26 Prill 2024

Një numër i viktimave të krimit kanë nevojë për ndihmë

Prishtinë, 22 tetor - Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, sot është mbajtur dita e parë e “Javës për të drejtat e viktimave të krimit”, organizim që ka mbledhur rreth vetës krerët më të lartë të shtetit.

Në fjalën e tij hyrëse, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi theksoi përkushtimin e Prokurorit të Shtetit për të mbrojtur viktimat e krimit dhe për të ndjekur penalisht secilin kryes të veprave penale.

“Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës se do të ndërmarrin të gjithë hapat e duhur qe viktimat e krimit të trajtohen si duhet. Kosova ka bërë përparimin e duhur për trajtimin e dinjitetshëm të viktimave të krimit, megjithatë duhet të bëhet më shumë që këto raste të marrin dënimin e duhur nga sistemi i drejtësisë. Inkurajoj viktimat e krimit, familjarët, dhe fqinjët e tyre që të lajmërojnë kryerjen e veprave penale dhe sa herë qe është e nevojshme të kërkojnë masa mbrojtëse që janë urgjente për të parandaluar dhunën”, ka thënë Lumezi.

“Ne në punë tonë kemi arritur që askush të mos amnistohet nga ndjekja penale pavarësitë nga statusi në shoqëri”, u shpreh tutje kryeprokurori duke theksuar se të drejtat e viktimave të krimit janë të garantuara me Kushtetutë dhe me ligjet e Kosovës, dhe si të tilla, duhet të respektohen. “Kemi caktuar edhe koordinatorin e dhunës në familje. Kemi forcuar kapacitet, kemi arritur të zvogëlojmë numrin e lëndëve. Ne kemi krijuar legjislacion bashkëkohor për trajtim sa më dinjitoz të viktimave të krimit. Kemi numër të konsiderueshëm të viktimave, të cilave iu është kompensuar dëmi dhe po i realizojnë të drejtat e tyre”.

Ndërkaq, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, gjatë fjalimit të tij, para të pranishmëve kërkoi që çdo gjykatës dhe prokuror të marr përgjegjësitë e veta seriozisht.

“Ligji për kompensimin e viktimave të krimit është një prej të arriturave më të mëdha në sistemin e drejtësisë. Ligji synon të ju dalë në krah individëve më të cenueshëm në shoqëri. Dhuna në familje nuk do të lejohet në Kosovë, është obligim i të gjithëve veçanërisht organeve të drejtësisë që të nxjerrin para drejtësisë ata që ushtrojnë dhunë dhe të mos neglizhohet asnjë rast”, potencoi presidenti.

Me fjalë rasti në këtë ditë, u paraqiten edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufi, i cili theksoi përkushtimin e KPK-së, për të siguruar mekanizmat e nevojshëm në luftimin e krimit dhe mbrojtjen e viktimave.

“Të vetëdijshëm se efektet e krimit mund të ndodhin për vite me radhë dhe për shumicën e viktimave kanë implikime për gjithë jetën e tyre,  si në aspektin fizik ashtu dhe atë emocional ofrimi i mbrojtjes për ta është domosdoshmëri absolute për ne. Andaj, ne besojmë se duke e fuqizuar sistemin e ofrimit të mbrojtjes së viktimave të krimit ne fuqizojmë sistemin e drejtësisë. Në këtë drejtim, pa dyshim se ne si Këshill Prokurorial do ta kemi prioritet fuqizimin dhe ofrimin e shërbimeve profesionale ndaj viktimave të krimit. Ne besojmë se duke mbrojtur viktimat e krimit ofrojmë një ambient të sigurt për shoqërinë, andaj synojmë që krahas fokusit në kapjen e kryesve të veprave penale, të trajtojmë me prioritet absolut edhe ofrimin e mbrojtjes së viktimave të krimit”, ka thënë Kryesuesi Isufaj.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se Kosova ka legjislacion të avancuar në parandalimin dhe ndëshkimin e krimit.

“Përderisa Kosova është vendi i parë në rajon që ka ndërtuar mekanizmat e duhur institucional, mund të konfirmoj që nga viti në vit po rregullohet sistemi që garanton të drejtat e viktimave”, u shpreh Tahiri, duke shtuar se shpreh përkushtimin që të kontribuoi në krijimin e kushteve sa më të mira për drejtësinë që t’u vihet në ndihmë viktimave.

Në fjalën e tij të rastit, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, potencoi detyrimin e gjyqtarit, që trajton rastet me viktima, që t’i mbrojë ato duke shqiptuar dënim meritor për secilin shkelës të të drejtave të njeriut.

“E kemi për detyrë që përmes politikës ndëshkimore, të pengojmë zhvillimin e dukurive negative, të parandalojmë krimet potenciale dhe të sigurojmë jetën e qytetarëve, para se të kthehen në viktima. Çfarëdolloj kompensimi nuk është satisfaksion i mjaftueshëm  për një viktimë krimi. Asgjë nuk e kompenson dhunën, torturën, traumën e aq më pak marrjen e jetës së dikujt. Por, kriminelët duhet të paguajnë për krimet e tyre. Shteti duhet të kujdeset për viktimat”, u shpreh ai.

Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së ambasadores së SHBA-vë në Prishtinë, Colleen E. Hyland, tha para të pranishmëve se Ambasada e ShBA ka kontribuar në mënyrë domethënëse në parandalimin e dhunës në familje në Kosovë. “Kemi kërkuar që dhuna në familje të trajtohet si kategori prioritare.

 “Ambasada e SHBA-ve përmes programeve të saj ka ndihmuar institucionet e Kosovës që të përmirësojnë përgjigjen ndaj rasteve të dhunës në familje. Mbështetja ndaj viktimave duhet të jetë në qendër të vëmendjes tuaj. Këtë vit Kosova ka parë vrasje tragjike si pasojë e dhunës në familje. Është e qartë që secili duhet të alarmohet nga këto raste dhe të inkurajojnë viktimat të paraqesin këto raste dhe jo t’i fshehin ato nga turpi”, tha Hyland.

Ndërkaq, Cezary Michalczuk, nga zyra e BE-së në Kosovë, shprehu kënaqësinë që e drejta në Kosovë po zbatohet sipas standardeve ndërkombëtare, por kërkoi që reforma në gjyqësor të begatohet me ndryshimet e tanishme në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale.

Menaxheri i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Basri Kastrati, tha se numri i viktimave të dhunës po shtohet, derisa theksoi që kjo rrit përgjegjësinë e institucioneve për t’u dal në mbrojtje.

“Në Kosovë një numër i ndjeshëm i viktimave të krimit kanë nevojë për ndihmë. Kjo na jep një përgjegjësi të madhe në mënyrë qe të jemi sa më profesionist. Fokusi jonë do të jetë në ligjin për kompensim të viktimave dhe në ligjin për dhunë në familje”.

“Rëndësia e kompensimit të viktimave të krimit shihet edhe në mirëqenien e tyre. Ne si institucione duhet të bëjmë sa më shumë në informimin dhe sensibilizimin për viktimat e krimit”, u shpreh ai duke sqaruar se nga 1.374 raste të viktimave që janë lajmëruar në këtë zyre, 1081 raste kanë qenë për dhunë në familje.

Me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë, “Javës për të drejtat e viktimave të krimit”, po mbahet qe nëntë vite radhazi, ndërkaq konferenca do të vazhdojë edhe ditën e nesërme.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)