26 Prill 2024

Presioni i Serbisë po ndikon në rekrutimin e pjesëtarëve serbë në FSK

Prishtinë, 20 mars 2020, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar raportin hulumtues “Sfidat dhe praktikat e gjithëpërfshirjes në sektorin e sigurisë në Kosovë”.

Ky hulumtim ofron një përmbledhje të gjendjes aktuale të përfshirjes së komuniteteve jo-shumicë në Policinë e Kosovës (PK) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), me theks të veçantë të komunitetit serb.

Përmes hulumtimit analizohet procesi i gjithëpërfshirjes në këto institucione dhe masat e marra për të siguruar qëndrueshmëri në këtë proces.

Për më tepër, vëmendje e veçantë i kushtohet procesit të rekrutimit, praktikave në këtë aspekt dhe masat specifike që janë marrë për t'i afruar të gjitha komunitetet jo-shumicë me këto institucione.

Mes të tjerash, ky hulumtim ofron një përmbledhje të funksionimit të mekanizmave ekzistues të brendshëm që mbikëqyrin dhe kontribuojnë në zhvillimin e politikave gjithëpërfshirëse.

Gjithashtu, hulumtimi përqendrohet në integritetin e pjesëtarëve nga komunitetet jo-shumicë, veçanërisht në PK, dhe sfidat që paraqiten në sigurimin e integritetit.

Sot, komunitetet jo-shumicë përbëjnë rreth 16 përqind të numrit të përgjithshëm të pjesëtarëve të PK-së, ndërsa FSK numëron deri në 8 përqind anëtarë nga komunitetet jo-shumicë.

Në anën tjetër, gratë në PK përbëjnë 15 përqind të numrit të përgjithshëm, ndërsa në FSK rreth 8 përqind e anëtarëve të uniformuar janë gra.

Ndërsa niveli i përfaqësimit të komuniteteve jo-shumicë në PK dhe FSK është i kënaqshëm dhe reflekton përbërjen etnike të Kosovës, përfaqësimi në grada më të larta, pozita udhëheqëse dhe përfaqësimi i grave nga komunitetet jo-shumicë lë për të dëshiruar.

Pavarësisht arritjeve në përfaqësimin e komuniteteve jo-shumicë në PK dhe FSK, qëndrueshmëria e përfshirjes së komuniteteve jo-shumicë, përkatësisht komunitetit serb, sfidohet vazhdimisht nga konotacioni politik që i është dhënë procesit të gjithëpërfshirjes, përkatësisht në FSK.

Duke pasur parasysh këtë, raporti konkludon se problemet kryesore në këtë aspekt janë të lidhura me zhvillime jashtë kompetencave të institucioneve përkatëse, andaj, adresimi i këtyre sfidave kërkon një bashkëpunim të ngushtë ndër-institucional.

Njëra ndër sfidat kryesore në përfaqësimin e komuniteteve jo-shumicë është presioni i Serbisë ndaj komunitetit serb në Kosovë në dy vitet e fundit.

Ky presion ka dhënë rezultate negative sidomos në FSK, ku një numër i madh i pjesëtarëve serbë të FSK-së kanë dhënë dorëheqje nga ky institucion, duke rezultuar në regres të madh në përfaqësimin e komuniteteve jo-shumicë.

Raporti gjithashtu thekson se drejtoria rajonale e policisë në Mitrovicë-Veri është sfiduar kur bëhet fjalë për integritetin e policëve të saj dhe qeverisjen e mirë në përgjithësi.

Raporti analizon disa raste që dëshmojnë se ekzistojnë dyshime për akuza serioze se si zyrtarët e policisë në veriun e Kosovës dyshohet se kanë qenë të përfshirë në veprimtari të paligjshme dhe sjellje të pahijshme.

Ky hulumtim pasqyron hulumtimet e gjera të QKSS-së në vitet e fundit në komunat me shumicë serbe, si dhe punën në terren të ekipit të QKSS-së në komunat ku banojnë komunitetet tjera jo-shumicë.

Për qëllimet e hulumtimit, u organizuan dy diskutime publike në Graçanicë dhe Shtërpce dhe u zhvillua një seri intervistash me shoqërinë civile, institucionet lokale dhe përfaqësuesit e qeverisë.

Për më tepër, të dhënat statistikore të raportit janë marrë zyrtarisht nga PK dhe FSK, ndërsa ekipi hulumtues ka bërë një analizë të hollësishme të përmbajtjes së dokumenteve zyrtare, raporteve dhe kornizës ligjore përkatëse.

Përveç të tjerash, të dhënat e raportit mbështeten në programet ekzistuese të QKSS-së për integritetin dhe gjithëpërfshirjen në institucionet e sigurisë, konsultimet dhe takimet e vazhdueshme me ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve, si dhe përfshirjen e ekipit të QKSS-së në procese të ndryshme në sektorin e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Publikimi i këtij raporti, njëherish shënon mbylljen e projektit “Zhvillimi i gjithëpërfshirjes dhe qëndrueshmërisë në sektorin e sigurisë në Kosovë”.

Ky projekt është zbatuar nga tetori i vitit 2019 dhe është përkrahur nga Fondi i Kanadasë për Iniciativa Lokale (CFLI).
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)