26 Prill 2024

Tetë qendra mjekësore pajisen me autoambulanca moderne

Prishtinë, 5 dhjetor - Në Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës u mbajt sot ceremonia e dhurimit të autoambulancave për institucionet shëndetësore të Kosovës, si pjesë e projektit të Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë në përkrahjen e sistemit shëndetësor kosovar për përmirësimin dhe fuqizimin e Shërbimeve Emergjente Mjekësore.

Ky kontigjent prej tetë autoambulancave,  donacion i Qeverisë së Luksemburgut, u ka takuar Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare të komunave: Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj dhe Skenderaj, që janë pajisur me nga një autoambulancë moderne, ndërsa Ministria e Shëndetësisë i ka dhuruar një autoambulancë Qendrës së Mjekësisë Urgjente të Komunës së Prishtinës.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, duke falënderuar Qeverinë e Luksemburgut për këtë donacion dhe OBSH-në për projektin e saj në përmirësimin dhe fuqizimin e Shërbimeve Emergjente Mjekësore në Kosovë, tha se autoambulancat e reja duhet të përdoren në funksion të ngritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe të ruhen me kujdes, me që, përdorimi i tyre në mënyrë adekuate dhe në kohën e duhur, theksoi ai, shpëton jetë.

“Ky është një kontribut i drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe MSh është mirënjohëse për këtë”, tha Ministri Agani.

Pierre Weber, shef i Zyrës së Luksemburgut në Kosovë, tha se donacioni është shenjë e kontributit dhe miqësisë që Qeveria e Luksemburgut ka për Kosovën dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

Ai tha se MSh është në një proces të reformave, të cilat në çdo fillim janë të vështira dhe kërkoj që Ministria të mbështetet si nga profesionistët ashtu edhe nga mediat dhe qytetarët në themelimin e një sistemi të ri dhe të reformuar shëndetësor.

Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, tha se autoambulancat e dhuruara, janë me të gjitha pajisjet mjekësore moderne emergjente,  ndërsa theksoi se OBSH do të vazhdojë të mbështes stafin mjekësor kosovar në ngritjen e kapaciteteve të profesionistëve shëndetësorë për të ofruar shërbime të mirëfillta emergjente mjekësore.

Autoambulancat e dhuruara kapin vlerën prej 415.000 eurove.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)