26 Gusht 2019

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Kroacisë vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes

Prishtinë, 11 qershor - Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, priti me ceremoni ushtarake në Ministri të Mbrojtjes shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kroacisë, gjeneral kolonel Mirko Shundov.

Në takime të ndara të Ministrit të Mbrojtjes, z. Rrustem Berisha, dhe Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me gjeneralin kroat Mirko Shundov, u bisedua për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes si dhe u diskutuan planet dhe opsionet për vazhdimin  dhe avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy ministrive të Mbrojtjes dhe të dy Forcave tona në të ardhmen.

Me këtë rast, ministri Rrustem Berisha falënderoi gjeneralin kroat për mbështetjen e Kosovës në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit, ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse si dhe përkrahjen e vazhdueshme, bazuar në praktikat e kaluara nga vetë Kroacia, për anëtarësimin e Kosovës në iniciativa rajonale dhe në rrugën drejt NATO-s.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, gjatë takimit me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Kroacisë, gjeneralin Shundov, e njoftoi lidhur me procesin e transicionit dhe rrugën e FSK-së drejt ndërtimit të kapaciteteve mbrojtëse bazuar në mandatin e ri.

“Për ne Kroacia është partner strategjik në rajon, dhe në kuadër të kësaj, ne diskutuam për bashkëpunimin tonë bilateral si dhe mundësinë e avancimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat”, deklaroi gjenerallejtënant Rrahman Rama në konferencën për shtyp, të mbajtur me gjeneralin Shundov, pas takimin kokë më kokë midis dy gjeneralëve.

Në fund, gjeneral Rama e falënderoi gjeneralin Shundov për vizitën si dhe kontributin e Ushtrisë Kroate në KFOR dhe në Ekipin Këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Kroacisë deklaroi se Kroacia vazhdon të japë kontribut për paqen dhe sigurinë në Kosovë, ka zotim të plotë për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit si dhe është e gatshme që të ofrojë gjithë ekspertizën dhe përvojën e saj të kaluar që të ndihmojë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në në rrugën e anëtarësimit në iniciativa rajonale dhe me gjerë.

Kosova dhe Kroacia kanë marrëveshje të nënshkruar bilaterale që nga viti 2012, në kuadër të së cilës për çdo vit realizohet një gamë e gjerë e aktiviteteve të planifikuar me interes të përbashkët.

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 gusht 2019 - Komuna e Kumanovës dhe Komuna e Gjilanit oragnizojnë prezantimin e projektit dy vjeçar për bashkëpunim ndërkufitar Gjilan-Kumanovë për treg të përbashkët. (Biblioteka e Qytetit te Gjilanita, ora 10:00)

- Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren do të zhvillojë punimet e konferencës shkencore ndërkombëtare me tematika të ndryshme nga Shkencat e Natyrës dhe Teknologjia, Shkencat e Jetës dhe Teknologjia dhe nga Shkencat Inxhinierike dhe Teknologjia. (Universiteti i Prizrenit, ora 10:30)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, do të vizitojë komunën e Skenderajit ku do të përurojë fillimin e punimeve për rregullimi i shtratit të lumit “Klina” në Skenderaj, në vlerë prej 300 mijë euro. (Skenderaj, ora 11:00)

- Zyra e Koordinatores për Zhvillim te OKB-së nënshkruan Memorandumi Mirëkuptimit me Rrjetin e Përgjegjësisë Sociale Korporative te Kosovës. (Shtëpia e OKB-së në Kosovë, Rruga e Zagrebit 58, afër Ministrisë së Shëndetësisë, ora 11:00)

- Komuna e Kumanovës dhe Komuna e Gjilanit oragnizojnë inaugurimin e hapjen e tregut mobile për farmerët më produkte të fresketa. (Parku i lagjës “Arberia” në Gjilan, ora 11:30)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të mbajë konferencë për media lidhur me rastin e drejtorit të Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa. (Shtëpinë e Bardhë në Prizren, ora 12:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, do të vizitojë komunën e Dragashit ku do të përurojë fillimin e punimeve për Rregullimi i trotuarit dhe sheshit në Dragash,  në vlerë prej 560 mijë euro. (Dragash, ora 14:30)

- Përfaqesues dhe pjësmarres të konferencës shkencore ndërkombëtare te cilen e organizon Universitei i Prizrenit takohen dhe darkojnë me 150 akademikë dhe Rektorë. (Nafron Diamondora, ora 19:30)