27 Prill 2024

KMDLNj kërkon ndriçimin e të gjitha vrasjeve politike

Prishtinë, 1 nëntor - Para, gjatë dhe sidomos pas përfundimit të luftës në Kosovë, janë vrarë, në rrethana të pasqaruara deri më tani aktivistë të subjekteve politike kryesisht të LDK-së, komandantë dhe pjesëtarë të UÇK-së, gazetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile sikur edhe pjesëtarë të komuniteteve që jetojnë në Kosovë, pjesa më e madhe janë serbë por edhe të komuniteteve tjera.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) thekson se hetuesia dhe gjykatat, fillimisht të UNMIK-ut që kishin ekskluzivitet për këto raste nuk bënë thuaja asgjë për ndriçimin e këtyre vrasjeve dhe zhdukjeve, të dyshuara si politike dhe etnike sikur që nuk bëri asgjë as edhe EULEX, si misioni më i madh për sundimin e ligjit në Europë.

Vrasjet  dhe zhdukjet e qytetarëve të Kosovës dhe jo vetëm të Kosovës e që dyshohen të jenë të motivuara politikisht dhe etnikisht, në mungesë të zbardhjes së tyre kanë mbetur brengë, shqetësim dhe dhimbje vetëm për familjarët që, me të drejtë kanë kërkuar informata për fatin e tyre, drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për ata që planifikuan , urdhëruan apo kryen krime të cilësuara si politike dhe etnike.

"E drejta për t’u informuar sikur edhe e drejta për t’i vënë para përgjegjësisë ata që kontribuan për këtë gjendje janë të drejta të njeriut dhe , si të tilla , institucionet përkatëse, së pari ato ndërkombëtare por edhe të Kosovës është dashur t’i adresojnë dhe gjejnë zgjidhje", vlerëson KMDLNJ.

Për fat të keq sipas KMDLNJ-se jo vetëm se nuk janë siguruar informatat dhe përgjegjësia penale për ata që ishin dhe janë përgjegjës por, në mënyrë të paskrupullt janë keqpërdorur për qëllime politike dhe të tjera duke manipuluar me ndjenjat e lënduara të familjarëve dhe duke  përqeshur ligjin dhe drejtësinë.

KMDLNJ e konsideron paradoksale që subjekti politik, nga radhët e së cilit ka më së shumti të vrarë dhe të zhdukur përkundër faktit se në disa mandate ka pasur Ministrinë për Punë të Brendshme dhe ate të Drejtësisë sikur edhe postin e Kryeministrit  nuk ka bërë asgjë për hetim të këtyre rasteve duke bërë përpjekje që t’i kapitalizojë politikisht këto vrasje dhe zhdukje si dhe të përfitojë mbi vuajtjet e familjeve, duke manipuluar me to.

Edhe partitë që konsiderohen të kenë dalë nga krahu i luftës, nuk kanë bërë asgjë për ndriçimin e fatit të vrasjeve dhe zhdukjeve të komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së, madje, në këtë drejtim ata e kanë zbatuar luftën brenda llojit duke e dëmtuar njëra – tjetrën, si për shkaqe politike ashtu edhe për shkaqe materiale.

Në rastin konkret, përfituesja më e madhe dhe mbase e vetme është Serbia e cila ka sajuar dosje, të qena dhe të trilluara dhe, si rezultat kemi procese kundër shumë ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së, e që po përfundon me formimin e Dhomave të Specializuara që, përkundër të drejtave të njeriut që nuk pranojnë drejtësi selektive, e bënë pikërisht këtë dallim  duke ofruar pa- drejtësi selektive.

Në seancën e Jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të datës 31 tetor ku diskutohej miratimi dhe votimi i një Rezolute për bisedimet me Serbinë përkatësisht kompetencat e presidentit në këto bisedime, pati diskutime dhe akuza të artikuluara dhe që nuk lënë fare mëdyshje se kush bartë përgjegjësi konkrete për vrasjet që cilësohen si të dyshuara dhe me motive politike.

Deputetja nga radhët e LDK-së , znj. Besa Gaxherri, përveç se e kualifikoi gjendjen shëndetësore dhe mentale të presidentit të Kosovës si jonormale e që kjo do të duhej të ishte përgjegjësi e profileve të specializuara të mjekësisë, ngriti, jo dyshime por akuza të drejtpërdrejta se presidenti Hashim Thaçi ka vrarë kundërshtarë dhe aktivistë politikë të LDK-së.

Realisht, KMDLNj ka pritur që Prokuroria e Shtetit të reagojë menjëherë duke e intervistuar deputeten Gaxherri për akuzat e bëra e që e inkriminojnë jashtëzakonisht rëndë zotin Thaçi për vepra të rënda penale dhe, në përputhje me rezultatet e intervistimit, ose ta presë presidentin Thaçi në aeroportin “Adem Jashari“ për ta itervistuar si të dyshuar për akuzat e zonjës Gaxherri , ose, nëse këto akuza nuk janë të mbështetura në prova konkrete dhe bindëse, zonja Gaxherri duhet të thirret në përgjegjësi duke dalë para organeve të drejtësisë.

Çdo prokurori i çdo vendi normal ku sundon ligji dhe shteti i së drejtës, akuzën e zonjës Gaxherri do ta priste si “dhuratë hyjnore“ për zbardhje të krimeve të cilat nuk kanë qenë në gjendje t’i zbardhin, Tribunali i Hagës, Gjykatat e UNMIK-ut dhe të EULEX-it si dhe gjykatat vendore.

Akuzat  e deputetes Gaxherri, nëse vërtetohen nga prokuroria, ngjallin shpresë për drejtësi, tash të vonuar, për familjet anëtarët e të cilave janë vrarë apo zhdukur sikur që do të hiqnin dilemat për fatin  e tyre dhe, shoqëria kosovare do ta hiqte ketë barrë të rëndë  , moszbardhjen e këtyre rasteve.

KMDLNj shpreh gatishmëri dhe vullnet të ndihmojë në zbardhjen e këtyre rasteve gjë që e ka kërkuar, që nga përfundimi i luftës e deri më sot.

Në të kundërtën, familjarët që kërkojnë informata dhe drejtësi për anëtarët e vrarë dhe të zhdukur edhe në të ardhmën do të manipulohen nga persona të papërgjegjshëm , për qëllime të përfitimeve politike dhe tjera.

Në rastin konkret nuk janë dhe nuk mund të jenë dy të vërteta; ose ka të drejtë deputetja Gaxherri për akuzat që i ka bërë ndaj presidentit Thaçi, ose ka të drejtë presidenti Thaçi nëse del se akuza të mos ketë mbështetje në prova materiale.

KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon ndriçimin e të gjitha vrasjeve dhe zhdukjeve të dyshuara se janë bërë për shkaqe politike apo etnike.

KMDLNj, shpreh shqetësim dhe brengosje të thellë që partitë (të pozitës dhe të opozitës) nuk arritën ta harmonizojnë një Rezolutë për bisedime me Serbinë për faktin se qëndrimet ishin shumë të përafruara dhe dallimi, nuk ishte përmbajtësorë por më shumë teknik dhe politik.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të tregojnë vullnet dhe gatishmëri të ngriten mbi intereset partiake dhe ato të ngushta politike, kur është në pyetje një interes i përgjithshëm shtetërorë e që nuk e bënë as në seancën e datës 1 nëntor 2018.

Pas mos-votimit të Rezolutës së propozuar nga opozita dhe e cila nuk dëshmoi fleksibilitet të nevojshëm për arritje të konsensusit duke insistuar të votohet një Rezolutë e paharmonizuar nga të gjitha partitë parlamentare u krijua një situatë ku të gjithë jemi ndarë humbës dhe askush nuk ka fituar.

KMDLNj mendon dhe propozon që rruga më e mirë që të votohet një Rezolutë për bisedime me Serbinë (kushtet dhe parimet për këto bisedime) është plotësimi i Rezolutës së propozuar nga opozita me propozime të pozitës dhe PSD sikur edhe bashkangjitja kësaj Rezolute fotokopje të neneve të Kushtetutës së Kosovës ku thuhet qartë se askush nuk ka të drejtë (pa përmendur asnjë emër apo post konkret) të bisedojë për tërësinë territoriale të Kosovës, vënie në dyshim të sovranitetit të saj dhe karakterin unitar të Kosovës.

Ose, në vend të Rezolutës, deputetëve të Kuvendit të Kosovës është dashur  t’iu shpërndahet nga një kopje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me nenet e nënvizuara e që do ta zëvendësonin Rezolutën e cila , edhe nëse do të votohej, nuk do të ishte detyruese për presidentin Thaçi.

Realisht, për KMDLNj, zotimi se Kuvendi i Kosovës është përgjegjës i vetëm, i fundit dhe vendosës për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare nuk paraqet siguri për faktin se pas nënshkrimit të një marrëveshjeje (hipotetikisht të dëmshme për Kosovës nga Hashim Thaçi aktual apo hashimët e ardhshëm), do të fillonte një presion ndërkombëtar deri sa të sigurohej një strrukturë e dëgjueshme deputetësh e që do ta votonin këtë marrëveshje siç ka ndodhur edhe me marrëveshjet e tjera.

Tash, kemi hyrë në një qark të mbyllur e që mund të ndikojë në përshkallëzimin e situatës së sigurisë. Kosova dhe Serbia duhet të bisedojnë dhe arrijnë marrëveshje vetëm nga pozita të barabarta, si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Çdo variant tjetër është humbje për Kosovën kurse eufemizmi i fjalëve të përdorura është retorikë mashtruese dhe perde tymi.

Gjithashtu, KMDLNj vlerëson se është kohë e fundit të ndryshojë Rregullorja e Punës së Kuvendit të Kosovës për të rritur efikasitetin e punës së Kuvendit , për të eliminuar dhe sanksionuar bllokimin e punës së Kuvendit , mungesës së paarsyeshme të deputetëve e që pameritueshëm paguehen për mospunën dhe çasjen bllokuese të tyre sikur që do të sanksionohej rreptësisht fjalori fyes , denigrues dhe akuzues , pa asnjë provë e disa deputetëve që e kanë ulur për tokë reputacionin dhe besimin në këtë institucion vital për ekzistimin , zhvillimin dhe forcimin e shtetit dhe të demokracisë.

KMDLNj, së bashku me partnerë nga OJQ-ë dhe institucione tjera profesionale do të dalë me propozime konkrete për ndryshim të Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës e që është nevojë imediate për mbarëvajtjen e punës së Kuvendit të Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)