21 Shtator 2019

Radiologjia do të transformohet në klinikë moderne

Prishtinë, 22 maj - Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës po investon në Radiologji, përmes projektit të transformimit në një klinikë moderne.

Investimet kapitale kanë filluar dhe së shpejti do të instalohet rezonanca e dytë magnetike, blerë së fundmi, si dhe Tomografia e Kompjuterizuar (CT).

Me angazhimin menaxhmentit dhe përkushtimit të personelit në Klinikën e Radiologjisë, është hequr lista e pritjes për pacientë të hospitalizuar për shërbimet e Tomografisë së Kompjuterizuar (CT) dhe është  zvogëluar lista e pritjes për pacientët ambulantor për kontrollimet me Rezonancë Magnetike, pas angazhimit të stafit gjatë natës dhe fundjavave.

Deri tash, pacientët kanë pritur deri në një vit për rezonancë, kurse tani lista e pritjes është reduktuar në vetëm dy muaj.

Vlen të theksohet, gjithashtu, se është eliminuar rrjedhja e rrezatimit në disa kabinete, që është konfirmuar  me raportin e Agjencisë për Mbrojtjen nga Rrezatimi.

Planifikimi i renovimit të tërësishëm për instalim e sistemit të ri të ventilimit, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira në punë, që ka munguar për disa vjet, është në përfundim.

Teknikëve të radiologjisë në kujdestari u është zvogëluar orari i punës, derisa me propozimin e vetë radiologëve, të gjithë do të jenë të inkuadruar në orar të kujdestarisë.

Klinika e Radiologjisë ka punuar edhe në ngritjen profesionale të stafit, sipas teknikave të fundit imazherike.

Me rritjen e numrit të kompjuterëve dhe instalimin e printerëve, për herë të parë në çdo hapësirë, radiologët kanë kushte më të mira të punës.

Me angazhimin profesional të teknikëve, përdorimi i blendave dhe i mbrojtjes jep siguri nga rrezatimi për pacientët e shërbyer.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 shtator 2019 - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti merr pjesë në manifestimin tradicional Kulturor e Shkencor "Ditet e Dom Mikelit", Stubëll të Epërme të Vitisë. (Subëll e Epërme, ora 9:00)

- Fillon Dita e Pastrimit të Botës në Kosovë ku do të marrin pjesë ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, Forca e Sigurisë së Kosovës, Kompania “Pastrimi”, përfaqësues nga Komuna e Prishtinës, figura të rëndësishme diplomatike, studentë e vullnetarë të shumtë. (Stadiumi “Fadil Vokrri”’ në Prishtinë, ora 10:00)

- Me rastin e përvjetorit të Ahmet Krasniqit, kandidatja e LDK-së për Kryeministre, Dr. Vjosa Osmani bën homazhe te varri i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova dhe te varri i ish Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ahmet Krasniqi. (Velani, ora 10:00)

- Vazhdon kampionati ekipor në pingpong. (Shkolla Tefik Qanga në Ferizaj, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it mban konferencë për media, në të cilën do publikohet raporti: “Krimet e Rënda në Kosovë, ligji VS praktika: Analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve në rastet e trajtuara në Departamentet e Krimeve të Rënda të Gjykatave Themelore në Republikën e Kosovës, analizë e veçantë e trajtimit të rasteve të veprave penale të terrorizmit”. (Hotel Sirius, ora 10:30)

- OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë" organizon aksion pastrimi përreth liqenit “Batllava” në Orllan. (Orllan, ora 11:00)

- Aksionet e pastrimit mbahet në komunën e Podujevës. (Podujevë, ora 11:00)

- Mbahet një aksion me moton “Dita e pastrimit të Botës 2019” në Mitrovicë. (Para objektit të komunës së Mitrovicës, ora 11:00)

- OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë" organizon aksion pastrimi përreth liqenit “Batllava” në Orllan. (Orllan, ora 11:15)

- Kandidatja e LDK-së për Kryeministre, Dr. Vjosa Osmani shpalosë programin e LDK-së për zhvillimin ekonomik, në Konventën për zhvillim dhe punësim. (Hotel Emerald, ora 12:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti zhvillon një vizitë në Gjilan. (Gjilan, ora 12:00)

- Aksionet e pastrimit mbahet në Komunën e Prizrenit. (Prizren, ora 14:00)

- Promovohet libri monografik “Nexhmije Pagarusha” i cili është një rrëfim origjinal dhe personal i një udhëtimi të mrekullueshëm nëpër jetën dhe krijimtarinë e këngëtares tonë të famshme, bilbilit të këngës shqipe në Kosovë, znj. Nexhmije Pagarusha. (Hotel Swiss Diamond, ora 19:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti mban tubim në Petrovë të Shtimës. (Fshati Petrovë, ora 19:00)

 - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti mban tubim në Hajvali të Prishtinës. (Restaurant "Ora", Hajvali, ora 21:00)