të Kosovës, dhe unë e di që ju i shërbeni vendit tonë me dinjitet, nder dhe krenari. "

"Të gjithë ju, pa dallim grade apo titulli, pavarësisht situatës aktuale, jeni një pjesë e rëndësishme në luftën e përbashkët për të shpëtuar jetë."
 
"Dëshiroj të ndaj me ju admirimin dhe respektin tim për dedikimin dhe përkushtimin profesional që po tregoni."
 
"Disa prej jush janë duke punuar nga shtëpia e shumë janë në vijën e parë të kësaj urgjence globale shëndetësore, duke rrezikuar përditë shëndetin", ka shkruar Sveçla.

Këto sipas tij janë periudha të vështira kudo që punoni, nga shtëpitë tuaja apo në vendin e punës e të shërbimit.

Këto po ashtu sipas tij janë kohë plot paqartësi dhe frikë. "Dhe në kohë të tilla familjet e krejt Kosovës kërkojnë një ndjenjë të sigurisë, rendit dhe besimit. Atë ndjenjë na e garantoni ju", ka theksuar Sveçla.
 
Fatkeqësisht, vendi ynë po kalon një sërë sfidash, të gjitha menjëherë, gjë që e bën të rëndësishme që ne, individualisht dhe kolektivisht, të bëjmë çmos që të udhëheqim me ndjenjë të lartë të detyrës, moral qytetar e parime profesionale - që të shërbejmë dhe mbrojmë.
 
Në ditët dhe javët e ardhshme situata sipas Sveçles do të vazhdojë të zhvillohet sipas ritmit që po shohim në rajon dhe botë.

Me siguri do të ketë një rritje të rasteve të konfirmuara, të shtrirë në spitale dhe fatkeqësisht, mund të ketë dhe raste të vdekjeve. Me këto sfida mund të përballen edhe disa prej nesh.

Do të ketë gjithashtu rritje të ankthit dhe pasigurisë në mesin e qytetarëve, ndaj të cilëve do të duhet të zbatojmë udhëzimet për siguri dhe stabilitet në kohë shumë të paqëndrueshme.

"Por, ne jemi përballur edhe me fatkeqësi më të mëdha në historinë tonë, dhe i kemi mundur. Me forcë shpirtërore e besim te njëri-tjetri."

Edhe kësaj radhe, do t’ia dalim mbanë. Pandemia nuk do të zgjasë përgjithmonë, por ne do t’u jemi falënderues përgjithnjë policëve, punonjësve të strukturave të rendit dhe administratës publike.
 
"Jam i nderuar dhe i privilegjuar që jam mes jush, e do të jem bashkë me ju në front, që ta kalojmë këtë krizë. Jam i nderuar dhe i privilegjuar që ju kam bashkëpunëtorë."

"Ne jemi politikanë, dhe politikanët do të vijnë dhe do të shkojnë - ndërsa ju jeni Shërbëtorët e vërtetë të Popullit." 

"Misioni juaj është të Shërbeni dhe Mbroni me vlera dhe virtyte të larta njerëzore dhe profesionale. Sapo të kalojë kriza, kudo që unë do të jem, e në çdo pozitë, do të bëj gjithçka që është e mundur që trajtimi juaj prej shtetit të jetë më dinjitoz."
 
"Ne bashkë do të vazhdojmë punën pa u ndalur, pa hezitime e të vendosur. Sigurisht ju jeni kontribuesit për kohët më të mira që patjetër se do të vijnë", ka thënë Sveçla.

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Qershor 2020 - Mbahet ceremonia e marrjes së detyrës nga Kryeministri i zgjedhur, Avdullah Hoti. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja ceremoniale e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga Kryeministri Avdullah Hoti. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:30)
  
- Kompanitë e auto-shkollave protestojnë për rifillimin e punës. (Para Ministrise se Infrastruktures, ish-pallati i Rilindjes, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi publikon raportin “Dështimi i gjykatave në mbushjen e Programit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”. (Hotel “Sirius”, ora 10:30)
  
-  Mbahet seancë e Kuvendit në të cilën pritet të formohet Komisioni Hetimor Parlamentar për menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të organizojë mbjelljen e drunjëve në lagjen Lakrishte. (Lagja Lakrishte në Prishtinë, ora 11:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti bën homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. (Velani, ora 12:00)

- Këshilli iniciues i punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës organizon protestë para mensës së Termocentralit Kosova B. (Termocentrali Kosova B, Obiliq, ora 12:00)

-  Kryeministri Avdullah Hoti bën homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. (Prekaz, ora 13:30)

- Kryeministri Avdullah Hoti viziton Ministrinë e Shëndetësisë. (Ministria e Shëndetësisë, ora 15:30)