14 Tetor 2019

MPB nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me IOM për ri-integrimin

Prishtinë, 27 maj - Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me Organizatën Ndërkombëtare për Migracion në Kosovë (IOM), kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e menaxhimit të migracionit, me theks të veçantë “Kthimi të asistuar vullnetar në ri-integrim”(KAVR).

Ky Memorandum Mirëkuptimi u nënshkrua nga ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa dhe znj. Tajma Kurt, shefe e Misionit të IOM në Kosovë.

Me këtë rast, u tha se ky memorandum i bashkëpunimit është shënjues i një bashkëpunimi të frytshëm, shumëvjeçar, ndërmjet MPB-së dhe IOM-it dhe partneritetit në fushën e menaxhimit të migracionit.

Kthimi i asistuar vullnetar dhe ri-integrimi është program i cili promovon dhe përqendrohet në ofrimin e asistencës migrantëve për tu kthyer vullnetarisht në vendin e origjinës dhe si i tillë, ai paraqet një ndër iniciativat dhe objektivat kryesore të IOM për përkrahje dhe zhvillim të sistemit të migracionit të fokusuar në mbrojtje të të drejtave të migrantëve dhe kthimin e tyre të dinjitetshëm në vendin e origjinës.

Në kuadër të kësaj iniciative është përfshirë edhe një nen mbi KAVR në Ligjin për të Huajt dhe një kapitull në Udhëzimin administrativ për kthimin e të huajve me qëndrim të paligjshëm në Republikën e Kosovës.

Kësisoj, migrantët që qëndrojnë në Kosovë dhe dëshirojnë të kthehen në vendin e tyre të origjinës, tani mund të përfitojnë nga Programi i IOM-it që përfshinë këshillimin para nisjes, asistencë shëndetësore, asistencë për pajisje me dokumente relevante të udhëtimit, biletave të aeroplanit, përcjelljeje gjatë udhëtimi dhe në vendet e transitit, pritje dhe transport deri në vendin e destinacionit, akomodim si dhe përkrahje për ri-integrim të qëndrueshëm në vendin e origjinës për raste ku kjo është e nevojshme.

Kjo iniciativë është marrë në vazhdën e shumë iniciativave tjera të ndërmarra nga zyra e IOM-it në Kosovë në kuadër të projektit “Mbështetja Rajonale për Menaxhimin sensitiv të Migracionit me fokus tek mbrojtja në Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” (projekt i cili implementohet në bashkëpunim më Frontex, EASO dhe UNCHR), që ndër të tjera vlen të përmenden edhe zgjerimi i bazës ekzistuese të të dhënave për MPB/DSHAM me modul të ri statistikor i cili do te ndihmojë në prodhimin e raporteve periodike në përputhje me standardet e EuroStatit, mbi Popullatën dhe Migracionin, Lejet e Qëndrimit dhe Azilin, pajisje dhe trajnime për shfrytëzimin e Platformës rajonale online për shfrytëzimin e shërbimeve të përkthimit  për gjuhët e rralla të përdorura nga migrantët, përkrahje në hartimin e Strategjisë Nacionale të Migracionit 2019-2013, printimin e ligjeve dhe materialeve promovuese relevante.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 14 tetor 2019

- Shefja e BE-së në Kosovë, Ambasadorja Apostolova, do ta hapë vitin e ri akademik në Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë. (Kampusi i IBCM-së, Mitrovicë e Jugut, ora 10:00)

- Drejtoria për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm në komunën e Rahovecit mban sesionin informues në thirrjen për aplikim të publikuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë me bizneset e komunës. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)
 
- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me agjencitë, fondet, programet dhe entitetet e OKB-së në Kosovë - Ekipin e OKB-së së Kosovës nën koordinimin e Zyrës e Koordinatores për Zhvillim do të shënojë Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë. (Menza Ramiz Sadiku, ora 15:00)