27 Prill 2024

MD është duke punuar në avancimin e legjislacionit penal kundër korrupsionit

Prishtinë, 24 tetor - Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja Blerta Deliu-Kodra, raportoi ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, lidhur me përmbushjen e veprimeve që dalin nga Agjenda Evropiane për këtë ministri.

Me këtë rast, ministri Tahiri, fillimisht ka folur lidhur me agjendën për reforma evropiane, të veprimeve që dalin nga Plani Kombëtar për zbatimin e MSA-së, kriteret për liberalizimin e vizave, me theks të veçantë në kriterin për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për gjendjen aktuale të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Ai tha se Ministria e Drejtësisë është duke punuar në avancimin e legjislacionit penal, kundër korrupsionit dhe atë të reformave gjyqësore, në kuadër të sfidave të dala nga Agjenda Evropiane në vend, në veçanti drejt përmbushjes së agjendës evropiane të reformave (ERA). Ndërkaq, sqaroi se Ministria e Drejtësisë ka tri prioritete që dalin nga procesi i agjendës evropiane të reformave, duke njoftuar në vijim për statusin e përmbushjes së këtyre prioriteteve.

Lidhur me koncept dokumentin mbi plotësim-ndryshimin e legjislacionit në fuqi për të siguruar pezullimin ose largimin e detyrueshëm të zyrtarëve publik të akuzuar apo dënuar për korrupsion, ministri Tahiri vlerësoi se përmes këtij koncept dokumenti synohet që përmes ndryshim-plotësimit të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, në momentin e ngritjes së aktakuzës për veprat penale që ndërlidhen me vepra korruptive, apo keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtarë, zyrtarët publik do të pezullohen nga puna deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Ndërkaq, sa i përket Projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, ai sqaroi se Projektligji i miratuar nga legjislatura e kaluar në lexim të parë, por për shkak të rrethanave politike i njëjti është kthyer në MD. Ndërkaq versionin e njëjtë e kanë riproceduar dhe miratuar në mbledhjen e Qeverise dhe tani gjendet në Kuvend.

Në vijim, ministri Tahiri informoi anëtarët e Komisionit edhe lidhur me Projektligjin për Prokurorin e shtetit, përkatësisht rishikimin e dispozitave që i referohen çështjes së emërimit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale.

“Me këtë projektligj synohet që kriteret për emërimin e prokurorëve në Prokurorinë Speciale të jenë ekuivalente me kriteret për emërimin e prokurorëve në Prokurorinë për Krime të Rënda, me qëllim të rritjes së numrit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale, si dhe rritjes së efikasitetit në parandalimin dhe luftimin e krimeve”, theksoi ministri Tahiri.

Anëtarët e Komisionit: Blerta Deliu, Milaim Zeka, Ahmet Isufi, Ilir Deda, Armend Zemaj dhe Zenun Pajaziti, gjatë diskutimit të tyre kërkuan sqarime shtesë nga ministri Tahiri në çështje të ndryshme. Mes tjerash ata kërkuan informata lidhur me hapat që ka ndërmarrë kjo ministri për të fuqizuar sundimin e ligjit në Kosovë, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafikimit të qenieve njerëzore, ndërkaq kërkuan veprime konkrete në luftimin e këtyre dukurive përmes hartimit të politikave dhe projektligjeve.

Ministri Tahiri duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, tha se përmbushja e obligimeve që rrjedhin nga Plani Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, rishikimi i legjislacionit penal dhe atij kundër-korrupsion, është pjesë e aktiviteteve intensive për vitin 2017 dhe 2018.

“Lufta kundër korrupsionit, shpëlarjes së parave dhe financimit të luftimit të terrorizmit, është një proces i vështirë dhe sfidues”, tha Tahiri, duke shtuar se përmes hartimit të politikave dhe projektligjeve, kanë hedhur hapat e parë për të krijuar parakushtet ligjore dhe resurse për të luftuar këto dukuri.

Krejtësisht në fund, ministri Tahiri ka folur edhe për themelimin e grupit për Rishikimin Funksional për Sektorin e Sundimit të Ligjit në Kosovë, si dhe për Grupin Punues për  Procesin e rishikimit të legjislacionit penal (Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale).

Tahiri sqaroi se deri në fund të këtij viti do të procedohet Kodi Penal, përderisa Kodi i procedurës penale do të përfundohet gjatë pjesës së parë të vitit 2018.

“Jemi në rrugë të drejtë për të shënuar progres në drejtim të fuqizimit të sundimit të ligjit, që është prioritet i Kosovës, si e vetmja rrugë drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, tha ministri i Drejtësisë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)