27 Prill 2024

Kryeministri Haradinaj: E meritojmë të anëtarësohemi sa më shpejt në NATO

Prishtinë, 14 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “NATO dhe Ballkani Perëndimor – Dinamikat regjionale në periudhën e sfidave globale të sigurisë”, e cila u organizua nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

Me këtë rast Kryeministri Haradinaj theksoi rolin e Kosovës në krijimin e sigurisë rajonale dhe bashkëpunimin e ndërsjellë që ka me të gjitha shtetet veç e veç.

Kosova nuk duhet të jetë vetëm konsumuese e sigurisë, por të kontribuojë për sigurinë dhe paqen në botë, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Fjala e plotë e Kryeministrit Haradinaj në konferencë:

Të nderuar pjesëmarrës,

Dinamikat rajonale, në kohën që ne jetojmë, kanë ndikim vendimtar në sigurinë nacionale të shteteve veç e veç, e sidomos në Ballkan. Siguria kërkon një parametër dhe ajo është respekti, shtetet duhet ta respektojnë njëri-tjetrin. Nëse mungon respekti i ndërsjellë shumë parametra tjerë e humbin peshën e vet.

E kemi të qartë se asnjë shtet nuk është i vetëmjaftueshëm për sigurinë nacionale. Asnjëri nga ne nuk mjafton për ta siguruar vetveten, për këtë na duhet bashkëpunimi ndërshtetëror sa më i gjerë dhe, ne si Kosovë jemi të gatshëm dhe dëshirojmë bashkëpunim të ndërsjellë.

Sfidat dhe kërcënimet e sigurisë tash i kalojnë kufijtë e shteteve, edhe të shtetit tonë. Sfidat që ne i veçojmë janë terrorizmi global, ndërhyrja e Rusisë në Ballkan, kryesisht përmes luftës informative, krimi i organizuar ndërkombëtar, rreziku kibernetik, rreziqet sociale dhe ekonomike dhe rreziqet e stabilitetit rajonal.

Për këtë na duhen iniciativa të përbashkëta për t’u përballur me këto sfida dhe kërcënime, duke respektuar sovranitetin e secilit shtet në mënyrë reciproke. Respekti në Ballkan është i nevojshëm.

E kemi të qartë se përgjegjësinë finale për sigurinë nacionale të shtetasve tanë e mbajmë vet secili shtet.

Për këtë Kosova, si shtet, e ka të vendosur rrugën e vet. Ne nuk jemi shtet neutral në aspektin ushtarak dhe të politikës së jashtme.

Ne duam dhe e meritojmë të anëtarësohemi sa më shpejt në NATO. Pra ne jemi me NATO-n

Ne duam NATO të qëndrojë në Kosovë. Ne kemi të drejtë dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet për të themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës. Ne synojmë që brenda kësaj dekade pra, deri në vitin 2020 të arrijmë fazën e dialogut, pra ta përmbyllim anëtarësimin në NATO.

Dëshirojmë që Kosova të përfshihet në programin për partneritet për paqe në bazë të fushave të specializuara ushtarake si dhe të ftohet për t’u bashkuar në Membership Action Plan, projektimi i stabilitetit NATO dhe Ballkani Perëndimor.

Ne e shohim NATO-n si faktor të posaçëm dhe vendimtar të stabilitetit rajonal. Poashtu, e shohim si shumë të rëndësishme NATO-n për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

E shohim NATO-n si mundësi për të parandaluar dhe për t’u përballur më luftën e dezinformimit.

E mendojmë NATO-n si ndihmesë për Kosovën, që Kosova të ndalojë së absorbuari siguri dhe të mund të ofrojë dhe të ndihmojë sigurinë dhe paqen në botë.

Themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës jemi të bindur se e ndihmon këtë proces dhe njëkohësisht siguron të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

 


 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)