15 Tetor 2019

KPK miraton raportin gjashtëmujor

Prishtinë, 3 shtator - Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur takimin e 171-të me radhë, të cilin e ka udhëhequr Kryesuesi Bahri Hyseni.

Fillimisht anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës kanë miratuar pa rekomandime Raportin tremujor për periudhën prill-qershor 2019 për aktivitetet e Koordinatorit kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, të cilin e ka prezantuar Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi.

Gjithashtu, është miratuar me rekomandime edhe Raporti gjashtëmujor për periudhën janar – qershor 2019 i Komisionit Mbikëqyrës për zbatimin e Planit strategjik dhe Planit të veprimit për luftimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik, të cilin e prezantoi anëtarja e këtij Komisioni, Prokurorja në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula. 

Rrjedhimisht, pas tërheqjes së shortit, anëtarët e KPK-së kanë aprovuar krijimin e paneleve vlerësuese, komisioneve për rishqyrtim dhe komisioneve rezervë për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Ndërkohë është marrë vendim për shpalljen e Konkursit të brendshëm për avancimin e një prokurori nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Gjakovë. 

Po ashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës është pajtuar që të nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit në mes të Këshillit, Axiom International dhe Agencia, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, marrëveshje kjo që ka për qëllim të mbështet KPK-në në proceset e rekrutimit, transferimit, avancimit, vlerësimit të performancës dhe ngritjes së kapaciteteve përmes programit të mentorimit.

Në fund të takimit, sipas planifikimit, Këshilli ka shqyrtuar raportet e vlerësimit të performancës së prokurorëve.​

Kalendari

Ngjarjet e datës 15 tetor 2019

-  Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencë për media lidhur me zhvillimet në sektorin privat. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëorganizim me MASHT-in dhe OJQ – të mjedisore do të shënojë Ditën Ndërkombëtare të Ecjes së Lirë në Natyrë. (Parku “Germia”, ora 10:00)

- Shoqata Down Syndrome Kosova në bashkëpunim me GIZ-in gjerman organizon “Panairi i karrierës: takimi i punëdhënësve me punëkërkuesit” i cili zhvillohet në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese për punësimin e personave me aftësi të kufizuar. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Fakulteti Ekonomik i Universitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka” organizon takimin Fakultet-Biznese, ku do të diskutohet për të ardhmen e Fakultetit dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe praktikes per studentet. (Objekti i Universitetit të Gjilanit, ora 12:00)

- Hapet edicioni i dytë i Metamorphosis. Flirting with leftovers e cila është një  intervenim artistik, specifik për lokacionin,  konceptuar nga artistja Koja. (Ish Restorant Marsi, rr. Bedri Gjini - Kodra e Trimave, ora 18:30)