26 Prill 2024

Përkujtohet rënia heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari

Prishtinë, 5 mars - Sot në kazermën "Adem Jashari" të FSK-së, në Prishtinë u mbajt manifestimi qendror në shënimin e 21 vjetorit të „Epopesë së UÇK-së“, në nderim dhe përkujtim të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit të rënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
 
Manifestimi, më 5, 6 dhe 7 mars, për shënimin e Epopesë ë UÇK-së, po mbahet nën përkujdesjen e kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në ceremoni ishin të pranishëm presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jasharit, si dhe personalitete shtetërore dhe ushtarake të Kosovës, ministra  dhe diplomat, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, deputet, veteranë, invalidë, qytetarë dhe nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës.

Pas revistës që iu bë kuadrateve të FSK-së, nga presidenti  Hashim Thaçi dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, dhe pas intonimit të himnit shtetëror dhe atij kombëtar; presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj, ministri i Mbrojtjes Berisha dhe komandanti i FSK-së, gjeneral Rama vendosën kurora me lule pranë Obeliskut të dëshmorëve, në kujtim dhe nderim të gjithë dëshmorëve të kombit të rënë për liri.

  Në fjalën e tij, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pos tjerash tha me nderimet më të larta shtetërore sot kujtojmë sakrificën e pashembullt të familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari.

Kjo sakrificë sublime, sipas tij, bëri kthesë të jashtëzakonshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar të çështjes së Kosovës.

“Bota filloi ta kuptojë drejtë Kosovën. Epopeja e UÇK-së dëshmoi se kthim prapa nuk kishte në luftën tonë për liri dhe çlirim. UÇK-ja u bë projekti më madhor kombëtar në historinë e kombit shqiptar”, ka shtuar ai.

Kreu i shtetit ka thënë se sot dhe gjithmonë nderojmë të gjithë dëshmorët e lirisë, invalidët, veteranët dhe gjithë qytetarët që sakrifikuan për çlirimin e Kosovës.

“Nderojmë diasporën, që dhanë gjithçka për liri. Kujtojmë 13,500 civilë shqiptarë të vrarë, rreth 400 masakra kundër shqiptarëve, rreth 20,000 gra të dhunuara shqiptare”, ka thënë presidenti Thaçi, para qindra ushtarëve të rreshtuar për ndër të 21 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I pari i vendit ka thënë se në këtë përvjetor për herë të parë Epopenë e UÇK-së po e shënojmë me ushtrinë e Kosovës, të njohur edhe ndërkombëtarisht si forcë moderne, profesionale dhe shumetnike.

“Ecja e Kosovës përpara është e pandalshme. Po konsolidohemi në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Të bashkuar si popull dhe institucione kemi energji që të bëjmë hapa gjigantë. Të bashkuar miqtë do të na përkrahin edhe më shumë”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova në të ardhmen e afërt do të bëhet pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian, OKB-së dhe do t’i forcojë raportet speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
  
Ndërsa, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij, tha: „Në marsin e 1998-ës midis Evropës u shua një familje e tërë, por bota e lirë u zgjua dhe nuk lejoi të zhdukej një popull, i cili, nga historia evropiane dhe botërore kishte mësuar ndër breza të jetojë i lirë, në vend të vetin, me nder dhe dinjitet dhe duke i respektuar të tjerët që jetojnë pranë tij.

 Heronjtë dhe dëshmorët e Kosovës, veçanërisht Jasharët dhe Komandanti legjendar Adem Jashari, na kanë dhënë këtë leksion: Vetëm një popull që është i gatshëm ta mbrojë lirinë me çmimin e jetës, e ka të ardhmen e sigurt“

Kurse për themelimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë, kryeministri Haradinaj, shtoi: „Vota për Ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë dhe Kosovës dhe për Shërbimin për këtë forcë, e lartësoi emrin e atdheut.

Të zgjedhurit e popullit të Kosovës, me 107 vota i thanë po një projekti nacional që vjen në formë euroatlantike, që ka qëllim paqen dhe që i dedikohet paqes. Shërbimi në Forcën e Kosovës do të jetë nder e privilegj, por edhe patriotizëm i gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë edhe atyre të komuniteteve etnike.

Sot, këtu, ri-takohen në rresht të gjithë brezat e çlirimtarëve të Kosovës, të mishëruar në flamurin e ushtrisë sonë të paqes dhe flamurtari i parë, eprori i të gjithë eprorëve, gjenerali ynë, gjenerali i gjithë gjeneralëve, Komandanti ynë Adem Jashari.

Ushtria e Kosovës vjen në paqe dhe ajo nuk do të përdoret kundër popullit të Kosovës, as në jug dhe as në veri. Por ajo do të jetë aty për paqe për të gjithë që jetojnë në Kosovë.

Në miqësi të përhershme me Amerikën dhe në partneritet me aleatët tanë strategjik, ne do t’ia dalim ta bëjmë Kosovën çfarë e ëndërruan çlirimtarët“, tha në fund kryeministri i Kosovës, Haradinaj.

Në ceremoninë ushtarake foli edhe Rifat Jashari, vëllai i komandantit Adem Jashari. Ai duke uruar të gjithë, për formimin e ushtrisë së Kosovës, tha se; dëshiron që këta ushtarë të jenë të gatshëm gjithmonë të mbrojnë territorin e Kosovës, siç e ka mbrojtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ai e përmbylli fjalën e tij, duke falënderuar të gjithë miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha shtet tjera, që na kanë ndihmuar dhe shpresoj që prapë do të na ndihmojnë tha Rifat Jashari.

  Në fund, Trupa muzikore e FSK-së, ekzekutoi disa pika muzikore.

Manifestimi për Epopenë e UÇK-së, vazhdon më 6 dhe 7 mars, me homazhet në Kompleksin Memorial në Prekaz, Akademinë Përkujtimore kushtua “Epopesë së UÇK-së, si dhe me Natën e Zjarreve”.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)