26 Prill 2024

Aktakuzë për organizim te grupit kriminal dhe marrje e dhënia ryshfeti

Prishtinë, 23 prill - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë pran Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, kundër pesë personave me inicialet A.V-B., V.D., I.U., A.M. dhe D.S., për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e Ryshfetit”, “Kontrabandë me mallra” dhe “Dhënia  e Ryshfetit”.

Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit, A.V-B., V.D dhe I.U., që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi dhe në bashkëpunim me të pandehurit R.R., M.J, dhe D.R, të cilët gjenden në arrati,  kanë vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar  me hierarki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurit R.R, komandant i stacionit në SPMK Leposaviq.

Po ashtu, të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ndërmjet veti,  me dashje dhe qëllim të përfitimit pasuror dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale të cilat janë të dënueshme me burgim prej së paku katër (4) vjet, aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit duke ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizimin e veprimtarive kriminale të grupit, në atë mënyrë që kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare dhe autorizimet, si dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, nuk i kanë përmbush detyrat zyrtare të tyre me qëllim që të përfitojnë çfarë do dobie për vete ose për personat e tjerë, duke lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshëm dhe atë si mallra ushqimor, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Serbia për në Republikën  e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale.

E pandehura A.V-B., duke vepruar si anëtare e grupit kriminal, dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, saktësisht udhëheqëse e ndërrimit në SPMK- Leposaviq, ka marr pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit në atë mënyrë që  dhe pas komunikimit dhe marrëveshjes  me kontrabanduesit ka dhënë udhëzimet për kohën dhe vendin ku duhet të kalojnë dhe nga ta ka pranuar shuma të ndryshme të parave, qoftë personalisht apo në vende të caktuara,  ku një pjesë e ka mbajtur për vete, dhe pjesën tjetër për komandantin e stacionit - udhëheqësin e grupit R.R.

I pandehuri V.D., duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, polic patrullues në SPMK- Leposaviq, ka marr pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit në atë mënyrë që ka zbatuar udhëzimet e shefave të ndërrimit dhe komandantit të stacionit, si dhe pas komunikimit me të njëjtët i ka udhëzuar  kontrabanduesit se në cilat vende dhe në çfarë kohe të kalojnë , ku nga ta ka marrë shuma të ndryshme të parave, dhe të njëjtën shumë një pjesë e ka mbajtur për vete, dhe pjesën tjetër e ka dorëzuar për udhëheqësit e ndërrimeve dhe komandantin e stacionit - udhëheqësin e grupit R.R.

I pandehuri I.U.,  duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, zëvendës i udhëheqësit të ndërrimit në SPMK- Leposaviq, ka marr pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë e sidomos me të pandehurin D.R., të cilin e ka pas epror ku ka zbatuar udhëzimet e e tij  dhe të komandantit të stacionit, duke udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende dhe në çfarë kohe të kalojnë,  duke marrë shuma të ndryshme të parave dhe duke shkuar ne vende të caktuar për të mbledhë shumat e parave e të cilat konrtrabnadistët i kishin lënë  dhe të njëjtat  shuma i ka dorëzuar për udhëheqësin e ndërrimit dhe komandantin e stacionit - udhëheqësin e grupit R.R.

Me këto veprime të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprat penale, “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 2 nënparagrafi 2.3 lidhur me  paragrafin 1 të  KPRK-së, dhe “Marrja e Ryshfetit” nga neni 429 paragrafi 2 të  KPRK-së.

Gjithashtu, të pandehurit A.D. dhe D.S., që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm kanë kontrabanduar mallra, dhe atë  mallra ushqimor, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas , duke i’u shmangur  kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, në atë mënyrë që duke bashkëpunuar me tani të pandehurit R.R., M.J., A.V-B., V.D., I.U dhe D.R, në  cilësinë e personave zyrtarë në Policinë të Kosovës në SPMK-Leposaviq të Republikës së Kosovës, me ç’rast  kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshëm material buxhetit  të Republikës së Kosovë.

Me këto veprime të pandehurit e lartcekur secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Kontrabandë me mallra” nga neni 317 paragrafi 1 të  KPRK-së.

Ndërkaq,  të pandehurit A.D dhe D.S., që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të kalimit të mallrave kontrabandë nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas,  u kanë dhënë shuma të parave  apo përfitim tjetër personave zyrtar- policëve të SPMK në Leposaviq, në mënyrë që personat zyrtar të veprojnë ose të mos veprojnë në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, ku me të njëjtit janë dakorduar që me rastin e kalimit të mallrave të paguajnë shuma të parave sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet dhe atë nga 20 € për vetura të vogla, 30 - 50€ për furgona dhe 100 - 150 € për çdo kamion, e që këto shuma të parave i kanë paguar tek zyrtarët policor por edhe e kanë lënë nëpër vende të caktuara si tek pompa e derivateve “Çekaliç’, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit M.J.– Llaki, ku pas hetimit nga ana e policisë edhe janë arrestuar.

Me këto veprime të pandehurit e lartcekur secili veç e veç kanë kryer veprën penale  “Dhënia  e Ryshfetit” nga neni 429 paragrafi 2 të  KPRK-së.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)