14 Tetor 2019

Policia nuk lejon ekipin “Crvena Zvezda” të hyjë në Kosovë

Mitrovicë, 9 tetor - Policia e Kosovës ka dhënë urdhër për moslejim të hyrjes së autobusit me futbollistët e klubit të futbollit Crvena Zveda i cili ka arritur të mërkurën në vendkalimin kufitar Jarinjë në veri të Kosovës.

Lojëtarët ishin nisur drejt Zveçanit për të zhvilluar takimin me Klubin e Futbollit “Trepça” nga Mitrovica Veriore, në kuadër të Kupës së Serbisë.

Drejtori i Klubit të Futbollit “Trepça” nga Mitrovica Veriore, Bojan Jakshiq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë që përgjigjja e Policisë së Kosovës ndaj kërkesës për organizimin e takimit ndërmjet Trepçës dhe Crvena Zvezdas, ka qenë negative.

“Sot rreth orës 10, ka arritur përgjigja e Policisë së Kosovës në Zveçan, në bazë të kërkesës që e kemi dërguar me 7 tetor, lidhur me organizimin e takimit Crvena Zvezda – Trepça, që kërkesa refuzohet, në bazë të urdhrit të drejtorisë kryesore në Prishtinë”, tha Jakshiq.

Futbollistët e ekipit Crvena Zvezda janë kthyer në Beograd nga vendkalimi kufitar në Jarinjë, ndërkaq që takimi me ekipin Trepça është shtyrë për të enjten.

Në Jarinjë kanë qenë të pranishme forca të shumta të Policisë së Kosovës, si dhe hyrja në Kosovë u është ndaluar edhe tifozëve që ishin nisur drejt Mitrovicës së Veriut.

Më herët, Federata e Futbollit të Kosovës, ka kërkuar nga Policia e Kosovës, që të mos lejojë zhvillimin e këtij takimi si dhe hyrjen e Klubit të Futbollit Crvena Zvezda në Kosovë.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj Federate, Eroll Salihu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë që zhvillimi i ndeshjeve të klubeve të Serbisë në territorin e Kosovës, është provokim i pastër dhe shkelje e statutit të Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA).

Drejtori i Zyrës për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë përmes një komunikate për medie se moslejimi i zhvillimit të takimit ndërmjet klubeve Crvena Zvezda dhe Trepça, “është edhe një shembull i përpjekjeve të Prishtinës që Serbinë, në çfarëdo mënyre, madje edhe simbolikisht, ta shtyjë nga Kosova edhe pse kjo ndeshje ka pasur për qëllim promovimin e sportit dhe jo ndonjë porosi politike”.

Takimi ndërmjet ekipeve, Crvena Zvezda dhe Trepça nga Mitrovica Veriore, është e xhiros së 16 të finales të Kupës së Serbisë.

Sipas shortit, takimi është dashur të zhvillohet në Zveçan në veri të Kosovës.

/rel/

Kalendari

Ngjarjet e datës 14 tetor 2019

- Shefja e BE-së në Kosovë, Ambasadorja Apostolova, do ta hapë vitin e ri akademik në Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë. (Kampusi i IBCM-së, Mitrovicë e Jugut, ora 10:00)

- Drejtoria për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm në komunën e Rahovecit mban sesionin informues në thirrjen për aplikim të publikuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë me bizneset e komunës. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)
 
- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me agjencitë, fondet, programet dhe entitetet e OKB-së në Kosovë - Ekipin e OKB-së së Kosovës nën koordinimin e Zyrës e Koordinatores për Zhvillim do të shënojë Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë. (Menza Ramiz Sadiku, ora 15:00)