22 Gusht 2019

Kërkohet paraburgim ndaj një personi të dyshuar për trafikim me njerëz

Gjilan, 18 korrik - Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, gjatë ditës së djeshme, më 17 korrik 2019, rreth orës 13:30 minuta, ka ndaluar një person, në kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Trafikimi me njerëz’’.

Ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari J.K., me qëllim të përfitimit pasuror, ka trafikuar të dëmtuarën D.G., në atë mënyrë që me anë të shtrëngimit e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me persona të ndryshëm, ndërsa më 28 shkurt 2019, të njëjtën e ka transportuar me automjetin e tij, në një motel në Gjilan, duke e detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me një person.

Gjithashtu, përmes aplikimit të masave të fshehta ka rezultuar se i dyshuari ka përdorur forcë ndaj viktimës, në rastet kur ajo kishte refuzuar të ofronte shërbime seksuale, madje edhe personalisht kishte kryer marrëdhënie seksuale me të, duke e shfrytëzuar pozitën e pambrojtur të saj.

Prokuroria Themelore në Gjilan, sot ndaj të dyshuarit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën kompetente në Gjilan, për veprën penale ‘’Trafikimi me njerëz’’, pasi ekziston rreziku i ikjes, ndikimit te e dëmtuara dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale.

Për këtë rast, njëkohësisht prokuroria ka filluar hetimet edhe ndaj të dyshuarit L.C., në drejtim të veprës penale ‘’Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 gusht 2019

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i propozimit të Grupit të deputetëve për shpërndarjen e Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Komuna e Prishtinës organizon vendosjen e pesë njësive shtesë të pemëve për pastrimin e ajrit në sheshin "Zahir Pajaziti" ku do të jetë prezent dhe Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti. (Sheshi i 'Zahir Pajazitit', ora 10:00)

 - Mbahet dita e tretë e Etnofestit në të cilën do të mbahet punëtoria kreative, instalacione me atelje te pikëtorëve dhe skulptorëve, punime artizanale, etj. (Ambientet e Etnofestit në fshatin Kukaj, ora 10:30)

- Kryetari i Komunës se Istogut, Haki Rugova do të organizojë dëgjimin me qytetarë për Draft Buxhetin Komunal për vitet 2020-2022. (Salla e Kuvendit Komunal në Istog, Kati III, ora 11:00) 

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 13:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Termokis, ora 20:00)