30 Maj 2020

Institucionet e Kosovës po bëjnë punë të shkëlqyer në menaxhimin e Pandemisë

Prishtinë, 8 prill - U.d ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, njëherësh Koordinator i Grupit Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Në këtë takim u diskutua për gjendjen e përgjithshme në Kosovë, me theks të veçantë për periudhën e pandemisë me Covid-19.

Gjatë takimit Sveçla dhe Minxhozi në veçanti u theksua bashkëpunimi në mes të dy shteteve, sa i përket koordinimeve të veprimeve për lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave, sidomos në këtë periudhe të kufizimeve të lëvizjes që kanë ndërmarrë të dy vendet.

Ministri Sveçla e njoftoi për punën që janë duke bërë institucionet e zbatimit të ligjit në këtë kohë të pandemie, për ngritjen e nivelit të gatishmërisë dhe mobilizimit të të gjitha strukturave të sigurisë, të cilat janë duke u kujdesur edhe për sigurinë e përgjithshme në gjithë territorin e vendit.

Ndërsa Ambasadori Minxhozi vuri në dukje se institucionet e Kosovës janë duke e bërë një punë të shkëlqyer në menaxhimin e kësaj situate.

Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë së Shqipërisë, që të dy vendet në këtë kohë të bashkërendojnë aktivitetet për të gjitha situatat që mund të vijnë nga terreni.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 30 Maj 2020

- Instituti Demokratik i Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media ku do të shpalosen gjetjet preliminare nga monitorimi i aktiviteteve të prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë kohës së pandemisë. (Hotel Sirius, ora 11:00)

 

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media. (Zyret e qendrore të Vetëvendosje, ora 17:00)