26 Maj 2022

Varianti i ri i koronavirusit kërkon përditësim të masave

Prishtinë, 20 janar - Pas rritjes së ndjeshme të rasteve pozitive të Covid-19 gjatë ditëve të fundit, sot është mbajtur mbledhja e Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka konfirmuar se pothuajse të gjitha këto raste janë të variantit Omicron, i cili përhapet jashtëzakonisht shpejt dhe lehtë në krahasim me variantet e mëparshme të virusit Corona.

"Varianti i ri i virusit Corona kërkon përditësim të masave bazuar në të dhëna", tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të takimit.

Për shkak të natyrës jashtëzakonisht ngjitëse të variantit Omicron, rritja e rasteve, të paktën për një kohë sipas tij ishte e pashmangshme.

Prandaj, kryeministri kërkoi nga ky Komitet, që masat e vendosura ta kenë si qëllim kryesor ngadalësimin e rritjes së rasteve.

Ngadalësimi i rritjes së numrit të rasteve do të sigurojë që funksionimi i sistemit shëndetësor të mos rrezikohet nga një fluks i madh dhe i përnjëhershëm i pacientëve nëpër spitale, apo nga mungesa e punonjësve shëndetësorë të infektuar.

Po ashtu, një ngadalësim i tillë do t’u japë kohë qytetarëve që të vaksinohen sa më masivisht, qoftë me dy dozat e para, qoftë me dozën përforcuese.

Kjo do t’iu ofrojë mbrojtjen prej infektimit apo sëmundjes së rëndë, si dhe do ta ndihmojë Kosovën në tërësi, që të kalojë sa më shpejt valën aktuale dhe me sa më pak pasoja.

Nga ky takim u bë thirrje për qytetarët, që të mos nënvlerësohet varianti Omicron.

Të gjitha informatat nga vendet e tjera dëshmojnë qartë dhe pa asnjë dyshim, se ky variant mund të shkaktojë sëmundje të rëndë dhe humbje jete, sidomos mes personave të pavaksinuar dhe, deri diku, edhe mes atyre që nuk kanë marrë dozën përforcuese.

"Prandaj, iu bëj thirrje qytetarëve, që të vaksinohen sa më shpejt dhe, në veçanti, ta marrin dozën përforcuese posa të kalojnë tre muaj pas marrjes së dozës së dytë", ka theksuar Kurti.

Si gjithmonë, mjeti më i fortë dhe më efikas për të mbrojtur vetveten dhe të tjerët përreth nesh sipas tij mbetet vaksinimi masiv.

 

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 maj 2022

- Fillon punimet konferenca “Qasjet Aktuale në Diagnostikimin dhe Menaxhimin e Pacientëve me Sklerozë Multiple, Dita Botërore e Sklerozës Multiple 2022”. (Four Points by Sheraton, Marigona Residencë, ora 9:00)

- Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu raporton para Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Drejtoresha e Misionit të USAID-it, Zeinah Salahi, do të flasë në hapjen e Forumit të Bizneseve të Diasporës. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Kolegji AAB organizon hapjen zyrtare të edicionit të parë të Panairit të Karrierës dhe Punësimit AAB 2022. (Kolegji AAB, ora 10:00)

- Në kuadër të projektit “Evropa Juglindore - Së Bashku Kundër Korrupsionit” mbahet konferenca për media, në të cilën do të prezantohet raporti me titull “Nevoja për institucionalizimin e vlerësimit anti-korrupsion në Kosovë”, në të cilin raport trajtohet ndryshimi e shpeshtë i ligjeve anti-korrupsion dhe nevoja që ndryshimeve të ligjeve tu paraprijë vlerësimi periodik i legjislacionit dhe masave anti-korrupsion. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Oficerë të lartë nga Kroacia dhe Shqipëria që ishin pjesë e UÇK-së bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz. (Prekaz, ora 10:00)

-  Zyrtari për Sektorin Privat në USAID, Mathju Kulinajn, bashkë me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, do të mbajnë fjalë rasti në ceremoninë përmbyllëse të Programit të USAID-it Përkrahje Adoleshentëve pas Mësimit të Rregullt. (Hoteli Emerald, ora 10:30)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe te vendi i rënies së dëshmorëve të kombit Sadedin Hajda dhe Mexhit Mustafa. (Hamoc, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës diskuton rreth emrave të ekspertëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  N303, ora 11:00)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe të vendi i rënies së dëshmorëve të kombit Feim Gashi, Sakip Bellaqa, Përparim Thaqi në fshatin Fortesë. (Fortesë, ora 12:00)

- Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion organizon konferencë për media si pjesë e Javës Kundër Varfërisë Menstruale dhe Stigmatizimit të menstruacioneve. (Para Bibliotekës Kombëtare, ora 12:30)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe në vendin e rënies së dëshmorëve të kombit Milaim Morina dhe Xhevdet Krasniqi. (Në rrugën Fortesë-Celinë, ora 13:0)

- Ministrja e  Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të takohet me një delegacion nga Shqipëria, të kryesuar nga ministrja e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, me rastin e organizimit të konferencës “Turizmi i përbashkët Kosovë - Shqipëri”. (Hotel Prishtina, ora 14:00)

- Mbahet konferenca për media e përzgjedhësit Alain Giresse në kuadër të grumbullimit për katër ndeshjet e muajit qershor në UEFA Nations League. (Hotel Emerald, ora 14:00)

- Komuna e Rahovecit bën homazhe në vendin e rënies së dëshmorëve të kombit në fshatin Brestoc. (Brestoc, ora 14:00)

- Kombëtarja e Kosovës i fillon stërvitjet dhe do t’i mbajë dy seanca në Kampin Nacional në Hajvali. (Stërvitja e parë mbahet, ora 10:30 derisa stërvitja e dytë, ora 17:30)