09 Korrik 2020

OSBE organizon forum rinor mbi të drejtat e njeriut

Prishtinë, 23 shtator - Nën organizimin e Misionit të OSBE-së në Kosovë sot do të fillojë punimet në Prishtinë forumi rinor katër-ditor i titulluar “Qasja e të rinjve në të drejtat e njeriut”.

Ngjarja do të mbledhë të rinj nga radhët e komuniteteve, besimeve fetare e sfondeve gjuhësore të ndryshme në Kosovë.

Rreth 90 pjesëmarrës të rinj, bashkë me folës të ndryshëm nga organizata ndërkombëtare, organizata joqeveritare dhe struktura lokale politike, do të reflektojnë mbi mënyrat e fuqizimit të rinisë në funksion të krijimit dhe ruajtjes së shoqërive demokratike stabile.

Gjatë katër ditëve sa do të zgjasë forumi, do të mbahen tri seanca plenare mbi fuqizimin e lidershipit tek të rinjtë, arritjen e barazisë gjinore dhe pjesëmarrjen e shtuar në procese vendimmarrëse.

Në vijim të seancave plenare, pjesëmarrësit do të ndahen në tri grupe të fokusuara ku do shtjellohen sfidat  e të drejtave të njeriut në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit; të drejtat e njeriut, toleranca dhe liria e besimit; si dhe të rinjtë dhe siguria.

Fjalime hyrëse do të mbajnë Kilian Wahl, zëvendësshef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Arta Rama-Hajrizi, kryetare e Gjykatës Kushtetuese, dhe Stefano Gnocchi, Këshilltar për Komunitetet Pakicë dhe Trashëgimi Fetare e Kulturore nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Përmes një video mesazhi, pjesëmarrësve do të ju drejtohet edhe Alba Brojka, Përfaqësuese e Posaçme në Zyrën për Rini dhe Siguri në kuadrin e Kryesisë Sllovake të OSBE-së.

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Korrik 2020 - Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët votimi dhe shqyrtimi i disa Projektligjeve për ratifikimin e Marrëveshjeve ndërkombëtare. (Salla e Kuvendit, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit bën përurimin e stadiumit në Sërbicë të Poshtme, projekt i realizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ku do të jetë i pranishëm kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e DKRS-së, Emilija Redzepi. (Nisja do të bëhet nga Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:30)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët  votimi i Propozim rezolutës nga Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe debati parlamentar lidhur me dialogun Kosovë - Serbi. (Salla e Kuvendit, ora 10:30)

- Në nderim të ushtarit amerikan Alexander Blake Klass, 20 vjeçar nga Willamina e Oregonit, që ka humbur jetën në një incident, që nuk kishte të bënte me veprim të armatosur, Shoqata "Miqtë e Amerikës" do ta ulin në gjysëm shtizë flamurin amerikan. (Sheshi “Bill Clinton” në Prishtinë, ora 11:00)

- Mbahet Seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 11:00)

- OVL e UÇK-së mban protestë gjithëpopullore me moton “Në mbrojtje të Luftës Çlirimtare”. (Prishtinë dhe qytetet e tjera të Kosovës, ora 12:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media në të cilën flet Albulena Haxhiu. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Rahovecit, në të cilën do të behët shqyrtimi dhe aprovimi i Propozim vendimit për bartjen e mjeteve nga rezervat e buxhetit komunal, nga kategoria pozicionit të pagave në kategorinë e Investimeve Kapitale. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në objektin e ri të komunës, ora 14:00)

Mbledhja do të mbahet në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, në objektin e ri të komunës.

- Mbahet një takim pune i organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në të cilin do të diskutohet dokumenti - Plani Hapësinor i Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna. (Ndërtesa e re e Qeverisë ish-Rilindja, salla e konferencave, kati XVIII, ora 15:00)