27 Prill 2024

Ministri Berisha informoi deputetët për planet për transformimin e FSK-së në FAK

Prishtinë, 24 tetor - Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, zotëri Rrustem Berisha, mori pjesë për herë të parë që nga marrja e detyrës së ministrit, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së(KPPBSMFSK) të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Mbledhja e Komisionit Parlamentar u kryesua nga kryetari i Komisionit, deputeti Haxhi Shala. Në mbledhje morën pjesë deputetë të Parlamentit të Kosovës, anëtarë të këtij Komisioni, nga të gjitha grupet parlamentare.

Ministri Rrustem Berisha i njoftoi deputetët mbi gjendjen e trashëguar në Ministrinë për FSK dhe në FSK, gjendjen aktuale, objektivat strategjikë të tij për zhvillimin e Forcës, bashkëpunimin me partnerët strategjikë dhe shtetet e rajonit, bashkëpunimin me NATO-n, KFOR-in, përfshirjen dhe integrimin e komuniteteve në FSK si dhe mbi procesin e planifikuar të transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës(FAK).

I pari i MFSK-së, ministri Berisha tha si ministër është i interesuar në vendosjen e objektivave strategjike të cilat do të kenë për fokus: mirëmbajtjen e kapaciteteve të FSK-së, avancimin dhe zhvillimin më tutje të saj në të ardhmen, si forcë profesionale, multietnike, e cila do të jetë në të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës’.

"Ne si Ministri e FSK-së dhe si FSK,- tha ministri, i kemi përcaktuar prioritetet tona. Prioriteti kryesor në të cilin do të fokusohemi është zhvillimi profesional i burimeve njerëzore brenda FSK-së, thellimi i bashkëpunimit me shtetet e rajonit, integrimi i komuniteteve jo-shumicë, në veçanti i komunitetit serb, që të jenë pjesë e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, sepse është interes i yni dhe i të gjithë qytetarëve të Kosovës", theksoi ai.

Më tej, ministri Berisha informoi deputetët edhe për planet për transformimin e FSK-së në FAK, hapat që do të ndërmerren në këtë drejtim, transparencën e plotë të procesit, koordinimin e gjithanshëm institucional e politik si dhe koordinimin me aleatët strategjikë.

Ministri i FSK-së u përgjigj edhe në pyetjet e deputetëve, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, të cilat kryesisht ishin me karakter informues rreth numrit të pjesëtarëve, armatimit, sektorit të shëndetësisë, hartimit të planeve për transformim, përfshirjes së komuniteteve, gradimit të pjesëtarëve etj.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)