26 Prill 2024

MD nis Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit

Prishtinë, 9 mars - Ministria e Drejtësisë në një ceremoni të veçantë, ka nisur sot zyrtarisht procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit,  rezultatet e së cilit pritet të japin kontribut për fuqizimin e shtetit ligjor në Republikën e Kosovës.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, me këtë rast ka thënë se në dekadën e dytë të pavarësisë, në emrin e Qeverisë, Ministria e Drejtësisë ka marrë përsipër nxitjen e një analize gjithëpërfshirëse të sektorit të sundimit të ligjit.

“Ky proces pritet të harmonizojë përfundimisht parimet, legjislacionin dhe institucionet përgjegjëse në këtë sektor, në mënyrë që nga ky proces i rishikimit funksional dhe nga analiza gjithpërfshirëse, të formohen konturat e forcimit të bazës së sistemit të drejtësisë dhe të definohet zhvillimi i tij në të ardhmen, brenda një mendësie demokratike dhe progresive. Mbi këtë bazë, viti 2018 shënon vitin përcaktues në të cilin, institucionet dhe organet e drejtësisë, po hapin debatin për vlerësimin e sektorit të sundimit të ligjit” ka thënë Tahiri.

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ka theksuar se përgjegjësia e institucioneve vendore për sistem efikas, të pavarur dhe të qëndrueshëm është rritur tash me transferimin e përgjegjësive nga institucionet ndërkombëtare.

“Sot është një ditë e rëndësishme meqë institucionet e Kosovës po marrin përgjegjësi të plot anë sektorët më të rëndësishëm shtetëror. Është rezultat i pjekurisë institucionale dhe kapaciteteve profesionale të cilat me mund dhe sakrificë u krijuan për të ndërtuar vendin tonë. Andaj, kërkoj që të jeni në krye të detyrave tuaja në këtë angazhim shumë të rëndësishëm. Puna juaj duhet të shihet dhe të jetë e prekshme për të gjithë qytetarët e Republikës pa dallim” ka thënë presidenti Thaçi.

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka kërkuar zbatim më të mirë të Kushtetutës dhe ligjeve.

“Republika e Kosovës ka një Kushtetutë që përmban standardet më të larta bashkëkohore demokratike, standardet më të larta të lirive dhe të drejtave të qytetarëve të të gjitha komuniteteve. Por një shtet i drejtë nuk është vetëm pse ka ligje të mira, por kur ato ligje zbatohen në mënyrë rigoroze dhe të barabartë pavarësisht dallimeve që ata kanë” ka theksuar ia.

Për Kryeministrin Ramush Haradinaj, edhe kjo ngjarje dëshmon se sundimi i ligjit mbetet prioritet, ndërkaq Rishikimi është në linjë me objektivat strategjike të Qeverisë. “Sundimi i Ligji është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Këtë e kemi dëshmuar me kohën, energjinë, me resurset që ia kemi dedikuar këtij sektori” tha ai.

Zëvendës Shefja e Misionit të Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Colleen Hyland, shprehu mbështetjen e saj për këtë proces.

“Ajo që prodhoni në fund të këtij procesi, strategji sektoriale, do të jetë udhëzues për të përmirësuar performancës e sistemit gjyqësor të Kosovës, diçka që të gjithë qytetarët e Kosovës e dëshirojnë dhe e meritojnë” tha ajo.

Nga ana e tij, zëvendës shefi për bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Libor Chlad, theksoi se Rishikimi Funksional do të avancojë më tutje reformën e sundimit të ligjit në Kosovë, në vijë me standardet dhe vlerat evropiane.

“Sundimi i ligjit është më shumë se një kërkesë formale. Është esencial për prosperitet ekonomik dhe qëndron në thelb të partneritetit të Bashkimit Evropian me Kosovën. Si e tillë është e përshkruar edhe në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe në Agjendën e Reformave Evropiane”ka theksuar Chlad.

Me këtë pohim është pajtuar edhe z. Nehat Idrizi, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i cili theksoi se Rishikimi Funksional po ndodh në një moment të përshtatshëm, pas nënshkrimit dhe ratifikimit të MSA-së. Nga ana tjetër, z Blerim Isufaj, Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovë, kërkoi mbështetje edhe më të madhe për sistemin prokurorial, që sipas tij, pavarësisht arritjeve, ka ende nevojë të zhvillohet.

Në këtë ceremoni, kryesuesit e shtatë shtyllave të Rishikimit Funksional kanë prezantuar qëllimin dhe misionin e punës së tyre.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)