27 Prill 2024

KMDLNj viziton burgun e Dubravës për rastin Sylejman Selimi

Prishtinë, 6 nëntor - Monitorues të KMLNj – së në kuadër të mandatit që e kanë dhe në bazë të Marrëveshjes së nënshkruar me Ministrinë e Drejtësisë vizituan Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Fillimisht u takuan me drejtorin e Q.K.D, Jeton Neziraj, me bashkëpunëtorë dhe pastaj vazhduan monitorimin e objekteve të synuara dhe takim me të dënuar dhe të paraburgosur që kishin kërkuar të vizitohen nga KMDLNj.

Qendra Korrektuese në Dubravë është shndërruar në një kantierë pune ku janë duke u rinovuar dy pavijone sikur edhe “Spitali” i Qendrës Korrektuese. Monitorues të KMDLNj –së vizituan N.N , i paraburgosur që  kishte filluar grevën e urisë, i pakënaqur me shërbimet shëndetësore.

KMDLNj gjithashtu takoi të dënuar për të ashtuquajtur radikalizëm islamikë të cilët iu treguan monitoruesve për diskriminimin që iu bëhet në fushën e përfitimit të benficioneve, lirimit me kusht dhe transferimeve në vuajtje të dënimit në institucionet mbajtëse e që janë afër familjeve.

KMDLNj konstaton se ndaj kësaj kategoie të të privuarve nga liria ushtrohet një trajtim diskriminues krahasuar me të tjerët dhe se ndaj tyre ka shkelje të të drejtave të njeriut që i parasheh Ligji për Ekzekutimin e Sanksionve Penale.

KMDLNj ka shumë vërejtje në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe thekson se QKD nuk ka kapacitete profesionale dhe materiale për t’i përmbushur nevojat e të privuarve nga liria sidomos për raste më të rënda andaj e sheh si domosdoshmëri ndërtimin e një spitali për nevoja të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Zgjidhjet që janë bërë deri më tani nuk janë zgjidhje por përpjekje për zbutje të vuajtjeve e që në planin afatgjatë seriozisht e rrezikon shëndetin e të privuarve nga liria.

Shkurtimi drastik i pushimeve në shtëpi, furnizimi jo i kënaqshëm me artikuj që janë nevojë për të dënuarit është shqetësim i të dënuarve por edhe i KMDLNj – së.

KMDLNj e konsideron si nevojë të domosdoshme një reformë të thellë të SHKK sikur edhe plotësimin e stafit me profesionistë të rinjë duke e mundësuar pensionimin e parakohshëm, me një pension 70% prej rrogës aktuale shkaku se afërsisht 100 të punësuar kanë probleme shëndetësore të natyrave të ndryshme.

KMDLNj ka identifikuar kushtet jo të mira të punës së stafit korrektues, si në aspektin e pagës për punën që e bëjnë ashtu edhe për stafin që punon në ndërrimin e natës për të cilët nuk sigurohet një shujtë që e kanë stafin që punon gjatë ditës.

Mungesa e koordinimit midis Panelit për Lirim me Kusht dhe institucioneve të mbajtjes shkakton shumë pakënaqësi te të dënuarit që kanë aplikuar për lirim me kusht dhe të cilët nuk informohen me shkrim në kohë për vendimin e Panelit ose nuk informohen fare. Këtë shqetësim KMDLNj e ka adresuar edhe më parë te Paneli për Lirim me Kusht e që vërehen përmirësime të vogla por jo edhe informim të plotë.

KMDLNj është i brengosur edhe për arsyetimin e Panelit në rast se refuzohet kërkesa për faktin se ai ka gjithmonë një përmbajtje  të njejtë, të përgjithësuar dhe nuk e arsyeton bindshëm refuzimin.

Gjatë kësaj vizite monitoruese të KMDLNj-së, vizituan Sylejman Selimin me të cilin biseduan për gjendjen shëndetësore që e ka dhe zhvillimet e fundit për çka Sylejman Selimi është deklaruar publikisht duke pohuar se ndaj tij po bëhen shkelje flagrante të drejtave të personave të privuar nga liria e që hyjnë në kompentencat e KMDLNj-së, organizatë për të drejtat e njeriut për faktin se edhe të privuarit nga liria ndonëse janë të privuar nga disa të drejta ( të rregulluara me ligjet në fuqi) nuk janë të privuar nga të drejtat tjera e që respektohen në të gjitha shtetet dhe që janë të rregulluara me LESP – in.

Gjendja shëndetësore e të dënuarit Sylejman Selimit nuk është e mirë dhe ajo mbahet nën kontrollë me një terapi të përditshme , për shkak të dhembjeve të mëdha të kokës nga migrena sikur edhe për shkak të problemeve reumatike.

Gjatë vizitës së KMDLNj – së , monitorues të kësaj organizate kishin qasje në “arsenalin” e barërave që përdorte Sylejman Selimi sikur që  u vërtetuan se vetëm me injeksione të qetësuesve, përkohësisht mbahej nën kontrollë kokëdhembja.

Përkundër kësaj gjendjeje shëndetësore, Sylejman Selimi i deklaron KMDLNj – së se nuk kërkon trajtim të veçantë shëndetësorë dhe se ka parasysh mundësitë që ofrohen në QKD për trajtim shëndetësorë.

Sylejman Selimi i ka deklaruar KMDLNj – së se është refuzuar kërkesa e tij për lirim të parakohshëm nga Paneli për Lirim me Kusht ndonëse i ka plotësuar kushtet e parapara; ka vuajtur 2/3 të dënimit, më shumë se 1 vit është shfrytëzues i beneficioneve (vikendeve në shtëpi), nuk ka asnjë vërejtje nga stafi dhe ka gjendjen shëndetësore të përkeqësuar.

Gjatë takimit me KMDLNj – në, Sylejman Selimi ka shfaqur pakënaqësi të madhe shkaku se Gjykata Supreme nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila ka gjetur shkelje të procedures dhe ka kërkuar rishqyrtim të lëndës.

Për këtë arsye, i dënuari Sylejman Selimi i ka deklaruar KMDLNj – së se mbahet kundërligjshëm më shumë se pesë (5 muaj) , pa vendim të gjykatës dhe se përmes  shkeljes së ligjit atij i shkelen të drejtat elemnetare të njeriut. Për ta vërtetuar këtë thotë se në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë shkarkuar apo dorëhequr dy presidentë të Kosovës me një proceduarë shumë të përshpejtuar.

I dënuari Sylejman Selimi thotë se nëse gjykata përkatëse merr vendim për hetime ndaj atij duhet t’i ndërrohet statusi, nga i dënuar në të paraburgosur dhe jo të mbahet në vuajtje të dënimit , pa vendim të gjykatës , pas një procesi të montuar politik, me vetëm një dëshmitar dhe pa e ditur identitetin e personit se kinse është rrahur, që qenka nga Shipoli por, pa emër dhe mbiemër.

Këtë proces dhe këtë gjykim e quan të pashembulltë, dhe pa asnjë të ngjashëm në praktikat e drejtësisë  ndërkombëtare dhe vendore. Sulejman Selimi e konsideron veten të përjashtuar nga çdo mbrojtje për faktin se Gjykata Supreme, më shumë se pesë (5 muaj) nuk e zbaton rekomandimin dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, si autoritet suprem i drejtësisë në Kosovë.

Për këtë arsye, i dënuari Sylejman Selimi dyshon se prapa vendimit jolirues të Panelit për Lirim me Kusht dhe prapa refuzimit të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës është një ndërhyrje e faktorit politik vendor dhe ndërkombëtar duke mos përmendur emra të individëve apo institucioneve që qëndrojnë prapa këtyre ndërhyrjeve.

KMDLNj pasi ta ketë në disponim tërë materialin, gjyqësorë për rastin Sylejman Selimi do të dalë me një raport i cili do t’i evidentojë shkeljet e mundshme pas së cilave, do të kërkojë përgjegjësi ndaj atyre që kanë bërë shkelje , nëse ato dëshmohen.

KMDLNj kërkon prani më të madhe të mekanizmave vendorë  monitorues për Panelin për Lirim me Kusht sikur edhe rishqyrtimin e të gjitha proceseve gjyqësore që janë udhëhequr nga ndërkombëtarët e të cilat janë denoncuar pikërisht nga gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë si të kurdisura dhe të porositura nga politika.

KMDLNj e ripërsëritë dënimin e gjuhës raciste dhe fashiste që i kanë përdorur ndërkombëtarët e që janë dëshmuar në proceset e kurdisura kundër shqiptarëve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)