17 Janar 2021

Avokati i Popullit bën thirrje që dhuna në familje të raportohet

Prishtinë, 25 nëntor - Avokati i Popullit, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe me qëllim të sensibilizimit të opinionit publik, ua rikujton institucioneve shtetërore detyrimet e tyre për t’u ofruar viktimave të dhunës mbrojtje të përshtatshme dhe të menjëhershme nga rreziku i dhunës.

Qëllimi i shënimit të kësaj dite, përveç tjerash, është edhe rëndësia që ka për shoqërinë sigurimi i respektimit të të drejtave të viktimave të dhunës në familje.

Dhuna ndaj grave dhe ndaj vajzave është forma e përhapur e shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Të dhënat tregojnë se një në tri gra në botë ka qenë viktimë e dhunës në familje dhe kryerësi i dhunës shpeshherë është një burrë nga familja e ngushtë e viktimës.

Institucioni i Avokatit të Popullit, gjatë periudhës së përhapjes së pandemisë dhe masave për qytetarët të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, është vënë në dijeni për rritjen e numrit të raportimit të rasteve të dhunës në familje.

Avokati i Popullit gjithashtu thekson se kufizimet në lëvizje gjatë pandemisë COVID-19  dhe rritja e dhunës ndaj grave obligon autoritetet shtetërore që në të ardhmen të ndërmarrin hapa për të siguruar që shtëpia të mos bëhet përsëri një vend frike për gratë e vajzat e shoqërisë sonë.

Avokati i Popullit thekson se është i nevojshëm bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve shtetërore, shoqërisë civile dhe shoqërisë në përgjithësi, për ta parandaluar dhunën ndaj grave dhe për të arritur një qëndrim dhe opinion të përbashkët se dhuna kundër grave është e papranueshme dhe e pa tolerueshme.

Gjithashtu, Avokati i Popullit përfshirjen e Konventës së Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (Konventa e Stambollit) në Kushtetutën e Kosovës e konsideron si një hap pozitiv në zbatimin e rekomandimit të tij nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe shpreson se ky veprim në të ardhmen do të ketë një efekt pozitiv lidhur me luftën kundër dhunës ndaj grave. Konventa e përshkruan dhunën ndaj grave si “shkelje të të drejtave të njeriut” dhe si “formë diskriminimi”.

Avokati i Popullit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që dhuna në familje të raportohet te autoritetet, ashtu që t’u jepet mundësi institucioneve të veprojnë edhe gjatë kohës së pandemisë, sipas bazës ligjore ekzistuese.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 Dhjetor 2020

- Komuna e Deçanit në bashkëpunim  me Federatën Skitare se Kosovës organizon garën e skijimit 'Kupa e Gjeravicës 2021'. (Nisja për në Bjeshkën e Belegut nga oborri i Komunës së Deçanit, ora 8:00 - Arritja në Bjeshkën e Belegut, ora 10:00)