19 Korrik 2019

Ministri Berisha përkujton ushtarakët e rënë gjatë misionit në Letoni

Prishtinë, 13 maj - Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, z. Rrustem Berisha, sot vizitoi Ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë për të bërë homazhe me rastin e rënies në krye të detyrës të Major Klodian Tanushit dhe ushtarakes Nëntetare Zarife Hasanaj, gjatë misionit të NATO-s në Letoni. Pas homazheve ministri z. Berisha u nënshkrua në Librin e Zisë.

Ministri Berisha u prit nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, z. Qemal  Minxhozi, të cilit në emër të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe të Ushtrisë së Kosovës i shprehu ngushëllimet më të thella për humbjen e jetës së dy oficerëve të Shqipërisë, gjatë kryerjes së misionit të tyre në Letoni, dhe përmes tij edhe ministres së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, znj. Olta Xhaçka dhe familjarëve të tyre.

Në Librin e Zisë, ministri Rrustem Berisha, shkroi:

“Major Klodian Tanushi dhe Nëntetarja Zarife Hasanaj, si dëshmorë të paqes dhe sigurisë, na treguan të gjithëve se edhe mbrojtja e paqes kalon nëpër sakrifica dhe përballje me rrezikun për përmbushjen e detyrave ushtarake. Lavdi e përjetshme për dëshmorët më të rijnë të kombit shqiptar, Heronjtë e Paqes Major Klodian Tanushi dhe Nëntetare Zarife Hasanaj“.

Ministri Berisha në fund u shpreh se: „edhe populli shqiptar po kontribuon për paqe dhe siguri, ashtu siç kanë kontribuar të tjerët për lirinë e Kosovës. Edhe FSK-ja në të ardhmen do të jetë e gatshme që mos të jetë vetëm konsumues i sigurisë, por edhe kontribuues aktiv i saj. Edhe njëherë  u shprehu ngushëllime familjeve, institucioneve dhe gjithë popullit shqiptar”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 korrik 2019 - Ekipi i Luftimit të Brigadës së Këmbësorisë së 44-të, Garda Kombëtare e Ushtrisë së New Jersey do të marrë komandën e MNBG-E nga Ekipi i Luftës së Brigadës së 29-të të Mbrojtjes së Këmbësorisë, Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Hawaii ku menjëherë pas ceremonisë do të mbahet një konferencë shtypi. (Camp Bondsteel, ora 9:00)

- Klinika e Kirurgjisë Vaskulare, në bashkëpunim me Katedrën e Kirurgjisë dhe Fakultetin e Mjekësisë mbajnë mbledhje komemorative, me rastin e vdekjes së Prof.dr. Gazmend Shaqiri. (Amfiteatri i Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, ora 9:00)

- Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës do të mbajë dëgjim publik për Projektligjin e Punës. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të behët shqyrtimi i raportit të Auditimit të Kompanisë Regjionale 'KRU Prishtina', të Ndërmarrjes Publike ,,Posta e Kosovës", etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim një delegacion prej 56 studentësh të programit Akademia Verore, nga 28 shtete të ndryshme. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:00)

- Grupi i Aktivisteve protestojnë para policisë në Fushë Kosovë për të mos lejuar që përdhunimet e vrasjet të fshihen brenda mureve të Policise dhe Prokurorise që sipas tyre më së paku i mbrojnë. (Marrshimi nis nga lagja Meshari te pazari për të vazhduar drejt stacionit policor në Fushë Kosovë, ora 14:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 15:00)
 
- Matt Taylor, regjisor i “Rick & Morty Exquisite Corpse”, prezanton filmat e animuar në kuadër të Festivalit Ndërkombëtarë të Filmit të Animuar - Anibar. (Kinema “Jusuf Gërvalla” në Pejë, ora 14:00)

- Në kuadër të aktiviteteve "Ditët e Diasporës 2019" në përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në Deçan behët hapja e Panairit Verorë 2019. (Qendra e qytetit të Deçanit, ora 16:00)
 
- Fondacioni Lumbardhi prezanton ekspozitën 'Kino e artistit' Vladimir Miladinović. (Kinema Lumbardhi, ora 19:30)

- Fondacioni Lumbardhi organizon koncertin e këngëtares kroate te pop dhe jazz, Vesna Pisaroviç Quartet: "The Great Yugoslav Songbook". (Kinema Lumbardhi, ora 21:00)